Sali Berisha Hero Kombëtar

Dalë nga goja e ujkut, një lajm i tillë ngjan jo si një sulm ndaj personit të tij, por si një dhënie kredie të fortë në favor të tij nga miqtë e tij të rinj (ose të vjetër, kush e di…) serbë. Në këto kohë mashtrimesh, korrupsionesh, zhgënjimesh, nepotizmash, varfërie dhe mbajtje në prag të derës së Evropës një lajm i tillë vetëm sa i shërben qëllimeve të tij politike në Shqipëri dhe në rajonet ku jetojnë shqiptarë.

Dhe këtu dalim në një konstante të çuditshme që lidhet me ndihmesën që u japin vendet fqinje që kanë interesa të kundërta me tonat liderve shqiptarë. Mund të përmendim Esat Pashën, ndihmuar nga serbët, Zogun, ndihmuar po nga ata, Enver Hoxhën, përkrahur nga jugosllavët dhe tani Kryeministrin…  Ndoshta kjo ka qënë dëshira e fuqive të mëdha: Shqipëria të ketë një Vëlla të Madh që sipas dallgëve ka qënë dhe është Italia, Greqia dhe tani Serbia, por kjo zgjidhje tashmë duket jashtë konteksti, pasi faktori shqiptar po piqet dhe nuk ka nevojë për një Vëlla të Madh për të hedhur kush e di çfarë hapi drejt kush e di ç’humnerë, duke patur parasysh se qëllimet e këtij Vëllai rrallë herë kanë qënë të mira. Kjo është analiza më e lehtë dhe më pak shqetësuesja që mund të bëjmë.

Sepse ekziston dhe një tjetër. Përse vallë kjo ndihmë kaq “spontane” në një moment kaq kritik për Qeverinë? Pyetja shtrohet, dhe është e rëndësishme të analizohet, të shqyrtohet dhe të kuptohet dhe nga ithtarët e patriotizmit deklarativ. Sepse çasti i zgjedhur nga media serbe përkon me sulmet të njëpasnjëshme që po i bëhen kauzës kosovare dhe me një situatë aspak pozitive për Qeverinë e cila i duhet të luftojë në shumë fronte duke mos patur asnjë lloj legjitimiteti për t’a bërë këtë gjë, për shkak të paaftësisë, korrupsionit të shfaqur dhe vonesave për të kapur trenin evropian. Në këtë kuadër, një dorë e dhënë nga një aleat i jashtëm i Qeverisë, që në fakt ka interesa të kundërta me kombin që drejton ajo, është një thesar i çmuar dhe një mundësi më shumë për ithtarët e fjalëve boshe për të brohoritur profetë ose heronj fals…
                                                                                                                                                              Stavri

Sali Berisha Hero Kombëtar