Paternalistët e politikës shqiptare

 

paternalizmi

Pas ngjarjeve të djeshme në Prishtinë është shumë e vështirë të kuptosh, nga brenda Republikës së Shqipërisë, se përse situata u përshkallëzua aq shumë. Asnjë analist, asnjë analisto-politikan, madje as edhe një deputet i ardhur në pushtet me kujtimin e rëndë të 21 Janarit, nuk përpiqet të analizojë qoftë dhe në mënyrë sipërfaqësore situatën atje.

Përjashto vetëm njërën, një analizë të cekët, e vetmja analizë që po del gjithmonë e më në pah, ajo me ngjyrime paternaliste: mos bëni kështu se nuk është mirë. Shumica e atyre që formulojnë këto kritika e kanë të vështirë të pranojnë se ka masa të gjera në popull që tashmë kanë mësuar të ecin vetë.

Këto lloj kritikash u drejtuan ndaj sjelljes së Albin Kurtit, pse do të vijë në pushtet, pse i drejton turmat drejt përleshjes, a thua se tërë ai popull i mbledhur këto ditë në Prishtinë janë dele dhe i binden urdhrave vetëm të një personi. Sado “politikan më i mirë i shqiptarisë” të jetë, kështu e ka përkufizuar Edi Rama kryetarin e Vetëvendosjes, e ka të pamundur t’u fusë mikroçipë në tru çdo pjesëtari në protestë dhe t’u japë urdhra nga lart. Nuk funksionon kështu. Dhe Ben Blushi, deputet i PS-së, i ardhur në pushtet me kujtimin e rëndë të 21 Janarit, duhet ta kuptojë se askush në atë protestë nuk do të qendronte aq gjatë duke protestuar, në të ftohtë, përballë këmbënguljes policore nëse nuk do e ndjente përbrenda kauzën për të cilën u bë protesta.

Mirëpo ne jemi vite dritë larg nga kuptimi i aktit politik. E kuptojmë atë si një akt të drejtuar nga lart dhe si ekzekutim që duhet të jetë perfekt poshtë. E kuptojmë atë akt politik si fitimtar dhe të suksesshëm kur i lind atij që drejton nga lart dhe si dështim, kur nuk ezkekutohet mirë nga poshtë. Në thelb, me këtë mendësi, justifikohet gjithçka: mbyllja e turpshme e dosjes të mëdha të korrupsionit të qeverisë Berisha, dënimi qesharak i ekzekutorëve të 21 Janarit dhe ofrimi i zyrave falas nga shteti shqiptar për ish Presidentët e Republikës së Shqipërisë, përfshi Kryeministrin e 21 Janarit. Gjithçka ka ndodhur në shtresat e sipërme të atmosferës nuk dënohet, mbyllet, i lihet historisë të gjykojë. Kjo është një dhunë që nuk të lë vraga në fytyrë, por të bën me plagë të rënda në jetë. Ndërkohë që gjithçka që ndodh poshtë është e tmerrshme, e turpshme dhe pasojë e veprimeve të pamatura të disa deleve që u binden urdhrave të shefave të tyre. Kjo nuk është ide politike. Kjo është dembelizëm, gjykim i pordhët, një lloj dhune që legjitimon mbijetesën e sëmundjeve që kanë kapur shoqëritë tona.

Atëherë, cila nga këto dhunë duhet zgjedhur? Ben Blushi, deputet i PS-së i ardhur në pushtet me kujtimin e rëndë të 21 Janarit, e pranon se formë dhune është edhe ai akt që vjen nga “politikanë që abuzojnë, mashtrojnë, nuk i dorëzohen dhe nuk mbajnë premtimet dhe bëjnë aleanca të pamundura”. Por gabohet kur e asimilon këtë lloj dhune me gurat mbi policinë e Kosovës. Askush nuk do të hedhë gurë mbi policinë e shtetit të vet. Nga tranzicioni në Shqipëri, gjithmonë rimëkëmbja e policisë është parë si shenja e parë dhe e pazëvendësueshme e rivendosjes së rendit, e ekzistencës së shtetit. Askush nuk e dëshiron dhunën e ushtruar ndaj shtetit, t cilin ende e presim, por që nuk po duket ende. Sepse dhuna që vjen prej defiçitit demokratik, përçudnimit të vazhdueshëm të shqiptarit, pozitës së tij në raport me pushtetin dhe në raport me fqinjtë dhe varfëria që thellohet dhe që ndihet në mënyrë të veçantë në Kosovë, krijojnë situata dhune, si ajo e djeshme. Sepse dhuna që ushtrohet mbi shqiptarin, si subjekt njerëzor dhe politik, aq e padukshme sa e edhe e kudondodhur, është e egër dhe tashmë e patolerueshme. Të rinjtë dhe protestuesit nuk janë në betejë me shtetin, siç thotë Ben Blushi, por me pushtetin. E kanë patur në Shqipëri, tashmë e kanë në Kosovë. Dhe kjo betejë i shkon për shtat shpirtrave të lirë, qoftë dhe me gurë në dorë.

Paternalistët e politikës shqiptare