Një artikull që i shan të gjithë

mural

  • U dhunua një protestuese nga një efektiv policie. Dhunë ndaj një femre, abuzim me pushtetin që të jep uniforma. Harbutëri!
  • Polici lirohet nga detyra. Drejtësi morale, padrejtësi ligjore!
  • U prishën disa herë rrethimet e bashkisë për ndërtimin e këndit të lojrave. Asnjë fletë gjobe deri tani nga ana e bashkisë.
  • Fëmijët nuk do të kenë kurrë një kënd lojrash publik, pra falas, pra për të gjithë. Kjo, edhe falë partizanëve të gjësë publike. Nuk është kontradiktore. Është mjerim shoqëror.
  • Shoqëria Civile është bërë si parja e kuqe. Të njëjtat fytyra që protestojnë për çështjen Fullani, protestojnë edhe për çdo gjë tjetër të imagjinueshme. Fatkeqësi!
  • Protestuesit, pasi protestën e zaptoi PëDëja, menduan të rrahin e të fyejnë një qytetar që ishte (edhe ai) kundër këndit të lojrave por ama edhe kundër vandalizmit. Protestë tallava.
  • Një pjesë e mirë e Shoqërisë Civile, aka Parja e Kuqe, është pro krijimit të një këndi për fëmijë, te parku i liqenit, por heziton të bëhet aktive duke preferuar të mbetet thjeshtë Shoqëri. Kjo nga frika se mos të kthyerit në aktive do ta bënte këtë pjesë të Shoqërisë të etiketohej si antimitingashe. Impotencë!
  • Mediat, mediat janë media. Për të vënë duart në kokë nga tmerri. Por zëri i ulërimës që meriton ky realitet, meket pa dalë nga goja. Humnerë!

PËRMBLEDHJE.

Duke protestuar për çdo gjë, edhe për çështje që nuk është plotësisht e qartë se çfarë pasojash  i sjellin të përbashkëtës, publikes, rrezikohet që t’i bëhet një dëm kapital shoqërisë civile. Kur ajo të duhet vërtetë në krye të një proteste, do të ketë më pak zë dhe akoma më pak besueshmëri.

Pastaj ka edhe një problem i cili nuk përbën një rrezik vetëm për të ardhmen sepse është një plagë e së tashmes. Sipas aktivistëve të sotshëm, të gjithë janë të këqij. Madje edhe ata vetë nuk janë më mirë. Në këtë pikë alternativat janë dy. Ose anarkia, por askush nuk beson tek kjo alternativë duke i lënë asaj thjeshtë një rol hipotetik në letër. Ose status-quoja, që dmth pranimi i gjendjes aktuale, i figurave aktuale, i shoqërisë civile aktuale, i mediave aktuale. Pra në fund të fundit, nëse nuk mund të bëhet një diferencim, atëhere i bie që janë të gjithë të mirë.

Për ta bërë edhe më të qartë: qëllimi i vërtetë i këtij artikullit është të tregojë që në fakt të gjithë janë të mirë. Në radhë të parë këta të gjallët, Berisha, Rama, Meta, Basha etj. por edhe ata të botës tjetër, Hoxha, Zogu, Esat Pasha e deri te Hamzai me Skënderbeun. Të gjithë të mirë. Pa përjashtim.

Tanks

Një artikull që i shan të gjithë