Regjim me saktësi snajperi

snaiper f
Dy prej katër viktimave të 21 Janarit u qëlluan me armë preçizioni! Ndërsa nën breshërinë e armëve të gardës humbën jetën dy dhe u plagosen rreth njëqind të tjerë. Shumë prej tyre u mjekuan në shtëpi, jo sepse spitalet nuk ofrojnë higjenë dhe kushte të pranueshme, por sepse shtëpia ofron mbrojtje nga regjime që funksionojnë me saktësinë e një snajperi. Ky është bilanci i një dite proteste në Tiranë, bilanc të cilin të gjithë e kemi harruar, e kemi varrosur në memoriet tona. E megjithatë diçka mbetet edhe kur kemi tendencën të fshijmë horrorin nga kujtesa, mbetet instikti. Askush nuk ka për të dalë më në protesta, jo sepse ato e kryen misionin e tyre, jo sepse ka mbetur në zemrat e qytetarëve frika, ajo varroset bashkë me kujtesën. Por instiktivisht të gjithë do të ruhen, pikërisht nga plumbi i fshehtë, preçiz, i kurdisur me saktësi nga mëndje perverse pushtetarësh të babëzitur.

Në një regjim si ky i yni ku efikasiteti është i lartë dhe gabimi minimal, pushteti kalon në dy rrugë, një vertikale dhe një horizontale. Vertikal është pushteti që fillon lartë te kryeministri dhe zbret vertikalisht poshtë me shpejtësinë e forcës së rëndesës. Një shenjë prej Berishës ose një sms a një gjest, është i mjaftueshëm për t’u transfomuar në urdhër e më pas në ekzekutim (të urdhrit) nga ushtarët e bindur të pushtetit. Por akoma më marramendëse është shpejtësia e pushtetit horizontal. Zagarë të stërvitur dhe gjuhëvarur, të vëmendshëm e të gatshëm për çdo detyrë në shërbim të të zotit, sillen rrotull e kërkojnë gjurmë gjahu.

Këta veprojnë me saktësinë e një sahati të prodhuar në Zvicër. Nuk gabojnë kurrë. Kanë mjetet dhe gjejnë kohën e duhur. Gjithmonë në krye të detyrës e në shërbim të pushtetit. Ata përshembull mund të bëjnë sakrifica të paimagjinueshme për të shtuar qoftë edhe një votë në kutinë e tyre. Dhe për këtë nuk kanë nevojë të marrin urdhërin e padronit. Mund të pushojnë nga puna dy inspektore bashkiake, duke zbuluar edhe atribute boksierësh që rrahin gra. Ata mund të blejnë një televizion opozitar, një gazetë, një biznes, dhe ta çojnë në falimentim; median biznesin dhe veten e tyre. Dhe këtë e bëjnë pa marrë urdhër nga lart; kënaqësi perverse e të gjithpushtetshmit.

Ndërsa populli struket në shtëpi, me një telekomandë në dorë, duke u ushqyer pikërisht me lajmet e zagarëve të lartpërmendur. Populli struket dhe ndjen dhembshuri për minatorët e Bulqizës, por kjo zgjat vetëm pak ditë, aq ditë sa e mendojnë mediat se ia vlen të merren me këtë temë. Populli trembet kur sheh si ekzekutohet gjyqtari në mes të qytetit, por nuk frikësohet shumë, të paktën dy ditë. Nën regjimin “e prosperitetit dhe rritjes ekonomike të barabartë me Gjermaninë”, edhe çudia më e madhe nuk zgjat më tre ditë. Dy por edhe një ditë ditë mjafton për të asimiluar një tronditje dhe për tu gatitur ndaj tjetrës. Është instikti i mbijetesës që shuan frikën, po i njëjti instikt që na largon nga sheshet.

Me saktësinë e një snajperi regjimi mund të zhdukë çdo zë opozitar të rrezikshëm, por edhe çdo zë jashtë përditshmërisë apatike ku qëllimisht e ka futur vendin. Regjimi të eleminon fizikisht fshehurazi, me snajper, nga godina e Jozefinës ose nga ajo e Berishës. Por sy më sy të eleminon shpresën dhe mundësinë për t’i ndryshuar gjërat. E kështu, të fshehur, në paqen e rreme të shtëpisë, larg shesheve, larg rrezikut, larg fokusit dhe shënjestrës së pagabueshme të regjimit snajper, asistojmë çdo ditë në shkërmoqjen e pandalshme të Shqipërisë.
Onufri

Regjim me saktësi snajperi