Përse duam t’u besojmë fake-news-eve

Fenomeni i thashethemeve ka ekzistuar që në kohën e Lashtësisë, por fenomeni “fake neës” ka lindur së fundmi me zhvillimin e rrjeteve sociale. Fjaloi britanik “Collins” e ka zgjedhur këtë togfjalësh si “fjalën e vitit 2017” dhe e ka përfshirë tashmë atë në fjalor. Ndoshta kemi hyrë në një periudhë ku e vërteta i përket të kaluarës dhe ku faktet ngatërrohen me gënjeshtrën. Përballë këtij rreziku, që shpesh vjen nga sferat më të larta të pushteteve, shkencëtarët përpiqen të luftojnë, të mbledhur në transhenë e tyre.

Kështu, kur Donald Trump iu referua fake-news-eve për të justifikuar daljen e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit për klimën, si përgjigje, doli në pah një lëvizje e quajtur “Ecjet e Shkencës”.

Me këtë rast, fizikani i CERN-it (organizata europiane për kërkimin bërthamor, me bazë ne Gjenevë) deklaroi se “konsiderojmë që shkenca i sjell të mira njerëzimit dhe që për pasojë, duhet të mbështetet. Duket sikur po thua diçka që s’ka nevojë të thuhet, por kjo ide nuk mbështetet më as nga një pjesë e popullsisë dhe as nga disa qeveri.”

A mundet shkenca të luftojë gënjeshtrat?

Shkenca mbështet mbi analizën e fakteve që mundësojnë përpunimin e teorive përgjithësuese dhe që bëjnë të mundur parashikime. Ajo nuk është e pagabueshme dhe as nuk preket nga sëmundja e përafërsisë, për më tepër që faktet burojnë nga eksperimente komplekse. Kështu, nëse një bar testohet nga disa studime, ai mund të rezultojë i efektshëm në nëntë prej tyre dhe të dështojë në të dhjetin, për shkak të një metodologjie të papërshtatshme ose thjesht për shkak të statistikës.

Nga pikëpamja statistikore, bari do të konsiderohet i efektshëm. Megjithatë, duke përzgjedhur vetëm studimin negativ, është e mundur që të bëjmë të besohet se bari është jo i efektshëm. Kërkuesit kanë mësuar të interpretojnë studimet duke i marrë në tërësinë e tyre. Përsëritja e një rezultati është kthyer në kriterin madhor të pohimit nëse nja fakt është i vërtetë ose jo.

Për më tepër, nëse shpiket një teori shkencore, kjo vjen si rezultat i të dhënave ekzistuese. Gjithsesi, të dhëna të reja mund të dalin në pah dhe të kundërshtojnë teorinë dhe rrjedhimisht, ajo braktiset. Shkenca mbështet mbi idenë e vënies në diskutim dhe të evolucionit të njohjes.

Sipas filozofit Karl Popper, një nga kriteret thelbësore të përkufizimit të shkencës nuk është e vërteta por rezistenca e saj ndaj fakteve të reja. Sipas këtij përkufizimi, teoria darviniane e evolucionit është më shkencore se gjeneza biblike, sepse i nënshtrohet kritikave të fakteve të reja.

Përkundrazi, feja nuk është shkencore sepse argumenti i Krijimit nga Perëndia nuk mund të gjejë ndonjë kontradiktë te faktet.

Përse fake-news-et u bëjnë ballë pohimeve racionale?

Hapi shkencor është më kompleks se mekanizmat që krijojnë fake-news-et. Është më e lehtë të përhapësh më shpejtësi në internet një informacion të rremë, sesa të mbledhësh me shumë durim fakte që lejojnë ndërtimin e një teorie të arsyetuar. Për më tepër, statistikat janë bërë pjesë thelbësore e hapit shkencor për të përcaktuar nëse faktet e dhëna i japin të drejtë teorisë ose jo. Mirëpo statistikat keqkuptohen nga një pjesë e madhe e popullsisë.

