Presidenti moralist

bujar_nishani_2131325

Në intervistën e fundit dhënë gazetës “Shekulli”, Presidenti shpalosi më në fund në tërësinë e tyre, talentet politike të tij: morali mediokër dhe vartësia e plotë ndaj udhëheqësit natyral të opozitës. Kur e para vihet në shërbim të të dytës, Presidenti duket që është në habitatin e tij natyror. Kur Presidenti përzien këto dy ingredientë, duhet që të gjithë t’i lexojmë intervistat dhe deklaratat e tij. Nuk duhet t’i bojkotojmë dhe as t’i tallim. Ose ndoshta dhe mund t’i tallim, por jo t’i bojkotojmë. Sepse kur Presidenti shfaq më të mirën e tij, dijeni se ai është produkti më i përfunduar dhe më i arrirë i tranzicionit shqiptar.

Nëse ka një profil politikani që tranzicioni rriti dhe kultivoi është ai që përdor moralin si armë dhe qëllim njëkohësisht. Është ai soj politikani që nuk ka kurfarrë problemi të shesë moral kur vetë nuk ka asnjë grimcë, të paktën moral politik. Ky soj politikani thërret në ndihmë parime biblike dhe kuranike, flet për mirësinë inherente të njeriut dhe për ca çakej që duan ta korruptojnë shpirtin e tij. Dëgjojeni kur flet, sepse ai, në mos nuk e ka vetëdijen, ka qenë çakalli që ka korruptuar shpirtin e njeriut ose është, në rastin më të mirë, zëdhënësi i këtyre çakejve. “Vjedhja e votës është një krim dhe turp me pasoja deformuese katastrofike” thotë Presidenti. Kush e di si e ka bërë fytyrën para gazetarit kur bëri këtë revelacion të papritur. Të vjedhësh është mëkat thotë Presidenti. Faleminderit z. President. Mënyra si i shpreh evidencat, mënyra si i përsërit dhe u jep rëndësi e bën mëkatin tërësisht qesharak dhe të parëndësishëm. Të thuash se vjedhja është e gabuar, i përket të njëtin rend ideje për nga rëndësia dhe impakti shoqëror sikur të thuash që mëngjesi është “për të bërë gjërat e mëngjesit”, duke perifrazuar sërish Presidentin pasi ndërroi look-un e tij presidencial.

Të shprehesh me një fjalor jo shumë të përpunuar nuk përbën një skandal shoqëror dhe nuk është një gjë thelbësisht e keqe. Por të shprehësh mesazhe të tilla zhvlerëson rolin e Presidentit dhe  e kthen atë në një prift të fshatit, të cilit nuk ia ka ngenë njeri. Për më tepër që këto predikime bien ndesh me hipokrizinë e një klase politike ku Presidenti është një nga mishërimet më të mira. Të mos harrojmë se Presidenti ka qenë nga ata që mbronte mbylljen e kutive kur tërë bota thoshte “hapini” dhe mbronte hapjen e kutive kur kur një gjë të tillë e kërkonte vetëm Saliu. Në rastin e parë Presidenti predikator, asokohe nëpunës i PD-së legjitimoi dhe në rastin e dytë mundësoi vjedhjen e votave. Ndoshta, duke parë këtë kontekst, i brejtur nga ndërgjegja, ai tashmë pranon se vjedhja e votës është edhe krim edhe turp, i dënueshëm si këtu poshtë mes nesh, si atje lart. Diçka më thotë se jo. Ai thjesht është në pozitën e mbrojtësit të mentorit të tij politik Sali dhe të forcës politike, së cilës ai do t’i mbetet gjithmonë besnik.

Ata që kanë një kujtim të pakët të kohës së komunizmit, ose që nuk kanë lexuar mbi atë periudhë, kanë një ilustrim shumë të mirë se çfarë lloj njeriu kishte nevojë regjimi autoritar monist që të mbijetonte: një si Presidenti aktual. Njerëz besnikë që thonë gjithçka dhe të kundërtën e tyre, pa shumë argumentim, por me bindjen e mjaftueshme për t’i zgjatur jetën një fryme, lideri apo regjimi që arsyen nuk e ka mjetin e vet të funksionimit. Këta njerëz vazhdojnë dhe sot. Presidenti vë në shërbim të partisë së tij gjithë autoritetin e tij publik në shërbim të një fryme të vjetëruar, me mjete të reja. Sepse sot jemi në demokraci dhe në demokraci, askush nuk mund të dënohet për qendrimet e tij politike. Dhe ky është një problem i demokracisë. Sepse ajo nuk funksionon vet, përndryshe do të kemi njerëz si punë e Presidentit që do e shfrytëzojnë atë për ta mbajtur peng demokracinë. Do të kemi njerëz si puna e Presidentit që pranon të bëjë allishverishe, si për shembull të dalë garant për një takim Basha-Rama, për arsye që do të mbeten enigmë. Përse një President duhet të dalë garant për diçka që është e panevojshme? Përse një President duhet të dhjesë mbi Kushtetutë dhe të mbështes një takim informal liderash? Përveçse për arsye tërësisht partiake dhe antikombëtare, asnjë President nuk do të guxonte të bënte nga këto propozime që tentojnë të hedhin në erë atë që njerëz me dinjitet përpiqen ta ngrejnë çdo ditë në Shqipëri.

Këtë President do e kemi deri në 2017. Meqënëse ai nuk lë rast pa treguar partishmërinë e tij, as ne nuk duhet të lëmë rast pa i evidentuar këto raste. Koha kur një njeri imponon vullnetin e tij të sëmurë mbi një popull duhet të marrë fund menjëherë.

Stavri

(Karikatura punuar nga Medi Belortaja)

Presidenti moralist