Putinizmi – moderniteti i ri

putin_liberty
Fransua Fijon (François Fillon) është fituesi surprizë i turit të parë të zgjedhjeve në të djathtën dhe qendrën franceze. Surpriza qe e dyfishtë: së pari fitorja e tij nuk pritej. Pavarësisht se sondazhet (për të cilat duhet shkruar dhe treguar sesi po e humbasin kredibilitetin çdo ditë, jo domosdoshmërisht, vetëm për faj të tyre) po tregonin një rritje të tij, ai nuk pritej të fitonte, por më shumë t’i bënte hije dhe ta flakte tutje Sarkozinë nga jeta politike, kësaj here pa kthim mbrapa. Ai jo vetëm që e realizoi këtë qëllim, por edhe fitoi turin e parë të primareve, me 42-43%, shumë përpara ish Kryeministrit të Zhak Shirakut, liderit të pakontestueshëm të sondazheve, Alen Zhype.
E djathta dhe qendra (e cila, tradicionalisht ka qenë e lidhur me të djathtën franceze) vendosën të organizojnë primare, sipas modelit amerikan: forcat përbërëse të tyre vendosën të përkrahin fituesin që do të dilte nga kjo garë. Në këtë mënyrë, e djathta dhe qendra në Francë do të përmbushte një mision të dyfishtë: ta kthenin fitoren në zgjedhjet presidenciale të 2017 në një plebishit në favor të tyre, duke parë pakënaqësitë që ka ngjallur Holand në Francë dhe të vendosnin një barrierë sigurie kundër rritjes së ekstremit të djathtë, përfaqësuar nga Marine Le Pen.

Zgjedhjet e organizuara kanë si veçanti që çdokush mund të votojë, jo vetëm anëtarët e partive të djathta ose të qendrës: mjafton që zgjedhësi të paguante 2 euro dhe të nënshkruante një dokument ku thuhej se pajtohej me vlerat e të djathtës dhe të qendrës. Natyrisht, në këto primare nuk kishte vetëm votues të këtij diapazoni politik, por edhe të majtë, të cilët mendohet se votuan për kandidatin më konsensual, Alen Zhype, të sigurt dhe e majta do të dalë me një rezultat katastrofik në zgjedhjet presidenciale të 2017 dhe si një mënyrë për ta nxjerrë Sarkozinë jashtë politike, i cili sa më shumë afrohej dita e zgjedhjeve, aq më shumë mbante një retorikë nacionaliste, të ngjashme me ekstremistët e Le Penit. Dy kandidatët që do të dilnin të parët në primare, do të fitonin të drejtën të hynin në turin e dytë.

Pritej një duel Sarkozi-Zhype: i pari i entuziazmuar nga fitorja e Trumpit, sepse e kuptonte që radikalizimi i fjalorit politik do të sillte përfitime dhe i dyti, si kandidati i arsyes, i aftë të bashkojë francezët dhe, në të njëjtën kohë, të zbatojë një politike të djathtë liberale.
Rezultatet treguan se votuesi nuk është më një qenie e parashikueshme, që hyn e del nëpër epruvetat e sondazhbërësve sa herë partitë politike kërkojnë shërbimet e tyre. Fransa Fijon, ish Kryeministri i Sarkozisë, shkatërroi çdo konkurrencë, duke dalë i pari me 42.8%. Me daljen publike të Sarkozisë (ndoshta e fundit e jetës së tij publike), në favor të Fijonit, bën që në mënyrë gati matematikore (me përjashtim të ndonjë surprize edhe më të madhe), ai të jetë kandidati i të djathtës dhe të qendrës në Francë.

Fransua Fijoni është një përfaqësues i të djathës klasike franceze, konservatore dhe katolike. Në aspektin ekonomik, ai është mbrojtës i politikave liberale thaçeriane (më liberali nga të gjithë kandidatët). Në aspektin shoqëror, ai ka kritikuar ligjin për martesat gay, megjithëse gjatë fushatës tha se nuk do e anullonte, por do të ndryshonte disa parashikime që lidheshin me birësimet ndërkombëtare. Në aspektin ndërkombëtar, ai është një putinist i flaktë, një nga të paktët në partinë e Sarkozisë që ka kritikuar nismat e fundit të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. Në këtë aspekt, ai konkurron dhe me Le Penin, e cila njihet gjithashtu jo vetëm për mbështetjen e politikave ruse, por edhe për marrjen e disa financimeve nga Kremlini. Me shumë siguri, zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2017 do të diskutohen mes Le Penit dhe Fijonit: e majta, out.

Ky prezantim, edhe pse pak manikeist, flet për një revolucion konservator të qartë që po zë vend kudo në Evropë. Mbaroi koha e emancipimit të të drejtave, e hapjes drejt botëve dhe popujve të tjerë, e progresit social. Tashmë popujt e demokracive perëndimore nuk e shikojnë më demokracinë si një mjet progresi, por si një relike e shenjtë e kulturave të tyre perëndimore. Rezultati mund të jetë ose një rimëkëmbje e hapësirës evropiane dhe amerikane, nëpërmjet një fokusimi më të madh te problemet e brendshme. Mirëpo nuk mendojmë se është plotësisht kështu.

Fitoret e forcave konservatore dhe populiste nuk ndihmojnë në forcimin e Evropës dhe të karakterit të saj demokratik. Ato po minojnë çdo përpjekje për ta çuar Evropën përpara. BE-ja nuk përfaqëson më asnjë lloj shenje moderniteti: BE-ja është monstra që duhet shpartalluar, që popujt të jetojnë të lirë, konservatorizmin dhe reflekset e tyre reaksionare. Frika po dikton politikat. Në këto kushte, edhe liderët që po e instrumentalizojnë frikën, shohin si zgjidhje për problemet e shoqërisë, formulat autoritariste, që sot mishërohen te Rusia. Modeli që duhet ndjekur ai rus: Trumpi mahnitet nga lidershipi i tij, Fijoni e adhuron “njeriun”, si për ta humanizuar obsesionin e tij ndaj një lideri që nuk ka lidhje me demokracinë. Lista e adhuruesve të Putinit në Evropë është e gjatë. Lista e atyre që adhurojnë Putinin dhe që mund të marrin pushtetin gjithashtu. Dhe gati askush prej tyre nuk ka një qasje pro shqiptare në rajon. Me gjasa, rrugëtimi për në BE do të marrë një rëndësi më të madhe tani, duke parë se destinacioni ku po shkojmë është në rrezik. Të presim dhe të shikojmë.

Stavri

Putinizmi – moderniteti i ri