Sërish Banka e Shqipërisë

images

Raporti i KLSH-së mbi administrimin e kartmonedhave të dëmtuara nga Banka e Shqipërisë tregon edhe njëherë praktikat e saj mashtruese të konsoliduara, si dhe mungesnë totale e përgjegjësisë publike.

Raporti i KLSH-së tregoi përmbledhtazi se, paratë e dëmtuara të dorëzuara nga klientët në bankat e nivelit të dytë kompensoheshin nga to me një vlerë të barabartë me 80% të shumës së kartëmonedhës. Në të njëjtën kohë, këto para, pasi dorëzoheshin nga bankat e nivelit të dytë te Banka e Shqipërisë, kjo e fundit i kompensonte me 100% të shumës. Pasojat, sipas KLSH-së, ishin një humbje prej 21 milionë Euro nga thesari i shtetit.

Qendrimi i Bankës së Shqipërisë këto ditë kanë qenë mjaft i dyshimtë. Po të lexohen deklaratat e saj, vihet re se ajo mban disa qendrime dhe asnjë i ngjashëm me tjetrin. Së pari, mohuan ekzistencën e problemit, së dyti pranuan se ka një komunikim zyrtar me KLSH dhe së treti, njoftuan se “disa media kanë transmetuar lajmin se disa banka të novelit të dytë kanë përfituar padrejtësisht nga procesi i trajtimit të kartëmonedhave…”, duke mohuar kështu se nuk janë mediat që janë në burimin e informacionit, por raporti zyrtar i KLSH.

Kjo tregon se ndoshta Banka e Shqipërisë ose nuk ndahet dot nga “mbretërimi” i Fullanit dhe modelit të tij sikur të ishte një biznes privat, ose është një sjellje e brendshme e vetë Bankës së Shqipërisë të mohojë faktë të pamohueshme.

Së pari, Banka e Shqipërisë, ashtu sikundër dhe çdo institucion publik, duhet t’i rikthehet besueshmërisë publike. Deri më tani, është e pamohueshme se Banka e Shqipërisë shikohet si një zonë paprekshmërie, ilegaliteti të ligjëruar, rrjedhimisht dhe burim fitimesh të padrejta dhe të paligjshme si dhe mashtrimesh ende të pazbuluara.

Së dyti, titullarët e institucioneve, kryesisht Bankës së Shqipërisë, duhet që të mësohen ta trajtojnë institucionin si pasuri publike dhe rrjedhimisht të kuptojnë se janë përgjegjës për çdo veprim, përfshi dhe atë të fshirjes së pislliqeve të paraardhësve. Institucioni publik është biznes privat. Pikërisht, reforma në drejtësi duhet të ketë këtë si synim të parë, rritjen e përgjegjshmërisë së zyrtarëve publike, përballë rrezikut të ndëshkueshmërisë. Në një shoqëri ku morali udhëheqës është fitimi personal, vetëm frika mund të vërë në vijë disa fenomeve dhe persona.

Së treti, edhe njëherë vihet re se Prokuroria sërish luan një rol pasiv dhe të dyshimtë në këtë çështje. U bë një javë që diskutohet për këtë çështje dhe ende nuk kemi një reagim të saj. Dhe këtu qendron dhe detyra e dytë e reformës në drejtësi. Por kjo do të kërkojë shumë kohë, kohë e cila mund të shërbejë ose për të nxjerrë zbuluar skandale të reja, por që mund të jetë gjithashtu e mjaftueshme për t’i mbuluar ato…

Stavri

Sërish Banka e Shqipërisë