Rrjeti, rrjeta dhe demokracia

rrjetiRrjeti është ai që ka pushtuar mendjet dhe zemrat e njerëzimit. Janë tashmë disa, brezat që nuk jetojnë dot pa internet. Nuk ka mjet më të mirë sesa rrjeti për tu lidhur me njerëzit, për të kontaktuar me ata që janë mijëra kilometra larg, për të pasur akses te informacioni. Pra, rrjeti është mjeti.

1.Presidenti i sapo zgjedhur amerikan, Donald Trump, është përdorues i Twitterit. Mënyra sesi ai komunikonte me ndjekësit e vet deri dje, dhe me 7 miliardë njerëz sot, është e limituar në vetëm 140 gërma. Çdo mesazh i tij nuk mund ta kalojë këtë shifër karakteresh. Në fakt, askush nuk dëshiron të lexojë një artikull të gjatë të Presidentit, aq më pak një studim të gjatë të studiuesit. Një roman i Çmimit të fundit Nobel për letërsi është stërmundim për cilindo, që të lexohet.

Shteti Islamik komunikon me Twitter, edhe Papa shkruan tashmë në Twitter. Më të rinjtë në moshë përtojnë të shkruajnë edhe 140 gërma (apo të lexojnë 140). Për këtë arsye kemi Instagramin. Mjafton një foto apo një video-selfie për të komunikuar me të tjerët. Gazetarë nga zona me konflikte të nxehta, komunikojnë me hashtag, plus-minus dy fjali të shpejta. Pseudo gazetarët i kopjojnë edhe pa pasur lajm fare. Madje duke stisur lajme. Lexuesi, shpesh e ka të vështirë të kuptojë cili ka të drejtë, cili është lajm e cili jo. Nga ana tjetër njohuria artificiale i përjashton të gjithë nga përgjegjësia. Por pak rëndësi ka. Dikush tjetër më i ngeshëm, me siguri, do ta zgjidhë problemin e krijuar edhe për ne. Në rrjet jeta është dinamike. Kalohet menjëherë te lajmi tjetër. I vërtetë apo i rremë pak rëndësi ka, mjafton një klik…

Kështu rrjeti dalëngadalë është bërë rrjeta, jashtë së cilës nuk del dot asnjë peshk.

Përpjekjet për të sensibilizuar mbi këtë rrezik nuk mungojnë por shpesh përdoret mjeti, pra rrjeti, për të arritur te sytë dhe veshët e viktimës. Jo rrallë herë, shpëtimtari bie vet në rrjetë, duke u kthyer edhe ai në viktimë.

Problemi, nuk ishte i përmasave dramatike për sa kohë nuk influenconte deri aty lart, te politika, te fati i shteteve, te fati i marrëdhenieve midis shteteve. E megjithatë faktet janë që hapi, nga poshtë deri atje lartë, u hodh me një shpejtësi të paparashikuar. Dhe sot kemi Donald Trumpin.
Vështirë të besohet, por ndoshta gjysma e lexuesve, këtë nuk e kupton si diçka negative për demokracinë…

2. Në demokracitë perëndimore, deri më sot, një pjesë e popullsisë është e angazhuar dhe merr pjesë në mënyrë aktive në fatet politike të secilit vend. Në rastin më të thjeshtë, duke ushtruar të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesit. Kjo quhet demokraci përfaqësuese.

Ndërsa pjesa tjetër e popullsisë nuk e ndjen të nevojshme të angazhohet. Nuk ka një vizion të qartë mbi të shkuarën dhe të ardhmen, pra mbi fatet e vendit, nuk sheh më tutje sesa interesi personal apo i shtëpisë së vet. Për këtë arsye nuk merr pjesë në debatin politik dhe le të tjerët të vendosin edhe për atë, duke mos votuar ose duke votuar rrallë. Jo më kot, në vendet me demokraci të konsoliduar, në zgjedhje merr pjesë vetëm gjysma e votuesve, ose diçka më shumë se gjysma. Historikisht kështu ka qenë. Deri sot.

Pikërisht, me hyrjen e rrjetit ky ekuilibër është prishur dhe sot votojnë, bashkë me votuesit e angazhuar, edhe votuesit e keqinformuar, edhe votuesit e keqpërdorur nga mjeti. Ajo çka më parë dukej utopi sot është realitet. Mundësia e angazhimit të totalit, pra të të gjithëve, është e mundur dhe mbart me vete pasojat që quhen Donald Trump, Brexit, Marine Le Pen etj. Nesër, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë mund të ndodhë. E sigurt është që demokracia si e kishim njohur deri më sot nuk ekziston më. Ajo ka rënë në rrjetën e diktatit të rrjetit. Vështirë, shumë vështirë të dalë jashtë saj. Ndoshta nuk do të mjaftojë as vullneti dhe impenjimi i të angazhuarve.

Onufri

Rrjeti, rrjeta dhe demokracia