Republika e Shqiplehërisë

Ligji i plehrave është baza a ndërtimit të shoqerisë së ardhshme shqiptare,dhe vet projekti i ndërtimit të shoqërisë së pritshme është vazhdimësi e një projekti të realizuar me sukses të plotë shumë kohë më parë. Juve nuk ju kujtohet ndoshta kur një nga qeveritë mori përsipër dhe realizoi në kohë rekord një nga projektet që, për nga rallësia dhe madhështia do ta quaja pa kurrfarë stepjeje, mrekullinë e 8 të botës. Po po, dikur në një kohë jo të largët, dikush në vendin tonë ndërtoi ‘Mrekullinë e Lirisë’. Dhe kjo e fundit nuk është abstraksion, kjo ështe diçka shumë reale, është diçka që sot çdokush e ndjen dhe çdokush duhet të jetë i lumtur dhe shumë mirënjohës që jeton në të tillë realitet që për shumëkënd do dukej krejtësisht magjik.

‘Mrekullia e Lirisë’ është ky vendi që po jetojmë sot ne shqiptarët dhe liria shumëformëshe e rrok gjithë këtë hapësirën  e përditshme ku zhvillohet jeta jonë.

‘Mrekullia e Lirisë’ fillon me gëzimin e lirisë për të mos u shprehur. Për të mos u shprehur kundra pushtetarëve pa u rrahur dhe pa u kërcenuar për vdekje, për të mos u shprehur kundra padrejtësive në biznes (politikë) pa gjetur vdekjen në ndonjë aksident të mbuluar me mister, për të mos u shprehur publikisht në formën e demonstrimit qytetar, pa gjetur vdekjen nga ndonjë plumb i panjohur që vjen nga ndonjë akoma i pazbuluar. Në mrekullinë e lirisë çdokush është i lirë të votojë për atë që ja imponojnë me shumë forma dashamirësie, siç janë kërcënimi, dhuna, ndikimi, lëmoshët e partive etj.   Qytetarët e ‘Mrekullisë’ gëzojnë gjithashtu lirinë e garantuar të të organizuarit në parti dhe forume partiake si rruga më e lehtë dhe e vetme për të mbijetuar në ekonominë e lirë të tregut.

Përveç lirive politike shtetasit e ‘Mrekullisë’ gëzojnë dhe shijojnë mbi të gjitha, disa nga llojet e lirive që janë thelbësore për çdokënd. Shumica e banorëve të  ‘Mrekullisë’ gëzojnë lirinë per të vdekur në kuptimin e dhënies fund të jetës si pasojë e varfërisë dhe 100 problemeve të tjera socio-ekonomike. Gjithashtu, një ‘pakicë’ e madhe në numër, gëzon lirinë e patjetërsueshme për të vdekur gjatë punës nga mosekzistenca e kushteve minimale të sigurisë në këto ambjentë. Dhe në fund të gjithë banorët e ‘Mrekullisë’ gëzojnë në maksimum lirinë për të vdekur nëpër të gjitha rrugët e ‘Mrekullisë’ si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe kushteve të tjera minimale nëpër këto rrugë. Pra mbi bazën e garantimit te gjithë këtyre formave të lirive është ndërtuar edhe ‘Mrekullia e Lirisë’.

Pas përfundimit të këtij projekti, këta ideatorë pas një periudhe tepër  rraskapitëse, me disa sy të nxirë nga pagjumësia, të sfilitur nga puna e vazhdueshme, kanë themeluar më në fund edhe megalo-idenë për themelimin e ‘Tokës së Lumturisë’. Dhe nisma e importimit të plehrave është premisa e parë dhe dora e fundit për realizimin e një sipërmarrje të tillë. Meqënëse Europa ndodhet në një krizë të thellë ekonomike Shqipëria edhe pse në një konkurencë të ashpër dhe të vazhdueshme me Gjermaninë për të zënë vendin e parë për nga rritja ekonomike,  ka menduar ta shfrytëzojë situatën për të importuar plehra nga Europa sepse keto vende janë më të shtrënguar, më shumë se kurrë që mes lotësh të heqin dorë nga plehrat e tyre.

