Për vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë


Nga leximi që i bëhet dispozitave të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Civile, si dhe Ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë”, del qartë se Vendimet e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore, janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe për t’u marrë në konsideratë nga gjykatat e tjera më të ulta gjatë shqyrtimit të ceshtjeve të ngjashme (Vendimet e Gjykatës Kushtetuese Nr.38, datë 5.7.2012 dhe Nr.6, datë 17.02.2012).

Aktualisht sistemi i drejtësisë shqiptare çalon në shumë aspekte, gjë e cila është evidentuar si nga autoritetet mbikëqyrëse të brendshme (KLD, Ministria e Drejtësie) ashtu edhe nga organe apo institucionet ndërkombëtare, sidomos ato evropiane (p.sh. konstatimet e bëra nga Komisioni Evropian në Progres Raportin për Shqipërinë  datë 10.10. 2012) të cilat asistojnë organet e drejtësisë në procesin e reformimit të tyre. Pasojat e kësaj ecurie jo të mirë të sistemit gjyqësor shqiptar kanë impakt të gjithanshëm në shoqëri si nga ana sociale ashtu edhe ajo ekonomike. Në lidhje me këtë të fundit, është vërejtur dhe konstatuar nga organizma të ndryshëm si: Banka Botërore, FMN, INSTAT etj., se shume investitorë vendas apo te huaj ngurrojnë të investojnë në Shqipëri apo të zgjerojnë investimet e tyre aktuale për shkak të pasigurisë juridike në fusha të tilla si: e drejta e pronës, e drejta tregtare, pronësia intelektuale, marrëdhëniet e punës, e drejta administrative etj.

Në gamen e gjerë të shembujve dhe të rasteve mund të evidentohen rastet kur nëpunësit e administratës tatimore i bëjnë një interpretim të ndryshëm dhe jo korrekt ligjeve materiale dhe procedurale të fushës fiskale. I njëjti interpretim që pasohet edhe nga vendime të cenueshme për bizneset dhe individët, bëhet edhe nga gjykatat që shqyrtojnë ankimet kundër akteve të administratës në lidhje me këtë çështje. Për të shmangur interpretimet, dhe zbatimet jo korrekte dhe krejt të ndryshme të një ligji të caktuar si dhe për të shmangur dhënien e vendimeve të ndryshme nga gjyqtarë të ndryshëm për çështje shumë të ngjashme, do të ishte mëse e dobishme që Gjykata e Lartë nëpërmjet Kolegjeve të Bashkuara të saj të ishte më aktive në nxjerrjen e vendimeve unifikuese për unifikimin e praktikës gjyqësore.

Ashtu si u prek edhe më lartë, një vendimi të Kolegjeve të Bashkuara i referohen shumë shpesh të gjithë juristët nëpër debatet e tyre profesionale, edhe pse disa prej juristëve mund të kenë mendime të ndryshme nga gjyqtarët që kanë votuar pro. Gjithsesi këto vendime vlerësohen maksimalisht prej juristëve profesionistë, kudo që ata janë të angazhuar, si në fushën private, apo administratën publike, pasi përveç fuqisë që u jep Kushtetuta dhe ligji këtyre vendimeve, ata janë marrë pas një analize të gjyqtarëve me profil shumë të mirë profesional përfshirë edhe atë akademik.

Referenca në një Vendim Unifikues do t’i mbyllte shtigjet shumë abuzimeve dhe do të kishte një ndikim të madh në uljen e rasteve të dhënies së vendimeve të gabuara apo të dyshimta, pse jo edhe korrupsionit jo vetëm në sistemin e drejtësisë por edhe në fusha të tjera ligjzbatuese.

Mora shkas për të bere këtë shkrim pasi në kundërshtim nga etja dhe uria që ka sistemi i drejtësisë shqiptare për të tilla vendime gjykatash që japin drejtësi, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur vetëm dy herë gjatë vitit 2012 për të marrë në shqyrtim çështje që do ti shërbenin unifikimit të praktikës gjyqësore. Vetëm në muajin Korrik në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë është publikuar Vendim i parë Unifikues për vitin 2012 i cili ka lidhje me llogaritjen e afateve të depozitimit të ankimeve dhe rekurseve. Ndërsa Vendimi i dyte Unifikues megjithëse është marrë në muajin Tetor 2012 është publikuar në Muajin Shkurt të këtij viti. Të bën përshtypje neglizhenca e administratës se kësaj gjykate për publikimin e këtyre Vendimeve kaq të rëndësishme, duke pasur parasysh diferencën kohore nga data e marrjes së vendimeve në datën e publikimit të tyre. Gjithsesi, mendoj se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara dhe marrja e Vendimeve Unifikuese vetëm dy herë gjatë një viti është shumë pak.

Në kuadër të reformave për përmbushjen e kritereve të caktuara nga BE për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat, të ndërmarra në fushën e drejtësisë nga Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, në të cilën janë përfshire edhe ndryshimet në ligjin Për Gjykatën e Lartë, do të ishte e dobishme që të përfshihej edhe një rregullim më i qartë për frekuencën e marrjes së Vendimeve Unifikuese nga Kolegjet e Bashkuara dhe publikimit te tyre. Problematika e shumtë e hasur në sistemin gjyqësor dhe nevoja për këto vendime e diktojnë përfshirjen në ligj të një dispozite për rregullimin dhe saktësimin e kësaj çështje.

MALO

Për vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>