Protesta e të gjithëve


Protesta e fundit e këtyre përmasave ishte ajo kundër çmontimit të armëve kimike të Asadit në Shqipëri. I rikthehem kësaj proteste, jo vetëm nga përmasat e krahasueshme me protestën studentore të këtyre ditëve, por edhe për faktin domethënës të mungesës së ngjyrimit partiak.Pesë vite më parë tentativa për të zaptuar protestën dështoi, ndërsa sot partitë politike as nuk tentojnë dot t’i afrohen asaj. Shqipëria ka nevojë për protesta të tilla, qoftë për nga përmasat qoftë për nga përmbajtja. Shqipëria ka pasur 28 vite protesta të drejtuara nga partitë politike dhe shqiptarët tashmë ua kanë pirë lëngun hileve dhe marifeteve të politikanëve. Deri më sot, shpesh ose gjithmonë, janë gënjyer, përdorur dhe nëpërkëmbur prej tyre. Jo më kot Basha sot nuk mbledh dot më shumë se një grusht militantësh në sheshe. Edhe ata valëvisin turpësisht flamurin amerikan, duke treguar më së pakti injorancë dhe shkëputje nga realiteti.

Por le të kthehemi te protesta, te institucioni i protestës. Një tjetër protestë spontane dhe jopartike ishte ajo e Kukësit, ku qytetarët e rrethuan qeverinë edhe pse të pakët në numër, e vunë në cep, me shpatulla pas murit, për abuzimin brutal ndaj të thjeshtëve dhe mbajtjen me hatër të kastratëve.

Njësoj edhe sot, qeveria me brutalitet kalon një VKM (por nuk është vetëm VKM-ja problemi), duke injoruar studentët dhe duke ledhatuar institucionet publike (dhe private), pa kurrfarë kokëçarjeje. E vërteta e reformës në arsim është se kaloi pa asnjë oponencë reale në parlament, pa asnjë oponencë reale nga studentët. Këta të fundit prej vitesh protestojnë, por mbeten të padëgjuar nga mediat dhe nga qeveria.

Që me kërkimin e parë zbulon që tarifa vjetore në Arkitekturë është 40,000 lekë. Sa dyfishi i rrogës minimale të shumë prindërve shqiptarë. Po librat, po biletat e urbanit, po ushqimi, po konvikti (dhe kushtet mesjetare)? A e përballon familja shqiptare një fëmijë student për 5 vite? Po dy fëmijë? Këto pyetje duhet të shtrojë një qeveri normale, e aq më tepër një qeveri e majtë, po pse jo edhe kjo qeveri që e ka të gjithë tepsinë dhe të vetmin timon.

E megjithatë si bonus mund t’i njohim kësaj qeverie, aktin e tërheqjes dhe njohjes së gabimit. Ndodhi kështu me armët kimike, ndodhi po njësoj me tarifën e autostradës në Kukës, dhe me shumë gjasa do të ndodhë kështu edhe me kërkesat e studentëve.

Por ajo që fitojmë ne të gjithë si qytetarë të Shqipërisë, studentë dhe jostudentë është institucioni i protestës. Institucion i cili nuk u vra as më 21 Janar kur bulevardi u la me gjak. Të shumtë janë politikanët dhe analistët që rendin nëpër kauza të stisura, sa nga njëri kah politik në tjetrin. Të shumtë janë edhe ata që e përbuzin popullin dhe i veshin lloj lloj epitetesh kur nuk ju shkojnë pas interesit të tyre. “Popull dele, popull dembel, popull që nuk ngrihet për hallet e veta”. “Shikoni si protestohet në Rumani pse nuk ngriheni dhe ju pas Lulit”, shikoni si protestohet në Francë, pse nuk e vishni dhe ju jelekun si Lubonja”. Por pas kaq shumë vitesh nëpërkëmbje ky popull, dhe në fakt çdo popull, e kupton që veç mund ta humbasë protestën duke vajtur pas tyre. Një popull, ky popull, e ka kuptuar që protesta fitohet, kur mblidhen të gjithë bashkë për një kauzë. Dhe kështu sot studentët nuk janë vetëm, por janë shumë, ndoshta tre milionë.

Askush nga sot, as gojëlëshuarit, as lapsthyerit, të mos guxojë të na tregojë Francat dhe Rumanitë e botës!

Onufri

Protesta e të gjithëve