Provokacion, konspiracion, gaz me rigon

 image1

Qeveria porosit një shkrim te “The Economist” për të reklamuar veten dhe Shqipërinë – Berisha shpall në fejsbuk provokacionin e rëndë dhe ngre teorinë konspirative – Mediat marrin lajmin dhe e plasin në faqe të parë duke i dhënë rëndësinë e një Bombe me Gaz Hidrogjen si ajo që disponon Koreja e Veriut. Pastaj, po në media vijojnë interpretimet, ngjyrimet, dhe analizat e ekspertëve. E gjithe vëmendja e publikut përqendrohet tek kjo çështje dramatike. Sigurisht duke lënë menjanë çështjet dytësore të Reformës në Drejtësi, varfërisë, papunësisë, politikën e ndyrë, administratën e paaftë, krimin, arsimin, ndotjen e ambjentit, refugjatët, Sirinë, Libinë, Greqinë, Kombëtaren etj etj. Për të mos folur pastaj për periferinë dhe rëndësinë fare të papërfillshme të analfabetizmit funksional, të atyre që shkruajnë çdo ditë në shtypin tonë.
Ditën e tretë, atëherë kur në fakt duhet të ishte edhe dita e fundit e çudisë, pllakos heshtja. Kjo e fundit zgjat fare pak, sepse aty për aty aktivistët aktivizohen, në mënyrë që çudia të zgjasë të paktën edhe ditën e tretë. Ja behin rrjetet e gazetarisë investigative dhe i japin lajmit rëndësinë e një rezolute të Këshillit të Sigurimit në OKB. Rjeti i Gazetarisë Investigative në fakt është po e njëjta çorbë gazetarie, por me emër më të rafinuar. Dhe sigurisht nuk mund të mungojë një blog si ky i yni, që në fund fare, komenton komentin që u komentua nga analistët e mediave, pas komentit që Berisha i bëri komentit të “The Economist”.
Ne sugjerojmë të shtohet në listën e halleve të shqiptarëve, përveç kryefjalës së të gjitha halleve që është pa dyshim shkrimi te “The Economist”, edhe halli i nauzesë që i shkaktojnë popullit mediat.

Gjithë çfarë shohim e dëgjojmë çdo ditë nuk është gjë tjetër veçse gaz toksik, me pak rigon për të thyer erën e rëndë. Për të lëshuar gazin me rigon, mediat shqiptare nuk kanë nevojë as për provokacionin e qeverisë e as për konspiracionin e Berishës. E prodhojnë vetë, natyrshëm, sepse hanë e konsumojnë si derra të njëjtin korrupsion me politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët.

Kush është praktik mund t’ia kursejë vetes intoksikimin mediatik. Kush nuk është, veten pastë në qafë sepse reformë në drejtësi edhe mund të bëhet, po reforma në media nuk ekziston as si koncept.
Tanks

Provokacion, konspiracion, gaz me rigon