Nëntori i shkjajve

vetevendosje

Është e vështirë të shtjellosh idetë në një artikull mbi ngjarjet e këtij 28 nëntori në Prishtinë. Jo vetëm prej faktit se ajo që ndodhi ishte një paturpësi antikombëtare dhe antidemokratike, një akt që qëllimisht është bërë më datë 28 Nëntor, si për të treguar se Kosova nuk ka asnjë lidhje me idealin shqiptar, por edhe sepse nga dëgjimi i mediave tani që po hedh këto rreshta, dëgjohen ende pjesëza të shëmtuara të teorisë autoritariste sipas të cilës veza ishte akt i dhunshëm. Para një degjenerimi të tillë të mendjes, çdo mendim, veprim apo reagim rrezikon të duketi pashpresë, aq e helmatisur është mendja e shqiptarit. Nga vetë shqiptarët. Dhe sigurisht, kjo në dëm të shqiparit si faktor në Ballkan dhe si subjekt i Historisë.

Çfarë ndodhi në Prishtinë ? Një manifestim për Kosovën shtet unitar dhe të pavarur, me synimin për ta bashkuar me Shqipërinë në një të ardhme të largët por të sigurt, mbajtur në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë si hapësirë e shqiptarëve, u pasua me një veprim të turpshëm, abuziv dhe antiligjor kryer nga Policia e Kosovës, gjoja e pajisur me një vendim gjyqësor për arrestimin e Albin Kurtit, por në fakt e pajisur me një urdhër të qartë politik për shtypjen e opozitës në Kosovë.

Ajo që është më shqetësuesja është se ky veprim i Policisë nuk bëhet vetëm për të mbrojtur pushtetin e tashmë të konsumuarve Thaçi dhe Mustafa. Kjo do të ishte në vetvete një turp autokratik që fatkeqëisht as shteti i ri i Kosovës nuk do të shpëtonte. Por do të ishte një e keqe e madhe problemi dhe zgjidhja e të cilit do të gjendeshin brenda vetë popullit të Kosovës. Jo, ky veprim është diktuar nga Beogradi, duke përfituar nga heshtja e ndërkombëtarëve, dhe me aktorë ekzektues kukullat që qeverisin Kosovën. Një turp i paparë dhe i padëgjuar edhe në orët më të errëta të Kosovës.

Nuk kemi ç’të themi për kauzën. Lëvizja VETËVENDOSJE dhe opozita në përgjithësi në Kosovë e kanë shtjelluar në mënyrë shumë bindëse. Vetëm lumpenët e vetëkënaqur në llumin e tyre dhe skeptikët e rregjur të mefshtësisë nuk duan ta kuptojnë. Vetëm se vëmë re se faktori ndërkombëtar, nëpërmjet heshtjes së tij, ka dhënë pëlqimin për këto veprime antiligjore, sepse me apo pa Zajednicë, ajo është e lumtur me stabilitet dhe paqe, sidomos kur kjo e fundit është e rreme. Ka shumë faktorë që bëjnë që ndërkombëtarët të mos i acarojnë marrëdhëniet me Serbinë. Madje sa më shumë të acarohen marrëdhëniet me Rusinë, aq më shumë Perëndimorët kërkojnë të plotësojnë tekat e Serbisë. Në këtë kuadër, në fiksimet e tyre gjeostrategjike, Zajednica është një problem më shumë, që Qeveria e Kosovës ua ka lehtësuar punën. Zajednica nuk është kërkesë eksplicite e ndërkombëtarëve. Është një dëshirë e fortë e Serbisë që ka gjetur dakordësinë e Qeverisë së Kosovës dhe kënaqësinë e ndërkombëtare si pasojë e kësaj dakordësie. Është e qartë pra se Zajëdnica dhe delimitimi i kufirit me Malin e Zi janë akte të pastra tradhtie.

Atëherë ku qendron anormaliteti ligjor në protestat e Opozitës ? A nuk ka Qeveria dhe Parlamenti detyrë parësore mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit ? A nuk ka detyrë parësore mirëqënien e popullit, të gjithë popullit, pa dallim ? Nëse Qeveria dhe Parlamenti nuk respektojnë këto shtylla që mundësojnë zhvillimin demokratik të shtetit, ç’mbetet për t’u bërë ? A duhet të zhgërryhet gjithsecili në procese gjoja integruese duke u bërë palë me tradhtarët dhe duke dhënë garanci turpit të tyre ? Është pikërisht refuzimi i kësaj farse që u godit në 28 Nëntor, duke arkivuar përgjithmonë sakrificën e atyre që kanë dhënë jetën për Shqipërinë dhë për bashkimin. Në këtë 28 Nëntor, nuk u kujtua vepra e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, por tradhtia e Esat Pashës. Në këtë 28 Nëntor qëllimisht u kërkua të tregohej se Kosova nuk ka lidhje me Shipërinë dhe me idealin shqiptar, duke e njollosur ditën për të cilën është sakrifikuar aq shumë. Metoda ishte e njëjtë, koha është tjetër. Ky Nëntor veç i Shqiptarit nuk ishte.

Stavri

Nëntori i shkjajve