Ngritja e përballueshme e SIRIZËS

Më shqetëson edhe tendenca e disave për t’i vënë bashkë grekët e Sirizës me shqiptarët e Vetëvendosjes. Me siguri sepse protestat e udhëhequra nga Albin Kurti të këtyre ditëve përkojnë në kohë me fitoren e Tsiprasit në Athinë, sepse tjetër analogji mes dy lëvizjeve vështirë të gjehet.

Po ç’të lexoj pastaj?! Që Alexis Tsipras mendon që pavarësia e Kosovës sjell destabilizim të Ballkanit, që faktori shqiptar në Maqedoni është destabilizues dhe që maqedonasit vetë na paskërkan ndikuar negativisht në marrëdhëniet e mira mes popujve ballkanikë, kjo sepse qëndrimi i tyre mbi çështjen e emrit është i papranueshëm. Le pastaj që edhe në Shqipëri na qënkan ndezur gjakrat, shovinizmi dhe fryma nacionaliste (deklarata nga Beogradi). Tsiprasi që ngre masat në protestë, Tsiprasi që rrëzon sistemin, Tsiprasi që është bastun i sakatit, shpëtimtar i të dobëtit, na paska edhe ide të qarta mbi popujt (rracat) në gadishullin e turbullt të Ballkanit.

Mbase diçka po filloj të kuptoj se çfarë kam nuhatur dhe që nuk shkon.
Po nëse, dhe them nëse, djaloshi i majtë dështon?! Unë nuk ia uroj as atij e as popullit grek, por gjasat janë që të dështojë, qoftë edhe për arsye të një presioni nderkombëtar, të një bllokade, të një konspiracioni apo ku di unë se çfarë tjetër. Perëndimi, kapitalizmi në majat e tij, me një nga këto marifete, për të mos thënë me të gjitha bashkë rrëzoi një perandori si ajo e Bashkimit Sovjetik, e ç’e ka Greqinë e vogël?! Pra nëse Tsiprasi dështon, edhe nëse për faj të tjetër kujt, a mos vallë duhet t’i druhemi rritjes së krahut të kundërt?! A mos vallë Agimi i Artë nga 17 deputetë që ka sot, pas rënies së Sirizës fiton 50-60 a më shumë deputetë?! Kot nuk gëzohet Le Peni në Francë diç’ ka nuhatur dhe ajo!

Tsiprasi, që sheh shovinizëm në Shqipëri dhe Maqedoni dhe këtë e sheh nga Beogradi pa i hedhur asnjë vështrim kritik vendit të tij (dhe partisë neonaziste që ka në parlament) dhe aq më pak vendit nga i cili lëshon deklaratën (i njohur për genocidet e viteve ’90), a është vërtëtë i majtë apo është thjeshtë një figurë e mistifikuar nga dëshira e popullit grek por edhe i popujve të tjerë ballkanikë për të patur vërtetë një lider të vegjëlisë.
Nuk jam as çmim Nobël për ekonominë e as politolog me doktoraturë, historian jo e jo, por i majtë jam dhe jam natyrshëm, pa asnjë sforcim. Siriza nuk më entuziazmon. Këtë skepticizëm e ndaj edhe me shokë të tjerë. Mbase skepticizmi na bën të majtë të shekullit të ri, por në një mënyrë apo në një tjetër fitorja e Sirizës nuk na entuziazmon. Koha le të na përgënjeshtrojë.

Tanks

 

Ngritja e përballueshme e SIRIZËS