Principata e Lazaratit dhe despotati i biznesit familjar

lazarat_3125Ndërsa i afroheshim qytezës nuk mund të mos ndjeja një princip eksitimi. Po shkelja aty ku nuk shkel dot asnjë polic. Fuoristrada përparonte me shpejtësi të ulët aty ku asnjë zyrtar i shtetit nuk e merr guximin të afrohet. Me t’u shfaqur ndërtesat e para rruga ngushtohej, kurse një Mercedes modest i parkuar keq paralajmëronte një kontroll rutinë. Dy meso burra me barqe mirëqenieje thuajse identik, na morën në pyetje krejt natyrshëm. Pasi sqarova fije për pe çdo detaj të origjinës time, lidhjet farefisnore me një vendali i cili do martohej të nesërmen (sigurisht që në këtë qytezë njihen të gjithë) dhe kohëzgjatjen e qëndresës sonë, na hapën rrugë e na lanë të kalonim me urimet më të përzemërta…

Që të kesh shërbimin më minimal të shtetit në Shqipëri duhet të dëshmosh militantizëm politik në partinë e Kryeministrit ose të ndonjë partie të vogël që i shërben pushtetit. Mund të mjaftojë edhe të jesh i afërm i politikanëve të mazhorancës, jo domosdoshmërisht familjar, ose pjesë e rrethit të ngushtë miqësor, por këtë duhet ta dëshmosh, e që ta dëshmosh i bie të jesh militant i partisë së Kryeministrit. Për të gjithë të tjerët Shqipëria është vend i huaj. Nuk iu përket.

Vilat më bënë përshtypje menjëherë. Nuk janë shtëpizat karakteristike të zonës, që pret të shohësh në qytezën e parë pas Gjirokastrës. ”Janë luksoze!” Sigurisht eufemizëm por është fjala e parë që më vajti në mëndje, ndërsa makina kalonte thuajse e trembur mes lartësisë së mureve rrethuese. Në ajër ndjehej era e Marijuanës. Përtej mureve ishin mbjellë pyje të dendura gjethesh shtatë fletëshe por këtë vetëm sa mund ta imagjinoja. Ndërsa çatitë nuk ishin as të kuqe e as me rasat gri si të Gjirokastrës. Ishin thuajse të gjitha jeshile, tarraca të mbjella si askund tjetër. Atmosferë sureale, magjike. Njerëz të lumtur, mirëqenie si në përrallat e “Njëmijë e një netë”, liri dhe buzëqeshje pa fund. Asgjë e ngjashme me Shqipërinë tjetër; atë të vuajtjeve, të informalitetit, të halleve, të mungesave, të analfabetizmit galopant, me një fjalë të mjerimit. Më lindi natyrshëm një pyetje:  A e dinë lazaratasit se ç’bëhet rrotull tyre, apo të dehur nga liria dhe mirëqenia e kanë humbur kontaktin me realitetin përtej fshatit të tyre?!…

Sipas Qeverisë, vendi ka rritjen më të madhe ekonomike në Evropë menjëherë  pas Gjermanisë; po jetojmë në Shqipërinë e internetit; çdo sektor ekonomik, përfshirë edhe bujqësinë është dixhitalizuar; dhe shqiptarët jetojnë të lumtur.
Po! Nëse jeton në getot luksoze që pushtetarët kanë ndërtuar për veten dhe të afërmit e tyre në Qerret të Kavajës apo në periferi të Tiranës, nëse kur ikin dritat ke gjeneratorë privat, nëse lëviz me makina e badigardë, nëse pushimet i bën 6 herë në vit jashtë Shqipërisë, nëse kur ndez televizorin sheh realitetin artificial që kanë ndërtuar me mjeshtëri militantë të partisë në pushtet dhe njëkohësisht pronarë të mediave; atëherë po, mund të thuash që Shqipëria është kjo që propagandon qeveria. Do t’i ftoja të shkonin vetëm një herë në Bulqizë këta qafëtrashë faqezinj që propagandojnë mrekullinë ekonomike…

