“Puthe, të shpëtosh!”

ggggg
Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë u shpall si e tillë, pra e pavarur, në kongresin e Beratit, i cili u zhvillua nga data 10 shtator deri në 12 shtator 1922.

Sot është data 12 shtator.

Më kot pritëm ndonjë fjalë nga Kryepeshkopi Anastas, më kot pritëm ndonjë lajm nëpër gazeta, më kot ndonjë festë përkujtimore në kishat e Beratit, Tiranës, Korçës, Gjirokastrës etj. Ndoshta edhe një status në Facebook do të ishte i mjaftueshëm, nga ata besimtarë të shumtë ortodoksë që ka bota e medias dhe e spektaklit, të njëjtët për shembull që mbrojnë me flakën e penës dhe barutin e pasionit Kryepeshkopin Anastas, sa herë që ky i fundit sulmohet “padrejtësisht” nën akuzën e mospërdorimit të gjuhës Shqipe.

Në faqen zyrtare të Kishës Ortodokse www.orthodoxalbania.org, nuk gjen asnjë lajm mbi këtë datë të rëndësishme për mëvetësinë e ortodoksisë shqiptare. Jo vetëm kaq, por të vret syrin përdorimi i termit “orthodhoks”, ashtu si edhe dy lajme protestë në faqe të parë: Njëri i cili nuk njeh censusin e vitit 2011 dhe tjetri mbi prishjen e kishës së Dhërmiut. Një sy i huaj, në pamje të parë, do të mendonte se ka një konflikt të vjetër e të hapur mes Shtetit Shqiptar dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare…

Është e vërtetë gjithashtu që Tomosi, apo leja, për krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare u dha nga Patriarkana e Stambollit vetëm 15 vjet më vonë pas përpjekiesh dhe vështirësish të shumta.
Ndokush, i zoti për t’u mbrojtur nën pretekste të rreme, mund ta përdorë këtë fakt për të justifikuar harresën, tashmë 25 vjeçare, të ditës së pavarësisë të ortodoksisë shqiptare.

Asgjë nuk e justifikon këtë harresë, ashtu sikurse asgjë, as harresa e Janullatosit, nuk e zbeh rëndësinë e datës 12 Shtator 1922. Eshtë njësoj sikur ne, të mos festonim ngritjen e Flamurit në 28 Nëntor 1912, por të festonim ditën kur Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Londrës vendosën ta njihnin Shqipërinë si të pavarur, ose akoma më keq, të mos e festonim fare Pavarësinë e Shqipërisë.

(Fotografia më sipër paraqet një çertifikatë të lëshuar me rastin e proklamimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë më datë 12 shtator 1922).

Onufri

“Puthe, të shpëtosh!”