Rekorde me stil qeni!

Për t`ju përgjigjur pyetjes u mundova të gjej disa raste të ngjashme. Menjëherë në mendje më erdhi rekordi i ekonomisë shqiptare (pa dashur në asnjë moment të ve në dyshim shifrat zyrtare). Vjet, në një periudhë recesioni për ekonominë botërore, ekonomia shqiptare ishte ndër te paktat me rritje. Rekord! Por edhe ketu “stili” le për të dëshiruar. Struktura e ekonomisë shqitare është mjaft e prapambetur. Bazohet së tepërmi në të ardhurat e emigrantëve dhe investimet publike dhe borxhi publik i qeverisë krijon shqetesim. Për të mos folur për nivelin e bujqësisë dhe eksporteve. Pra, a nuk është edhe ky një Rekord me stil qeni?

Një tjetër rast akoma më i vonshëm është ai i miliona turistëve që po vizitojne vendin tonë këtë vit (gjithnjë sipas shifrave zyrtare). Edhe ky rekord! Por kush janë turistët që po vizitojnë vendin tone? Në vend të parë janë emigrantët që kthehen në shtëpitë e tyre, dhe nëse i del koha (dhe pleqtë i kanë mirë me shëndet), mbase bëjnë edhe ndonjë ditë plazh. Në vend të dytë janë vellezërit shqiptarë nga Kosova e Maqedonia që vijnë në Shqipëri pa shumë pretendime. Vijnë me qëllimin për të mos shpenzuar shumë dhe sepse jemi ndër të paktat vende ku mund të shkojnë pa vizë, pra më shume nga halli. E si mund të ishte ndryshe kur kushtet në shumicën e plazheve në vend janë skandaloze? Vendi ynë nuk ka nivel shërbimesh private apo publike për te tërhequr turistët e vërtetë, por vetëm bashkëpatriotët apo aventurierët. Po ky, nuk ju duket një tjetër rekord me stil qeni?

Pa dashur të thellohem në “arritje” të tjera kuptova që keto lloj rekordesh janë mjaft të perhapura dhe nuk përbëjnë më lajm sepse kudo stili le për të dëshiruar. Mu kujtua këshilla që trajneri i kish dhënë një kampioni noti kur kishte filluar sportin: “ Djalë, nëse nuk përmireson stilin, vetëm rekordet e tua mund të thyesh!”

Rekorde me stil qeni!