Pallati 177

19756025_10154815275046676_1909446413_n

Nëse do të donim të jepnim një panoramë të mirë të mënyrës sesi është trajtuar prona në Shqipëri, në mënyrë të veçantë, në zonat urbane, mjafton t’i hedhim një vështrim ndodhive të fundit në lidhje me zhvillimin e pronës pranë godinës së Policisë Bashkiake në Tiranë.

Problemi i pronave në Shqipëri nuk ka ardhur vetëm prej periudhës së gjatë të ngrirjes së të drejtës mbi të, për më shumë se 45 vjet. Është e vërtetë se e drejta e pronës, ashtu siç ishte para çlirimit, mbeti vetëm në letër, e arkivuar dhe e paushtruar, ndërkohë që, nga ana tjetër, shteti socialist, zhvilloi territorin sipas vizionit të tij, të diktuar nga nevoja e një zhvillimi ekonomik të centralizuar. Pas vitit 1990, e drejta e pronës u njoh përfundimisht në Shqipëri dhe kjo, në vend që të çlironte energji pozitive, bashkëpunuese mes shtetit dhe subjekteve privatë, krijoi amullinë më të madhe, ende sot të paftilluar.

Aty ku prona private duhej kthyer ose kompensuar, një gjë e tillë është bërë pa plan, pa projekt për qytetet, gjë që ka krijuar parcelizimin anarkik të qyteteve tona, kryesisht Tiranën. Mirëpo, aty ku prona private nuk duhej kthyer (ose mund të kishte dyshime në lidhje me vërtetësinë e të drejtës), disa vendime gjyqësore (ose të ish Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës), nxitur me siguri dhe nga ndjenjë e përfitmit personal të paligjshëm, kanë kthyer këto prona, të cilat në mënyrë legjitime, i takonin shtetit, pra interesit publik.

Nëpër gjykatat e Shqipërisë kanë ndodhur çudira plot, një prej të cilave është dhe kthimi i pronave të shpronësuara nga italianët gjatë pushtimit fashist, në mënyrë të rregullt dhe me kompensim të dhënë. Mund të supozohet madje edhe se shumë dokumente arkivorë që vërtetojnë një gjë të tillë, mund të jenë zhdukur nga arkiva, pikërisht për të vërtetuar se aty nuk ka ndodhur asnjë shpronësim.

Rasti i territorit në fjalë mund të jetë dhe ky. Them se mund të jetë, sepse prova nuk ka. Fatkeqësisht, në Shqipëri, problemet me karakter publik lihen të pandjekura dhe në mëshirë të fatit, në një formë diametralisht të kundërt me kujdesin dhe përpikmërinë e ndjekjes se kësaj çështjeje, nëse në lojë do të ishin dy interesa tërësisht privatë. Nëse një hetim i pavarur nga ndonjë media ose organ që i digjet zemra për pronën publike do të ishte bërë në lidhje me çështjen më sipër, me siguri që nuk do të ishte gjetur gjë, por do të ishin rritur dyshimet. Për shembull, një tregues i kësaj situate të dyshimtë është dhe fakti se si ka mundësi, që ajo pronë, sa për të kënaqur një shumësi oreksesh investitorësh nuk është zhvilluar tërë këto kohë? Mendoj se përgjigja qendron pikërisht te fakti se ajo pronë ka qenë me probleme, derisa iu gjet ana problemeve dhe më në fund iu dha edhe zgjidhje…

Por kjo çështje tashmë është e arkivuar, sepse ajo pronë është e njohur dhe e kthyer. Në këto kushte, ajo do të zhvillohet, sepse logjikë tjetër s’kishte dhe s’ka. Në këto kushte, qeveria e Sali Berishës, pasi miratoi planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, e përcaktoi atë zonë si një zonë për t’u zhvilluar. Rrjedhimisht, dhënia e lejes së ndërtimit, edhe pse nuk është një formalitet, është rrjedhojë logjike e këtij plani të miratuar.

Lulzim Basha, në prag të zgjedhjeve vendore të 2015, i shtyrë nga motive që nuk i dimë, pikërisht në atë territor inauguroi n

Shumë veta bëjnë pyetjen se përse kryetari aktual i Bashkisë nuk merr masa dhe ta shpronësojë atë pronë dhe ta kthejë (ose ta lërë, sipas bindjeve…) në lulishte. Duhet ta kemi të qartë se, në radhë të parë kryetari i Bashkisë nuk ka detyrim ligjor, sepse siç e thamë dhe më sipër, ai territor është pronë private. Mirëpo nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë ka detyrime të tjera dhe kryesori është rikonceptimi i marrëdhënieve me pronarin dhe investitorin: kryetari i Bashkisë duhet ta bëjë të qartë se zhvillim urban kuturu nuk do të ketë më në Tiranë dhe se çdo sipërmarrje me përfitim të padiskutushëm ekonomik duhet të kuptojë detyrimin që ka ndaj shoqërisë, sepse nëpërmjet pasurisë së kësaj shoqërie, ajo krijon pasurinë e vet. Me aq sa kemi dëgjuar nga angazhimet e kryetarit aktual të Bashkisë, këto korniza janë vendosur prej tij, madje dhe më shumë, duke premtuar dhe kthimin e një pjese të territorit të ish Uzinës Enver (Policia Bashkiake) në lulishte. Koha do e tregojë premtimin e mbajtur.

Koha do të shërbejë, shpresojmë, dhe në caktimin e përgjegjësive për funksionarët e lartë shtetërorë dhe politikanët: është pikërisht mungesa e përgjegjësisë që po u jep mundësinë atyre të livadhisin lart e poshtë, të flasin si njerëz që përgjegjësinë e kanë çuar me pushime dhe të na marrin për budallenj në mënyrë të paturpshme. Por sa të ndizen motorët e reformës në drejtësi, ata do të jenë akoma nëpër kantiere, sheshe dhe zyra konferencash për të na plasur në fytyrë dokumentet që kanë firmosur vetë si çmendurira të pasardhësve të tyre (?!). Sa të vijojë kjo situatë, do të kemi dhe protesta të çiltra dhe që reflektojnë një shqetësim të vërtetë, por që, të përziera me falsitetin e protestës së tyre, do të mbeten të njollosura dhe herë herë qesharake. Do të ishte mirë që të kuptojmë si kemi mbërritur deri këtu, pastaj të mbajmë një qendrim: me dëshirë mund të bëjmë revolucion, por me arsye mund të shkojmë përtej.

Stavri

 

Pallati 177