Një arsye më shumë për ta shporrur

Pikërisht kjo e fundit po ilustrohet si shumë shpesh këto kohët e fundit: 1997, 1998, 2000 (kujtoni sulmin e armatosur kundër Komisariatit të Tropojës, atëherë Kryeministër ka qënë Ilir Meta, ai që urdhëroi burgosjen e Sali Berishës), 2011. Kjo luftë për mbajtjen e pushtetit po kthehet në diçka jetike, madje po vazhdoi kështu mund të hyjë fare lehtë në teoritë e institucioneve si një nga mjetet demokratike të konservimit të pushtetit!

Shumëkush mund të mendojë se në këto rreshta ka lajthitje. Në fakt jo. Nëse pranohet se një ministër i ndjekur dhe i dyshuar për dy vepra penale (një me natyre ekonomike, tjetra për vrasje…) mund të kandidojë qetësisht për Kryetar të Bashkisë së Kryeqytetit dhe nëse mendojmë se ky kandidat deklaron se do të rishikojmë mundësinë e ndërtimit të Parlamentit diku tjetër (në këtë rast, ose mashtron popullin, ose tallet me të sepse kështu e ka shumë të vështirë të justifikojë fondet e harxhuara për bërjen e konkursit ndërkombëtar) pa patur asnjë pasojë në rrafshin publik, nëse pranohet se 4 të vrarët e 21 janarit ishin horra, atëherë në mënyrë shumë legjitime mund të mendojmë se çdo veprim tjetër do të justifikohet shumë kollaj, mjafton që të shoqërohet me kundërakuza dhe me ca mitingje mbështetjeje dhe gjithçka për hir të një stabiliteti të rremë.

 

Me sa duket çdo gjë, çdo veprim arbitrar shkon drejt faljes absolute, harresës abisale në emër të një parimi që nuk e identifikojmë dot. Tashmë ndoshta është e kotë të merremi dhe të gërrmojmë në mendjen e atyre që nuk i pranojnë faktet të cilat verbojnë këdo që është i pajisur me pak gjykim të drejtë, është mëse e kotë të merremi me intelektualët që bëjnë sikur nuk kuptojnë situatën dhe struken nën sqetullën e ngrohtë të Kryeministrit duke u bërë kështu varrmihësit e demokracisë ende të paformuar mirë.

Por ama duhet të kuptojmë se kjo sjellje dhe mbështetja që tregohet ndaj saj krijon një precedent të rrezikshëm. Krijon përshtypjen se pushteti kur te jepet, duhet t’a mbash, me çdo kusht. Nuk ka as votë, as protestë asgjë në këtë botë që mund të t’a marrë. Nëse sovrani u shpreh njëherë, boll më, nuk ka pse shprehet prapë. Në fund të fundit, edhe po u shpreh, do e ndihmojmë ne t’a orientojmë drejt votës që siguron stabilitetin. Me pak fjalë, asgjë nuk na siguron se nesër një forcë tjetër politike nuk do të mbajë të njëjtin qëndrim. Në fund të fundit , precedenti është krijuar dhe qenka shumë i efektshëm.

Ja përse është vendimtare të largojmë këtë kastë udhëheqësish të marrë fund nga çdo pikëpamje. Sepse nëse nuk e largojmë dot, do të vuajmë trillet e Kryeministrit, por do të vuajmë edhe më shumë në të ardhmen trillet e ndonjë nxënësi të tij që po studjon çfarë po ndodh sot dhe po kënaqet duke i thënë vetes se edhe sikur kasaphanë ta bëjë atë shesh para Kryeministrisë, ai do të mbetet në pushtet sepse ka një mision hyjnor që duhet ta përmbushë, atë të ruajtjes së stabilitetit. Këtu dua të kujtoj Cërçillin, menjëherë pas nënshkrimit të paqes së rreme të lidhur mes Gjermanisë naziste dhe Kryeministrit anglez të asaj kohe, Cambërlain: “Kërkuat paqen, do të keni lotë dhe gjak”. Populli nuk duhet të gënjehet nga stabiliteti dhe trumpetuesit e tij dinakë ose frikacakë. Populli duhet t’i druhet hijes që qëndron pas tij, hije që mbuloi Bulevardin më 21 janar…
                                                                                                                                                 Stavri

Një arsye më shumë për ta shporrur