Nevoja për shtet dhe dëshira për pushtet

italian fashion

Të mos ishte dëshira për pushtet, nuk do të lindte asnjëherë nevoja për shtet. Historia e ka treguar këtë më së miri. Nuk ka pse Shqipëria, me personazhet e saj komikë, të bëjë përjashtim. Por ja që pasja e një shteti nuk i shkon për shtat të gjithëve në këtë vend. E duan shumë pushtetin, por jo shtetin. Gamgamet e fundit mbi çështjen e informalitetit në fushën fiskale e tregojnë më së miri.  Qendrimet praktike pro ose kundër një shtetformimi modern nuk janë shprehje e një lufte klasash në Shqipëri. Nuk janë një diskutim mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë shteti.

Edhe pse historiografia Partisë së Punës u mundua të tregonte se antagonizmat kishin arritur majat para Luftës së Dytë Botërore, është e qartë që në Shqipëri nuk ka patur një luftë klasash të mirëfilltë: asnjëherë borgjezia nuk është ngritur në mënyrë vendimtare kundër feudalizmit dhe asnjëherë nuk patëm dhe nuk kemi arsye të besojmë se një klasë borgjeze e konsoliduar në Shqipëri është në një luftë tashmë frontale me proletariatin. Dhe kur themi proletariat, nënkuptojmë këdo, çdo grup shoqëror, që jeton për të mbijetuar në këtë sistem. Në këtë kuptim, në Shqipëri nuk është bërë ndonjëherë ndonjë diskutim thelbësor sesi duhet të funksionojë shteti, por si duhet të funksionojë pushteti.

Pasja e një shteti qendron në antipodet e dëshirave të politikanëve tanë. Kjo është e dukshme. Dhe duke parë këtë mungesë vullneti për të bërë shtet, skeptikët dhe rrumpallëdashësit i japin penës dhe fjalës për të kritikuar të vetmet nisma që i japin shtetit mundësinë që të ekzistojë.

Operacioni kundër informalitetit tregon mjaft qartë humbëtirën në të cilën gjendet shteti shqiptar. Në rrëmujën ku ne gjendemi, pak rëndësi kanë motivet e këtij operacioni, aksioni apo lufte, emërtimet janë të shumta. Dikush thotë që “kështu e kërkon Merkeli”, dikush mendon se realisht Qeveria e dëshiron një gjë të tillë, pastaj ka dhe ata që mendojnë se nuk mban më ujë pilafi dhe se diçka duhet bërë për t’i dhënë një kuptim shtetit shqiptar. Ende të pakët në numër ata që mendojnë se ky operacion duhet të ishte bërë me kohë, të cilët janë në pritje të treguesve se tashmë puna do të jetë serioze dhe se nuk do të ketë më kthim prapa. Sepse këta njerëz që vuajnë të shohin një Shqipëri normale dhe janë duke u plakur bashkë me këtë vuajtje, e dinë shumë mirë se do të ketë disa lëshime dhe tolerime. Asgjë nuk bëhet brenda një dite. Këtë e dinë dhe skeptikët, paçka bëjnë sikur nuk kuptojnë, që tashmë janë bërë befasisht më të ditur dhe më të ndjeshëm ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut se, fjala vjen 3 ose 4 vjet më parë. Të njëjtët skeptikë që kërkojnë barazi para ligjit, por kur vjen puna për zbatimin e tij, kërkojnë që ligji të zbatohet me kujdes, se trembet populli, a thua se kanë hallin se mos qeveria humbet vota.

