Plotfuqia e të plotfuqishmit të lagjes

Pritëm më shumë se 7 muaj që më në fund të lindte konflikti i parë Qeveri-President. Meqënëse analizën politike dhe llafologjike të këtij konflikti ka kush e bën (pesë emisione politike të ndryshme, plus 5 televizione ekskluzivisht informative do të merren shumë mirë me këtë punë), ndoshta do të ishte pak më interesante të shikohej nga ana juridike (ndonëse pesçet e mrekullueshme që përmendëm do i futen edhe kësaj ane…).

Në Shqipëri çdo detaj i parëndësishëm bëhet shumë thelbësor. Edhe çështja e plotfuqisë nuk i shpëton këtij rregulli. Nga një mjet juridik pothuajse banal, që shpreh unitetin e Republikës në arënen ndërkombëtare, plotfuqia po kthehet në një mjet politik që nxjerr në pah çunitetin e Republikës. Atëherë kur duhej përdorur ky mjet juridik, u shmang politikisht për arsye që tashmë janë publike, tani që duhej të përdorej, nuk jepet, për arsye politike, duke treguar sa të gatshëm jemi për të mos gjetur gjuhën e përbashkët edhe për procese që nuk duhet të kenë lidhje me politikën e brendshme.

Nga leximi i qendrimit politik i Presidentit për të mos dhënë plotfuqinë, bie në sy meraku për të gjetur çdo argument juridik për të mos e dhënë atë: duke filluar nga objekti që s’është i saktë, nga grupi negociator që s’është plotësuar e kështu me radhë. Natyrisht, Presidenti i lidh marrëveshjet dhe plotfuqia është tagër e Presidentit që buron prej kësaj kompetence që i është dhënë nga Kushetuta. Presidenti, qoftë personalisht, qoftë nëpërmjet plotfuqisë duhet të jetë pjesëmarrës në marrëveshje ndërkombëtare, që nga çasti kur kemi të bëjmë me marrëveshje ku përfshihet shteti shqiptar (paragrafi 35 i Vendimit të Gjykatës Kushtetues të vitit 2010). Në këto kushte, ose Presidenti duhet të përfshihet vetë në negociata, duke ia bërë të ditur Këshillit të Ministrave qëllimin e tij, ose duhet të japë plotfuqinë.

Në rastin konkret, Presidenti ka vepruar politikisht në dy aspekte: së pari duke e bërë publike letrën dhe së dyti duke ngatërruar qëllimisht plotfuqinë me autorizimin për të hyrë në negociata, të kërkuara nga ministri i jashtëm.

Duke e bërë publike letrën, ai e largon çështjen nga shinat institucionale për ta futur në ato popullore. Silogjizmi aristotelian mund të funksionojë në këtë rast: një njeri politik vepron politikisht, Presidenti është politikan, pra Presidenti vepron politikisht. Në këtë rast, ka probleme të etikës institucionale që nuk zgjidhen dot juridikisht. Me siguri, Presidenti ka dashur të përfitojë nga amullia e krijuar mbi fshehtësinë e negociatave. Nëse është kështu, ai, më shumë se informim sjell keqinformim.

Duke ngatërruar autorizimin për të hyrë në negociata me dhënien e plotfuqisë, Presidenti ka sjellë edhe më shumë amulli në këtë çështje, sesa qartësi dhe transparencë. Këtu ka disa probleme të cilat me siguri pesçet formidable të përmendura më sipër do të kenë mundësi të shprehen: së pari çfarë është autorizimi për të hyrë në negociata? A gjen ndonjë bazë ligjore? Dhe a e zëvendëson kjo plotfuqinë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve kërkojnë një studim të thelluar nga ekspertët e fushës, por në parim, mund të thuhet se ky autorizim nuk e zëvendëson plotfuqinë. Atëherë përse është kërkuar një autorizim dhe jo instrumenti i plotfuqisë? Ministria e Jashtme e ka përsëritur disa herë se me Greqinë do të negociohen disa marrëveshje dhe jo vetëm ajo e detit dhe se, këto marrëveshje, edhe pse duhet të negociohen veçmas, do të bëhen brenda një kuadri gjithëpërfshirës të rregullimit të të gjitha çështjeve pezull që ka Shqipëria me Greqinë. Në këtë kuptim, është herët të kërkohet plotfuqia, kur ndërkohë qeveritë janë në një fazë të vendosjes së kuadrit të përgjithshëm të negociatave. Natyrisht, në një kohë të dytë, plotfuqia do të kërkohet për secilën prej marrëveshjeve që do të hyhet me Greqinë. (po të dojë, Presidenti mund të bëhet pjesë, s’ka pse e mënjanon veten, siç e deklaroi sot).

A është e vlefshme kjo si procedurë? Nuk ka përgjigje të sigurt për të. A ishte përgjigjja e Presidentit e duhura? Për momentin ajo ngjalli një debat publik që do të shuhet pas tri ditësh, kur analistët të gjejnë çështjen e radhës për të rrahur. Megjithatë, përgjigja e Presidentit ndoshta pati vetëm një meritë: të diskutohet juridikisht se çfarë duhet të përmbajë plotfuqia, natyrisht në momentin kur do të kërkohet. Këtu mund të dalë sërish nevoja e Gjykatës Kushtetuese. Por ky debat nuk i përket popullit. Popullit i përket e drejta të ndihet krenar për vendin e tij, brenda kufijve që i mbrojtur vetë dhe të cilët shteti duhej t’i japë sigurinë juridike se nuk do të preken. Për këtë, duhet të ketë edhe një fije besim te politikanët e tij, të cilët kur e patën rastin vite më parë, e shkelën këtë besim me të dyja këmbët. Shpresojmë të mos asistojmë këto momente në rifillimin e asaj shfaqjeje, që kësaj here duhet thënë, i ngjan më shumë një estrade.

Stavri

Plotfuqia e të plotfuqishmit të lagjes