Kësisoj nuk do të jetë e largët dita kur tregtia e plehrave do të na sigurojë edhe hegjemoninë absolute në Europë, kur ne do të jemi padronë të kontinentit të vjetër dhe kur asnjë plehër s’do t’i shpëtojë vigjilencës tonë. S’do të jetë e largët dita kur Europa do zhytet në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe në një mjerim dhe plogeshti shpirtërore pa plehrat e veta ndërkohë që ne jetojmë lumturisht e paqësisht mes plehrave të atyre. Nuk ka për të qenë e largët dita kur harmonia dhe begatia e plehrave do mbulojë brezat pasardhës të vendit tonë ndërkohë që mes lutjesh e përgjerimesh, evropianët do të dynden drejt kufijve tonë duke shpërthyer edhe ambasadat tona jashtë vendit.

Do të jemi të detyruar që t’i mbajmë por do të  miratojmë ligje të rrepta kundër emigrantëve që do të kërkojnë të bëhen pjesë e ‘Tokës së Lumturisë’, saqë do ju duhen vite të behen shtetas, megjithëse autenticitetin e plehraxhiut s’do të mund ta fitojnë kurrë. Do ngrejmë monumente përkujtimore për udhëheqësit e sotëm dhe ata do përkujtohen përjetësisht si pionerët e plehrokracisë. 

Qeveria e sotme do të mbetet në histori si qeveria e parë e plehrave dhe kryetarët e sotëm do jenë kryeplehrat e parë. Do ju këndohen këngë me tekst plehrash të kompozuara nga disa plehra dhe madje do tju thuren edhe lavde nga të gjithë pasardhësit e plehrave. Atëherë do e ngrejmë thesin e plehrave në piedestal dhe do t’i  lutemi dhe do ta adhurojmë vazhdimisht. Edhe ngushëllimet shpirtërore sdo mund t’i gjejmë askund tjetër veçse te falenderimi dhe lutja e vazhdueshme për sa më shumë plehra.

Mendimi do të reduktohet vetëm në mendim për plehrat dhe çdo subjekt bisede do të jetë pashmangshmërisht i lidhur me ndonjë plehër. Shqipja do të përdoret atëherë vetëm si mjet komunikimi mes plehrave dhe ndoshta edhe për të treguar ndonjë histori të lavdishme të ndonjë  kryeplehre të kohës së shkuar. Me kohën do të harrohen edhe dialektet e tjera dhe dialekti mbizotërues do të behet plehërishtja. Kudo që të shkosh do ndodhesh nën praninë e plehrave dhe sdo mund të ndërtohet një konceptim tjeter i jetes pa plehra. Dhe vetëm atëherë lumturia e vërtet do të gjendet vetëm nëpër plehra.

Por pavarësisht të gjithave, edhe pas shumë kohësh, ne do të vazhdojmë të ruajmë simbolet tona kombëtare edhe pse atëherë s’do tregojnë shumë për kombin, do të ruajmë me fanatizëm heronjtë tonë të kohës së para-plehrave, dhe heronjtë e kohës së plehërave, do të përpiqemi të rikujtojmë mes mosmarrëveshjeve të kaluarën megjithëse askush nuk do të mbajë mend qartë kohën kur njerëzit ishin më të lumtur. Prandaj do rishkruhet duke u ndryshuar rrënjësisht historia e paraplehrave dhe askush nuk do te kujtojë se ky vend nuk ka patur në një kohë të shkuar kaq shumë ‘plehra’. Pasi shumë kohë të kalojë në mes të një masivi ‘plehrash’, do të gjejmë të shkruar ‘‘Republika e Shqiplehërisë’’.

Alban Pira

 

 

Republika e Shqiplehërisë