Pesha reale e ONM-së në procesin e vetingut

Shkarkimi i Heral Saraçit nga funksioni Komisionerit Publik prej Komisionit të Posaçëm të Apelimit, organ ankimor i ngritur në kuadër të procesit të vetingut, tregon se operacioni ndërkombëtar i monitorimit do e ndjekë me shumë vëmendje veprimtarinë e të gjithë komisioneve të ngritura në kuadër të vlerësimit të figurës së magjsitratëve.

Arsyeja përse u shkarkua lidhet me disa shkelje disiplinore, të cilat ende nuk janë bërë publike, janë paksa të përgjithshme dhe të paqarta dhe kur ndodh kështu, ka gjasë që prapa tyre të fshihet arsyeja e vërtetë.

Për shkak të funksionit që duhet të ketë komisioneri publik, mundësitë janë që masa drastike e marrë kundër Heral Saraçit lidhet me dorëheqjen e Adriatik Llallës dhe pasojat që erdhën nga kjo dorëheqje.

Më datë 12 shkurt 2018, Adriatik Llalla, sipas ligjit, ka njoftuar Presidentin e Republikës për dorëheqjen nga e drejta e tij që i njeh ligji për t’u caktuar në pozicionin e magjistratit të Apelit. Me vendimin nr. 2 datë 16.2.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi, i cili ishte duke shqyrtuar dosjen e Adriatik Llallës sipas procedurës së rivlerësimit, vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar të Adriatik Llallës.

Vendimin e tij, Komisoni i Pavarur i Kualifikimit e bazoi në një dispozitë anekse të Kushtetutës në të cilën thuhet se: “Subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.” Ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (pra ligji i vetingut), sqaron më në detaje procedurën dhe afatin e dorëheqjes. Kështu, për sa i përket afatit, neni 56 i ligjit parashikon se subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Ligji i vetingut ka hyrë në fuqi më datë 23 shtator 2016, rrjedhimisht Adriatik Llalla kishte deri në fund dhjetori për të paraqitur dorëheqjen e tij nga funksioni, gjë që nuk e ka bërë. Në këto kushte, ai është tërësisht jashë çdo afati për të paraqitur dorëheqje. Megjithatë, në ndihmë të tij dhe të shumë prej magjistratëve në të njëjtin hall me Llallën, ka ardhur Gjykata Kushtetuese me një interpretim tërësisht të krijuar nga hiçi, sipas të cilit, për sa kohë rivlerësimi është duke u kryer dhe s’ka përfunduar, subjekti mund të japë dorëheqjen në çdo kohë dhe më pas, procesi i rivlerësimit ndërpritet.

Por dorëheqje nga çfarë ka dhënë Adriatik Llalla? Ai nuk ishte më Prokuror i Përgjithshëm kur dha dorëheqjen. Por Ligji i jepte atij mundësi të integronte menjëherë detyrën e magjistratit pranë Gjykatës së Apelit. A e bëri ai këtë gjë? Jo, sepse ai, po të lexojmë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka hequr dorë “nga e drejta që i njeh ligji për t’u caktur në një pozicion Apeli”. Parë në këndvështrimin e të drejtës së dorëheqjes nga funksioni, kjo nuk ka pikë kuptimi. Magjistrati heq dorë nga funksioni, jo nga një e drejtë që i rezervohet atij me ligj për të ardhmen. Me pak fjalë, ai duhej të kishte dhënë dorëheqjen kur ishte Prokuror i Përgjithshëm nga detyra e prokurorit të përgjithshëm, jo në një moment kur nuk ushtronte këtë funksion ose ndonjë funksion tjetër.

Këto dy pika nuk ishin shqyrtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për rastin e Adriatik Llallës. Sipas Kushtetutës dhe ligjit të vetingut, i takonte Komisionerit Publik (pra Heral Saraçit), që të ankimonte këtë vendim dhe kështu, të tregonte rolin efektiv të Komisionerit Publik në procesin e vetingut. Roli i Komisionerit Publik, në kuadër të vetingut, është i ngjashëm me rolin e një prokurori (të vërtetë) të Republikës, që mbron interesin e shtetit (ose publikut) kundër një vendimi që potencialisht shkel interesat e tij. Në rastin konkret, pranimi i dorëheqjes së Adriatik Llallës, mund të përbënte një shkelje të interesit të publikut (kryerja e vetingut për Adriatik Llallën), akoma më tepër kur vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përmbante këto interpretime të gabuara të ligjit.

Nuk e dimë nëse roli i ONM-së në rastin konkret, kishte lidhje me këtë çështje por fakt është se, në zbatim të nenit 17 të ligjit të vetingut, ajo ushtroi të drejtën e kërkesës për fillimin e hetimit disiplinor kundër Komisionerit Publik. A ka lidhje ky hetim disiplinor me rastin në fjalë? Nuk e themi dot hapur, sepse së pari, vendimi i Kolegjit të Apelimit që pranoi kërkesën ende nuk është publikuar dhe së dyti, nuk e dimë se ku qendrojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Koinçidenca mes dy ngjarjeve është e madhe për të qenë thjesht e tillë. Interpretimi më i saktë do të ishte që vëzhguesi ndërkombëtar është duke luajtur rolin e xhandarit, atë rol që i ka dhënë Kushtetuta dhe që ndoshta duhej ta kishte më të plotë. Por përfundimi më i saktë do të ishte se, tashmë lufta është zhvendosur brenda institucioneve të vetingut dhe ndoshta do të kërkohet një pastrim i pastruesve përpara se të pastrohen magjistratët. ONM-ja është duke punuar në këtë drejtim.

Stavri

(Karikatura marrë nga “Follow Business Albania”)

Pesha reale e ONM-së në procesin e vetingut