Psikiatrët interesohen këto kohët e fundit mbi mekanizmat e mendimit që bëjnë që një individ t’i rezistojë argumenteve racionalë. Sipas tyre, ekzistojnë disa shtrembërime kognitive që provokojnë një rezistencë psikike ndaj të dhënave shkencore. Një shtrembërim i tillë mbështetet mbi tendencën e individit që i jep më shumë peshë eksperiencave negative sesa atyre pozitive. Për shembull, efektet dytësore të një bari do të mbahen mend më mirë sesa përfitimet prej tij.

Fake-news-et përzgjedhin më shpesh informacionet që sjellin ujë në mullirin e tyre, duke injoruar kështu mospërputhjet ndërmjet studimeve shkencore. Kjo quhet shtrembërim i përzgjedhjes. Ky shtrembërim është gjithashtu i përafërt me shtrembërimin e konfirmimit, që konsiston në pranimin e atyre informacioneve që konfirmojnë besimet e caktuara dhe që injorojnë ose diskreditojnë ato që i kundërvihen këtyre besimeve.

Ekziston gjithashtu shtrembërimi i përfaqësimit, që është një mënyrë e shpejtë mendimi që konsiston në dhënien e një gjykimi duke u nisur nga disa elemente që nuk janë domosdoshmërisht përfaqësues: individi tenton të përdorë informacionin si një referencë, sepse për të është elementi i parë i informacionit që ka përftuar në lidhje me një çështje të caktuar. Këto shtrembërime janë në kundërshtim me hapin shkencor që kërkon ripërsëritjen dhe vënien në diskutim të njohjeve të përftuara, që është një konstante e shkencës.

Cili do jetë misioni i shkencëtarëve?

Hapi shkencor është kompleks, në ndryshim nga fake-news-et që mbështeten në shtrembërime të arsyes, të pranishme te çdo individ. Shkenca është më kërkuese sesa një klikim i thjeshtë në internet. Në një botë ku informacioni është konstant, bëhet e vështirë të matet vërtetësia e çdo informacioni, rrjedhimisht do të na duhet të kemi besim të burimi i informacionit. Disa individë, që nuk duan të ndjekin sistemin mediatik aktual, privilegjojnë faqe informacionesh alternative.

Përballë këtyre mekanizmave, shkencëtarët duhet të marrin përsipër misionin e tyre. Ky mision është avancimi i dijeve por edhe përhapja e tyre në shoqëri. Në këtë kuptim, vulgarizimi i dijeve shkencore është një sfidë madhore në një shoqëri progresiste. Shkencëtarët nuk janë të pregatitur për këtë gjë, për të mos thënë që shpesh ata kanë një mendim të keq për vulgarizimin. Ndërkohë, vulgarizimi është i rëndësishëm për përhapjen e rezultateve shkencore jashtë komunitetit të kufizuar të kërkuesve të specializuar dhe për të ndriçuar debatin publik. Gazetarët nuk duhet të jenë të vetmit vulgarizues të dijeve, pavarësisht se ata zotërojnë mjetet e komunikimit. Vihet re së fundi se komunitetet e shkencëtarëve organizojnë seanca të formimit në komunikim, pikërisht për të bërë të mundur vulgarizimin e dijeve.

Kërkesa e popullsisë për informacion shkencor

Qeveritë po premtojnë ligje kundër fake-news-eve. Por a mundet që këto nisma të pajtojnë sërish qytetarin me informacionin zyrtar, apo do të ketë efektin e kundërt, krijimin e një lidhje edhe më të fortë me infomacionet alternative? Nuk duhen marrë vetëm iniciativa ligjvënëse për probleme specifike, por edhe të vijohet me punën e palodhur të edukimit popullor.

 

(Origjinali ne frengjisht http://www.slate.fr/story/156883/science-contre-fake-news-la-bataille-est-engagee)

(Karikatura marre nga https://www.toonpool.com/cartoons/Fake%20News…_291910)

Përse duam t’u besojmë fake-news-eve