Nuk ishte hera ime e parë në një dasmë, por ishte hera e parë që dëfrimi mori kuptimin e tij më të plotë dhe unik. ”Festë deri në delir!”. Sërish eufemizëm, pasi nuk kam fjalë të tjera për të përshkruar kënaqësinë që ndodhesha aty në atë moment, me ata njerëz, në atë dasmë. Le të themi që është i vetmi përkufizim që më shkon në mendje. Pastaj kur u ngritën dajot e nuses ahengu pushoi, edhe pse në veshët e mi vazhdonte muzika. Tre dajo, tre gjerdanë të gjatë me kartëmonedha 100she për nusen, rigorozisht euro. Me ngjanin me fashat e miseve, veçse të tre çmimet i fitonte e njëjta vajzë: Mis Eleganca, Mis Shqipëria dhe Mis Buzëqeshja. Kartëmonedha të cilat u hoqën një nga një si të ishin petale lulesh, nën ritmin “ më do, s’më do” dhe u dogjën me çakmak kur ahengu rifilloi edhe më furishëm se më parë…

Kush e ka provuar shijen e pushtetit në Shqipëri nuk ka ditur t’i rezistojë tundimit. Tundimit për ta pasur atë sa më shumë, sa më gjatë, për t’u bërë vegël apo skllav i tij. Pushteti në Shqipëri të garanton 3 çmime: Pasuri, paprekshmëri, pandëshkueshmëri.  Të parin e fiton duke zhvatur pasurinë kombëtare, mjafton të përmendim aferat multimilionere, tipike mafioze, të minierave, në kurriz të minatorëve që shuhen çdo ditë nëpër vrimat e nëntokës, ose shitjen e Armos dhe ALB Petrolit me pasojë mijëra të papunë. Të dytin e fiton automatikisht duke qenë se kemi të bëjmë me një shtet badigardësh dhe këta janë ushtarë kamikazë, vegla qorre në duart e politikanit të radhës. Liderët e tyre janë të paprekshëm! Çmimin e tretë e kanë fituar vetë, për merita të pamohueshme në shkërmoqjen e shtetit të së drejtës dhe pavarësive institucionale gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Sot është e garantuar që asnjë njeri i pushtetshëm nuk ndëshkohet nga ligji e aq më pak nga opinioni publik.

U largova nga qyteza përrallore e jugut me kujtimet më të bukura, por edhe me kokën pas. Do të kisha dashur të qëndroja më gjatë. Lazarati është vetëm një dhe unik, komunat e tjera janë 307 – po mendoja – plus qytetet. S’do të ishte keq sikur e gjithë Shqipëria të ishte Lazarat, në fund të fundit jemi vend i vogël e nuk duhet shumë për të qenë të gjithë të lumtur – APO JO?!…

Në një vend ku viktimat e korrupsionit dhe babëzisë për pushtet nuk kanë për të gjetur kurrë drejtësi,  por do të jenë thjeshtë një numër që rritet çdo ditë paralelisht me pandëshkueshmërinë e të pushtetshmëve, debati mbi privatizimin e ALB Petrolit mund të duket krejt i vogël e i pavend. Debat i cili aty ku u ndez aty edhe u shua brenda pak ditësh. Në sallën e Kuvendit. Problemi qëndron pikërisht në arsyetimin të cilin na kanë imponuar dhe që duhet ta çrrënjosim.
Biznesi në Shqipëri është në duart e elitës, në duart e të paktëve me pushtet. Këta nuk shohin jashtë gardhit të tyre, krijojnë jetë familjare si në filmat më të bukur. Brenda mureve të larta që kanë ngritur nuk ka rregulla, as ligje. Çdo gjë është e lejuar, mbizotëron pasuria dhe mirëqenia. Por kjo pasuri e tyre bëhet e mundur falë zhvatjes së të shumtëve jashtë gardhit, dhe të shumtët jemi ne, është pasuria kombëtare e cila është kthyer në pronë private. Nëse lejojmë akte të tilla si privatizimi i ALB Petrolit duke e justifikuar me faktin që Shqipëria ka halle të tjera më të mëdha, iu kemi bërë atyre dhuratën më të madhe (dhe e kemi bërë vazhdimisht këto 20 vjet). Sepse më e egër e më e dhunshme sesa biznesi i politikës është politika e biznesit familjar.

Onufri

Principata e Lazaratit dhe despotati i biznesit familjar