Përpara se të ngremë Flamurin në dritare

perpara
Ne shqiptarët kemi pasur gjithmonë një bindje që na gudulis krenarinë. Bindjen se prej shekujsh, dielli del për të nxjerrë në pah bukurinë dhe fisnikërinë e tokës së shqiponjave. Veçse, këto vitet e fundit, kemi filluar të dyshojmë, kemi filluar të mendojmë se edhe dielli kur del ka si qëllim të na turpërojë, e të na tregojë me dritë dite se sa e shëmtuar po na duket Shqipëria sot. Deri në këtë vit të 100 të Pavarësisë, dyshimi po na kthehet ne konstatim. Duke uruar që konstatimi s’do të kthehet në bindje negative, do të ishte mirë që vetë ne të fillojmë të ndërtojmë një shoqëri dhe një shtet me të cilin të krenohemi pa as më të voglin dyshim.
Unë nuk jam historian dhe pikërisht për këtë arsye dua të reflektoj pak, fare pak, për të arritur në një përfundim të pranueshëm mbi atë çka përfaqëson për mua ky 100 vjetor. Reflektim që duhet ta bëjmë të gjithë duke shtruar disa pyetje përpara se të ngrejmë flamurin në dritare. Popujt dallohen nga njëri tjetri prej gjuhës dhe jo prej fesë. As prej formës së qeverisjes dhe as prej njerëzve që vetë popujt zgjedhin për t’u qeverisur. Një popull mund të ketë disa fe. Një popull mund të jetë i shpërndarë në disa shtete. Por një popull flet një gjuhë dhe dialektet janë pasuria e saj.

1- A jam shqiptar unë që po shkruaj këto rreshta?
“Se zoti vetë e tha me gojë që kombet shuhen përmbi dhe…” Këto vargje gati profetike të Himnit kombëtar më bëjnë të mendoj se fakti që unë flas shqip sot, që unë i flas vëllait tim e nënës time me këtë gjuhë që na dallon prej të tjerëve ashtu siç na bashkon mes nesh, pra këto vargje më japin një ide se e gjitha kjo mund të mos ishte e mundur. Se kombet shuhen përmbi dhe. Nëse ky komb nuk është shuar, është edhe sepse u shpall i pavarur atëherë kur mund të ishte aneksuar nga shtetet fqinje.

2- Cila është ajo figurë e padiskutueshme historike që ngriti lartë simbolin kombëtar dhe bëri të mundur që ne sot ti themi njëri tjetrit një fjalë shqip “Gëzuar”?
Ismail Qemali, por të mos harrojmë edhe Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinen, Hasim Vokshin, Selam Musain, Naimin, Samiun, Abdyl Frashërin, Papa Kristo Negovanin, Naum Veqilharxhin, Azemin dhe Shoten, Bajram Currin, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën, Ded Gjo Lulin, Pashko Vasën, Petro Nini Luarasin… e plot të tjerë. Sot, 100 vjet më vonë, ndër monumentet që po ngrihen në këtë përvjetor të Shqipërisë së pavarur është edhe ai i Mbretit Zog. Duke lënë mënjanë faktin që figura e Zogut i gjen të ndarë shqiptarët, pyetja që shtrohet është:

3- Kush është Ahmet Zogu?
Pa dashur të futem në labirintet e historisë, as asaj të historianëve dhe as asaj të politikanëve, di dhe nuk mohoj që në 1924-ën Shqipëria kishte vetëm 12 vjet që ishte shpallur e pavarur. Kërcënimi më i madh shtetit të ri i vinte nga Mbretëria serbo-kroato-sllovene në veri dhe nga Greqia në jug. Kur Ahmet Zogu u detyrua të largohej nga Shqipëria, ai nuk iku të strehohej në Zvicër as në Spanjë por në Serbi dhe po me ndihmën e fqinjit u rikthye në pushtet. Vetëm ky fakt më mjafton për të qenë të paktën dyshues dhe për të mos i dedikuar asnjë mendim më shumë, gjatë këtij përvjetori, këtij burri që po ngrihet monumental në bulevardin e Tiranës. Aty ku sot e kishte vendin vetëm Ismail Bej Vlora që qëllimisht lihet në harresë. Monumentin e Ismail Qemalit po e shkulin nga Historia (nga Muzeu Historik) për ta vendosur në një qosh të pa gjelbëruar sepse Qeveria e cila do të sillte Shakirën nuk kishte fonde për t’i dedikuar një monument të ri. Vetëm kaq vlen ky burrë për atë burracak që është Sali Berisha. Kush harron të shkuarën është i destinuar ta rijetojë atë. Dhe ne shqiptarët në mënyrë ciklike prodhojmë figura antikombëtare… Saliu dhe 500 gardistët e tij e kanë transformuar tashmë vendin në një hapësirë të begatë dhe të sigurt për të prodhuar pasuri. Veçse kjo parajsë vlen për pak njerëz me gjak blu… ose teser. Për të gjithë të tjerët: kaosi dhe ligji i xhunglës. Xhungël që po na çorodit të gjithëve edhe këtë 100 vjetor. Por gjërat janë më të thjeshta se kaq dhe çdokush prej nesh e ka te qartë në mendje e të pastër në zemër arsyen e një gjesti simbolik.

4- Përse duhet ta ngremë flamurin?
Në këtë rrëmujë të madhe ku kryeministri ka fjalën e fundit për gjithçka, për të porositur në Kinë flamuj prej lecke, për të injoruar Vlorën, për të ngritur flamurin, për ta ulur prapë, për ta zëvendësuar me mëndafsh të çmuar e për ta ngritur sërish. Për të kujtuar Wilsonin, dhe për të harruar Boletinin, për të madhështuar Zogun e për të neglizhuar Ismail Qemalin. Për të rivarrosur me ceremoni një mbret të dyshimtë dhe për të mos i gjetur dot as kockat një Kryeministri të Republikës që pat ngritur flamurin kuq e zi (Hasan Prishtina); e pra në këtë kaos paqësor unë dua të kujtoj dhe të mos harroj të shkuarën. Dua të shkoj në Vlorë. Dua të jem optimist se “Zoti vetë e tha me gojë që kombet shuhen përmbi dhè, por Shqipëria do të rrojë, për të për të luftojmë ne”.

Onufri

Përpara se të ngremë Flamurin në dritare