Në jetë njeriu mëson që…

dritero

Ishte një periudhë në Italinë fqinje, në të cilën çdo ditë raportoheshin lajme mbi qentë që sulmonin njeriun. Një i moshuar përfundonte në spital nga kafshimi i qenit të komshiut, një qen kafshonte të zotin, fëmija i masakruar nga një Chihuahua, e kështu me rradhë. Aq shumë u shtuan këto raste sa që lajmi “qentë e rrezikshëm” zuri vendin e parë në rubrikat e lajmeve. Kjo periudhë u pasua nga një sezon qetësie ku qentë e Italisë (kujtoj që në Itali thuajse nuk ekzistojnë qentë e rrugës) le të themi u qetësuan. Më pas, sërish një tjetër valë lajmesh të para e të dyta, urgjente dhe të tmerrshme, sulmesh të njëpasnjëshme të qenit ndaj njeriut. E prishi rehatinë edhe Qeveria e Romës derisa miratoi nja dy ligje qesharake. Kjo situatë u përsërit disa herë në intervale kohe dy-tre mujore…

Konkluzione:

Hipoteza 1. Qentë në Itali tërbohen disa herë në vit dhe sulmojnë gjallesa me dy këmbë. Hipoteza 2. Në Itali ka rreth 7 milionë qen dhe 60 milion njerëz. Probabiliteti i incidenteve, le të themi edhe të shpeshta mes dy kategorive gjitare është i lartë.
Hipoteza 3. Duke u nisur nga hipoteza nr. 2, (hipoteza nr. 1 është qartësisht batutë) atëherë si shpjegohen intervalet e qetësisë, apo të armëpushimit mes dy kategorive? Shpjegohen me vëmendjen e tepruar gjatë një periudhe të caktuar dhe mungesën e vëmendjes mediatike gjatë një periudhe tjetër si për shembull kur shpërthen lufta në Siri, Pranvera Egjiptiane, dënohet Berlusconi etj.

Tani , e gjithë kjo histori m’u kujtua sepse ka një periudhë qetësie përsa i përket shpërthimeve me tritol, besoj të gjithë po e konstatojmë. Të jenë marrë vesh tritolhedhësit mes tyre? Apo fenomeni thjeshtë nuk është më në vemendjen e mediave. Larg qoftë të jetë ky shkrim që të ngacmojë vëmendjen mediatike (i kam do miq gazetarë që më lexojnë). Do më quani cinik por nuk besoj që është sukses i Policisë së Shtetit. Besoj më shumë se është “sukses” i botës mediatike dhe dramë për ne që biem pre e mediave. Nuk e kam fjalën vetëm për mediat shqiptare, por është e qartë që tonat shkëlqejnë më shumë në këtë maskaradë mediatike të përgjithshme.

Do të shohim shumë shpejt edhe se si do të shfryhet tullumbaci mediatik i Eksodit. Jo si meritë e ekonomisë të ripërtërirë, jo si rezultat i shqiptarëve që nuk largohen më, jo si rezultat i politikave sociale të Qeverisë. Por thjeshtë dhe vetëm si rezultat i vëmendjes që nuk do t’i kushtojnë mediat, kur të rikthehet sërisht në vëmendje tritoli, përmbytjet, droni, Kombëtarja, Bleona Qerreti etj. Të gjitha fenomene që këtu janë. Të ulura këmbëkryq mes nesh, që do të vazhdojnë të qendrojnë mes nesh por në hije, derisa t’i vërsulen sërish mediat. Secilit fenomen me rradhë, rastësisht apo të yshtura nga politika.

Ndërsa hidhja këto rreshta mu kujtua një “meme” e famshme që qarkullon në rrjetet sociale me Dritëro Agollin protagonist. Flokëbardhë, i urtë, i menduar, ulur në një tavolinë duke tymosur duhan, që thotë: “Në jetë njeriu mëson se…”,

Dhe ti vërtetë beson se cfarë i plotëson trepikat e shprehjes së Agollit mund ta thotë një njeri që ka jetuar gjatë e ka mësuar shumë nga jeta, si ai. Vetëm se në rastin tonë nuk mund të presim derisa të bëhemi flokëbardhë për të mësuar se mediat influencojnë përditshmërinë tonë. Madje pa frikë na e manipulojnë përditshmërinë. Sa më parë të mësojmë t’i përzgjedhim informacionet që na serviren, aq më parë do të ndihmojmë edhe vetë gazetarinë që të reformohet. Është teoria e thjeshtë e selektivitetit natyral, Evolucioni.

Tanks

Në jetë njeriu mëson që…