Halli i vetëm i kësaj shtrese skeptikësh, mburojë intelektuale e lumpenëve të shoqërisë sonë, ata që fatkeqësisht jetojnë në kurriz të të tjerëve dhe qahen se shteti u bie ne qafë, është se duke mos qenë më në gjendje të rrumpallizojnë më tej shoqërinë, nuk do të kenë më mundësinë të kënaqin oreksin e tyre, makutërinë e tyre që çdo ditë e më shumë po del në dritë të diellit. Nga shtresat e sipërme dhe deri të ato më të ulëta, lumpenët e shoqërisë sonë kanë gangrenizuar territorin, ka shtënë në dorë pasuritë kombëtare dhe nuk duan në asnjë mënyrë të bëjnë sakrificën më të vogël. Bizneset e mëdha ulëritën sa kishin në kokë se do shikonin vdekjen me sy nëse tatimi mbi fitimin do të bëhej 15%. Tashmë ato po rrisin fitimet falë përfitimeve fiskale të tjera që shteti, ende një entitet i dobët dhe i bindur, në mënyrë të pabarabartë u ofron atyre, me qëllim për të ulur efektet e kësaj rritjeje, që jemi të tunduar të themi që ështe qesharake. Pasuritë kombëtare janë objekt zhvatjeje nga banda gangstere të dala nga skutat më të errëta të historisë: beteja e kaubojsave për lagunën e Patokut, ku u përfshi dhe një deputet e tregon më së miri. Shumësia e lokaleve të Tiranës që hiqen si të vobektët e biznesit të vogël që prapë vijojnë të mos lëshojnë faturë tatimore për pijet që ofrojnë pasi kalon një orë e caktuar, medemek “është fik kasa”, a thua se kasa është një kafshë që i bindet ligjeve të natyrës dhe që, me rënë nata, duhet të flerë. Të gjitha këta janë pjesa lumpene e shoqërisë, hajdutët, meskinët, ata që ia panë hajrin qeverisë së Salës, i cili në emër të një liberalizmi të pashoq, sepse tërësisht i kalbur dhe antikombëtar, lejoi që të rrënjosej në Shqipëri një kulturë e papërgjegjshmërisë që ende edhe sot dhe në vitet në vazhdim do vijojë ta kalbë këtë vend. Sepse këtyre maskarenjve që i mbrojti hija e nje shteti prej kartoni, e dinin shumë mirë se regjimi i Saliut i kishte hedhur në letër ato masa ligjore që do të duheshin për të disiplinuar financat e vendit. Dhe të gjithë duhet ta dinë se atë që po bën sot qeveria socialiste nuk është gjë tjetër veçse zbatimi në praktikë i atyre masave ligjore që janë votuar në kohën e Salës. Dhe kjo është një habi më vete. Si ka mundësi që PD-ja, një parti që e mban veten si parti institucionale të thotë, nëpërmjet figurës së saj qendrore se “mbyllja e qepenave ishte një akt heroik”. Ky nuk është një qendrim i një partie që aspiron pushtetin në mënyrë paqësore, por ky qendrim nuk është as i një partie radikale që ka vërejtje ndaj politikës fiskale (që në fakt e ka votuar vet). Ky është qendrimi i një partie lumpene, shprehje e aspiratave më fundore të asaj pjese të shoqërisë që këtë vend e sheh ende si mundësi zhvatjeje. Atëherë si mund t’i besohet pushteti i një partie të tillë që bëhet zëdhënësi i dëshirave për pushtet të lumpenëve anti-shtet? Por lumpenëve u interesonte dukja më shumë se sa thelbi. Dhe tani që po zbatohet thelbi i atyre që ishin në dukje, lumpenët valëvisin flamujt e lirisë dhe demokracisë dhe të shkeljes së të drejtave të tyre.

Por për cilën të drejtë është fjala? Për të drejtën për të vjedhur qytetarin dhe për të mbytur shtetin në llumin e tij, nga i cili nuk del dot, për shkak të boshllëqeve financiare të mëdha dhe për shkak të një administrate që deri dje ka ushqyer informalitetin. Pavarësisht kësaj, gjenden gjithmonë ekspertë “të fushës” që thonë se masat kundër biznesit duhet të jenë të kujdesshme, gjobat duhet të ulen, nuk duhet të jetë fushatë se tremben biznesmenët. Në Shqipëri ka nga të gjithë llojet e ekspertëve, kryesisht nga ata që janë ekspertë të vendosjes në treg dhe të ofrimit të vetes së tyre ndaj më bujarit. Por në Shqipëri mungojnë ekspertët e formimit të shtetit, me dëshirën për pushtet, pa asnjë dyshim, pasi nuk duhet të kemi asnjë iluzion: është shumë e natyrshme të duash pushtetin, ta lakmosh dhe të luftosh për të. Këto janë parimet e konkurrimit të lirë në politikë të cilat i kemi pranuar, përndryshe duhet t’ia linim në dorë punët publike Enverit dhe pasuesve të tij. Por përveç dëshirës për pushtet, nevojiten që këta njerëz të kenë dhe vullnetin të ngrejnë një shtet, pasi të jenë të bindur se Shqipëria ka nevojë për një të tillë. Duket si një thirrje e një rilindasi shumë të zhgënjyer, por nuk ka zgjidhje tjetër. Sistemin e bëjnë njerëzit. Duam apo s’duam ne, ata do të vendosin se ku dhe me ç’mjete do të jetojnë.

Stavri

Nevoja për shtet dhe dëshira për pushtet