Pjellori e madhe intelektuale në çadër

Nga Dashamir Shehi pritej që të luante rolin e një zbutësi të qendrimeve të Bashës. Nga Dashamir Shehi pritej qe të kishte një qendrim më racional ndaj absurditeve të përrallisura me gisht përpjetë në çadër. Nga Dashamir Shehi priteshin këto qendrime nga ata që mendonin se babaxhanllëku është një aftësi e jashtëzakonshme politike për të zgjidhur konfliktet, zhvilluar ekonominë, për të integruar Shqipërinë në Evropë dhe për të krijuar një shtet serioz.
Nuk mund të thuash se Dashamir Shehi ka zhgënjyer ndokënd. Kush ka qenë i bindur se Dashamir Shehi është politikan i mirë, do të vazhdojë të mendojë se një si ai i duhet këtij vendi, do të vazhdojë të mendojë se propozimi i fundit i tij për krijimin çdo katër vjet të “Qeverisë së kujdesit zgjedhor” është ide aq brilante sa vetëm një dashamiri mund t’i shkonte në mendje.
Nga ana tjetër, kush mendon se Dashamir Shehi është një produkt i tranzicionit (për hir të së vërtetës, jo më i keqi), dhe si rrjedhim propozimet e tij pasqyrojnë zgjidhje tranzitore, të paqendrueshme, që qetësojnë gjakrat për momentin, por majisin problemet për të ardhmen, nuk habitet fare nga ky propozim i fundit. Si produkt i tranzicionit, është mëse e qartë se ai nuk e kupton sistemin demokratik te zgjedhjeve si një shtyllë bazike ku mbështetet shteti dhe jeta e çdo individi. Por, nëse ai realisht e kupton se ky propozim është një absurditet, atëherë, ai po luan politikisht me shtyllat mbi të cilat bazohet sistemi për të cilën të gjithë kemi rënë dakord.
Dashamir Shehi nuk është një epifenomen. Propozimi i tij do të ketë një jehonë të caktuar. Sepse produktet e tranzicionit në politikë janë ende të pranishëm, edhe pse në tranzit drejt largimit nga skena politike.

Pjellori e madhe intelektuale në çadër