Mjerimi i të majtës dhe qukapiku i Kim Jong Il-it

e majta

Lideri i Madh i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, nuk defekonte asnjëherë. Kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë në biografinë e tij. Ai gjithashtu lindi në malin më të lartë të Koresë, ndërsa në qiell u shfaqën dy ylberë, një qukapik trokiti një herë të vetme në qiparisin më të lartë, dhe një yll i ri u shfaq në qiell. Sot qukapiku është shpend i shenjtë në Korenë ateiste të Veriut…

Ndërkohë në Greqinë fqinje situata është dramatike. Mediat, në mbarë botën, flasin çdo ditë për rrezikun e falimentimit dhe pasojat katastrofike që mund të sjellë, jo vetëm për popullin grek por edhe më gjerë, në vendet fqinje dhe në Europë. Çfarë është thënë deri më sot është mëse e mjaftueshme, për t’ua kursyer njerëzve një analizë të vogël më shumë, në xhunglën e shkrimeve mediatike.

Në këtë situatë, europianët janë ndarë në dy pjesë aspak të barabarta. Pjesa dërrmuese, që përfshin spektrin nga e djathta ekstreme deri tek e majta e moderuar, e shohin Qeverinë Greke si dele të zezë, dhe në referendumin që projektohet të dielën e ardhshme i kërkojnë popullit grek të votojë pro Europës (dhe gjithë masave shtrënguese që sjell me vete kjo votë). Ndërsa pjesa tjetër, numerikisht shumë e vogël, kryesisht radikalë të majtë që solidarizohen me qeverinë Tsipras, dëshirojnë që Greqia të votojë kundër Europës (dhe gjithë masave shtrënguese që ajo i imponon popullit grek).
Pikërisht këtu, tek mjerimi i kësaj të majte, më duket e arsyeshme të ndalem shkurtimisht, përderisa kriza greke është një temë e konsumuar mjaftueshmërisht shumë dhe e konsumueshme deri në alivani edhe në vazhdim.

“E majta e vërtetë europiane, ajo e ditëve të sotme, solidarizohet me popullin grek”.
SOLIDARITETI, aspirata më e lartë e filozofisë së majtë. Solidaritet i cili, nuk them se u mungoi gjatë pesë viteve të krizës greke por, solidaritet që duket më së shumti instrumental, sepse e shohim të amplifikuar vetëm gjatë 5 muajve të fundit të qeverisë Tsipras. Me kë solidarizohet e majta? Me Tsiprasin apo me popullin grek?

E mbani mend në 1999-n, masakrat e Millosheviçit në Kosovë, deportimin e 1 milion shqiptarëve, djegiet, vrasjet, genocidin? Nuk ishte një ngjarje sporadike, ishte një spastrim etnik dhe vinte pas një historie të gjatë krimesh kundër njerëzimit të makinerisë së Millosheviçit. E majta europiane, ajo radikalja që sot solidarizohet me popullin grek (në fakt me qeverinë pseudokomuniste të Tsiprasit), asokohe solidarizohej me Beogradin, vetëm sepse në krye të Jugosllavisë qëndronte “komunisti” Millosheviç. Ndoshta edhe komunist nuk e konsideronin, por së paku ishte anti BE, anti NATO, pra antikapitalist, pra i denjë për mbështetje me çdo kusht, edhe përballë maskarave në Kroaci, Bosnje, e sidomos Kosovë.
NATO-ja e djeshme, e cila kurrsesi nuk duhet të ndërhynte në Jugosllavi është për ata TROIKA e sotme e cila po ia merr shpirtin Greqisë. Ashtu sikundër kjo e majtë radikale europiane, është solidarizuar me Millosheviçin, sot po solidarizohet me Tsiprasin e jo me popujt e shtypur të botës.

Ky është mjerimi i së majtës europiane, mjerim ku fatkeqësisht, duke u shkëputur nga realiteti gjeopolitik, ka rënë edhe e majta radikale shqiptare. E nëse verbëria e europianëve është deri diku e justifikueshme, ajo e shqiptarëve, me historinë e vjetër dhe atë të ditëve të sotme, me fqinjët “komunistë”, është krejtësisht e pakuptueshme.
Problemi me të majtën radikale shqiptare qëndron kryesisht te shkëputja nga realiteti. E majta radikale shqiptare ka po të njëjtat defekte si ajo europiane plus shkëputjen me faj nga realiteti.

Me librat e Zhizhekut, Çomskit, Stiglicit etj. në dorë nuk mund të shpjegosh solidaritetin me Tsiprasin dhe partinë neonaziste me të cilën ai qeveris. Asnjë nga të sipërpërmendurit, nuk e njeh realitetin ballkanik sa një i majtë cilidoqoftë, që ka lindur e ka jetuar në Ballkan.

Stiglici, në një artikull që lexova rastësisht, i bënte thirrje popullit grek të votojë kundër Europës, sepse thoshte: “ME TRADITËN E VET TË FUQISHME DEMOKRATIKE, GREQIA do të dijë të dalë nga kjo krizë edhe e vetme”. Tani, unë jam askushi për të analizuar Stiglicin (dhe nuk po e analizoj) por, ky i fundit ose qëllimisht ose nga pasioni romantik që ka për Greqinë e lashtë ku edhe ka lindur Demokracia, thotë një të pavërtetë të madhe. Dhe jo vetëm e thotë por e merr për të mirëqenë e të pranuar gjerësisht, dhe që aty nxjerr konkluzionet e tij romantike. Greqia, në fakt, nuk ka traditë demokratike dhe këtë nuk ka shqiptar apo ballkanas që të mos e dijë. Nëse Stiglici, mundet edhe të mos e dijë, e majta radikale shqiptare e ka shumë të qartë…

Nëse Kim Jong Il-i u thotë koreanëve se qukapiku është shpend i shenjtë kemi të bëjmë me shpëlarje truri, indoktrinim të masave, por në mbrojtje të koreano-veriorëve të paktën qëndron fakti se ata nuk kanë asnjë burim alternativ informacioni.

Por të jetosh në Ballkan e të zgjedhesh me vullnet të lirë të besosh se Greqia ka traditë të fuqishme demokratike, më duket mjerim intelektual. Një e majtë e tillë në Shqipëri apo në Europë, gjendet në minimumin e saj historik kryesisht për mungesë aspiratash.
Të jesh i majtë nuk do të thotë të vish në pushtet me çdo kusht edhe nëpërmjet një aleance hibride si ajo e Syrizës me të djathtën ultranacionaliste, përkundrazi do të  thotë  të  zgjedhësh opozitën dhe luftën në krah të popullit pa kompromise (me ç’të drejtë pastaj këta tanët kritikuan dikur aleancën Rama-Meta, ndërsa sot adhurojne Tsiprasin?!).  I majtë nuk është ai që është kundër NATO-s, kundër SHBA-së. I majtë nuk është tifozi i të vetëshpallurve majtistë.

Këta në fakt, më duken po aq të majtë sa Kim Jong Uni i cili shet mitologji për popullin e tij, por të paktën ai vetë nuk blen dokrra nga Zhizhekë dhe pseudokomunistë modernë të botës së globalizuar.

Tanks

Mjerimi i të majtës dhe qukapiku i Kim Jong Il-it