Pishina e Shkodrës për notarin Berisha

 E kemi thënë dhe do të vazhdojmë ta përsërisim. Nëpër media skandalet e qeverisë publikohen me një shpeshtësi marramendëse. Të paktën një në muaj. Skandale të cilat në vendet demokratike futen në kategoritë “qeveria jep dorëheqjen” ose për rastet më të lehta “qeveria kërkon ndjesë publikisht”. Shqip quhen gjëma. Me një përllogaritje të thjeshtë janë 12 në vit, 48 në mandatin e parë plus 7 në muajt e fundit, bëhen plot 55. Pa u mbyllur mirë plaga e njërës gjëmë hapet tjetra dhe kështu trupi i këtij populli sot është plot shenja, disa të hapura e disa të mbyllura prej kohës, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët, të gjitha janë të HARRUARA edhe ato më të freskëtat…

Mund të kthehemi edhe më larg në kohë, tek qeveritë socialiste apo qeveria e parë demokratike dhe fenomeni është po i njejti. Tragjedi – Mosndëshkim – Harresë. Trinom i cili ka njëzet vjet që bën historinë e Shqipërisë demokratike, na bën të na dridhen gjunjët dhe të na qajë zemra për fatin e trishtë të vendit tonë. Përpara një fenomeni të tillë edhe antikomunisti më i ashpër, edhe një i përndjekur politik i cili ka përjetuar Gulaget e Enver Hoxhës, të paktën një herë i ka kthyer sytë pas në kohën kur qeveriste Partia dhe ka psherëtirë me nostalgji. Kjo është e rëndë shumë e rëndë për një popull i cili i ka ende të freskëta kujtimet e diktaturës më të egër në Evropë. Arsyeja është një dhe e vetme: Askush nuk ndëshkohet. Në Shqipëri nuk ka as përgjegjës dhe as fajtorë. Nuk do të rreshtim së kujtuari në mënyrë që të mos harrojmë e të mos bëhen të njëjtat gabime: Shqipëria u gjunjëzua ekonomikisht në 1997-ën, imazhi i saj ndërkombëtar u përdhos, mbi dymijë bija e bij të ketij kombi humbën jetën gjatë 5 muajve anarki dhe deri më sot nuk kemi asnjë përgjegjës. Askush nuk u ndëshkua nga ligji i cili vepron ngadalë por tek ne nuk vepron kurrë. Vjeshtë-Dimër 2005, sërisht ekonomia e vendit rrezikoi kolapsin si pasojë e territ energjitik; asnjë përgjegjës. Pardon: “përgjegjëse ishte natyra dhe thatësira e atij viti të mbrapshtë”, dhe ja ku jemi sot që e kemi fshirë nga kujtesa atë periudhë të vështirë. Gërdeci, njëzet e gjashtë viktima, qindra të plagosur; nuk ka përgjegjës. “Aksident” u quajt në deklaratën e kryeministrit rekordmen noti. Tuneli i Kalimashit ose gropa thithëse e financave të shtetit; asnjë përgjegjës, edhe kjo rastësi. Dhe së fundmi kjo që po përjetojmë, përmbytjen e Shkodrës dhe një pjese të mirë të vendit, të cilën kryeministri vrapoi ta quante pasojë të ngrohjes globale, pra; asnjë përgjegjës, asnjë ndëshkim. Doni të vemë një bast? Ministri i radhës, burokrati i radhës sërish do gabojë, sërish ne do të shohim spektakle gajasjeje nëpër mediat ndërkombëtare mbi vendin tonë dhe sërisht nuk do të ketë përgjegjës.

Nëse Berisha dhe ministrat e tij nuk janë përgjegjës për asnjë nga rastet e mësipërme apo edhe për shumë e shumë të tjerë që nuk i kemi përmendur, atëhere si mund të pretendojmë një Shqipëri pa korrupsion, pa abuzim, pa vuajtje mbarëpopullore. Nëse ligji nuk vepron më, ndëshkimin le ta japin ndërgjegjet tona në kutitë e votimit. Nëse edhe kjo na mohoet nga diktatura Putiniane e Berishës, atëhere ndëshkimin le ta japim ne, menjëherë pasi ta kemi kaluar këtë situatë të vështirë, të derdhemi në sheshe derisa kjo gjëndje njëzetvjeçare lëngimi të marrë fund. Ne jemi një popull i mësuar me vuajtje dhe si rrjedhojë me një fuqi të madhe shpirtërore. Edhe këtë herë do të dimë t’i bejmë ballë situatës së vështirë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Por këtë herë të mos HARROJME, këtë herë nga pësimi të nxjerrim mësim, këtë hërë dikush duhet të paguajë në mënyrë që të mos kemi një tragjedi tjetër, me një emër të ri dhe me fajtor gjithmonë të njëjtë: Indiferencën!

 

                                                                                                                                                                    Onufri

 

 

Pishina e Shkodrës për notarin Berisha