Pranvera Arabe dhe Siria, mes revoltës dhe represionit

Në Jemen me largimin e presidentit Saleh, pas plagëve të marra gjatë një bombardimi nga rebelët, u duk sikur kthesa e madhe më në fund u shfaq. Por edhe atje çdo gjë mbetet në vend numëro dhe pa rrugëdalje.  Në Bahrein, trupat e fqinjëve sauditë pasi e shtypën revoltën, tashmë janë tërhequr dhe në pushtet vazhdon të qëndrojë i njëjti regjim.

I vetmi vend ku protestat janë të përditshme dhe situata mbetet e tensionuar është Siria. Presidenti aktual Assad e ka trashëguar pushtetin nga i ati i cili gjithashtu ka sunduar me grusht të hekurt dhe në fillim të viteve ’80 ka shtypur barbarisht protestat në Hammah (teatër përleshjesh edhe në ditët e sotme) duke shkaktuar qindra viktima. Pikërisht duke ndjekur gjurmët e të atit Assadi junior nuk ka as më të voglën mëdyshje kur vjen puna për të përgjakur sheshet e Sirisë. Masakra e fund korrikut në Hamah do të mbetet në kujtesën e historisë me mbi 200 të vrarë në turmën e protestuesve të paarmatosur. Liderët e vendeve perëndimore kërcënuan se nuk do të tolerohen më akte të tilla. Por përse realisht vonon ndërhyrja e ndërkombëtarëve ne Siri? Përse nuk ka një ndërhyrje të armatosur ashtu si edhe ne Libi?

Situata në Siri është disi më e komplikuar se ajo në Tripoli. Aksi i fuqishëm Siri-Iran, aleanca gjithnjë e më e ngushtë midis Damaskut dhe Ankarasë, por edhe mbështetja gati e pakufizuar e Rusisë, e bëjnë Sirinë të ketë një mburojë konsistente në arenen ndërkombëtare Një tjetër faktor që avantazhoi bombardimet e NATO-s në Libi ishte ndarja e popullsisë në disa fise me pushtet në krahinat përkatëse. Edhe struktura shoqerore siriane i ruan ndarjet në fise por vetem në zonat periferike të vendit. Popullsia është thuajse 80% sunnite (ka një minorancë të krishterë dhe alauite), protestat janë spontane dhe vijnë nga dëshpërimi i qytetarëve. Pra kemi një situatë ku nuk ka një front tokësor në brendësi të Sirisë por vetëm protesta masive nga popullsi civile. Në këto kushte bombardimet e Natos nuk do të sillnin asnjë rezultat. Por ajo çka më shumë i mban të tërhequr SHBA-në dhe Evropën është aksi me Iranin dhe afërsia territoriale me Izraelin. Një ndërhyrje e mundshme ajërore mund ti hapte rrugë një konflikti pretekstual me Izraelin nga Siria dhe Irani.

Një faktor tjetër i rëndësishëm që ka ndikuar në uljen e tensionit në Egjipt, Tunizi, Libi, Jemen e Bahrein duke zbehur revolucionet në shtetet arabe ka qënë ndikimi i Arabisë Saudite. Kjo e fundit prej kohësh në konflikt të deklaruar me Iranin për lidershipin në botën islamike nuk mund të lejojë rrëzimin e aleatëve të sajë. Me injektimin e sasive të fuqishme të parave në popullsitë e vendeve të prekura nga revoltat ose me ndërhyrje të drejtpërdrejta ushtarake (si rastin e Bahreinit), Rihadi ka arritur të zbehi disi lëvizjen e quajtur Pranvera Arabe. Ndërkohë që Damasku ka hedhur disa herë akuza drejt Arabisë Saudite duke e akuzuar për infiltrime dhe mbështetje të protestave ne Siri (Damasku prej kohësh ka marëdhënie të ftohta me Rihadin për shkak të aksit me Iranin).

Në këtë fazë të zhvillimeve nga njëra anë qëndrojnë forcat revolucionare dhe nga ana tjetër ato kundërrevolucionare të përfaqësuara nga Arabia Saudite. Muajt në vazhdim do të na tregojnë nëse Pranvera arabe do të triumfojë.

Onufri

 

Pranvera Arabe dhe Siria, mes revoltës dhe represionit