Shoqëria Civile

hamburger

Më kujtohet ende marsi i vitit 1997 kur thuajse e gjithë Shqipëria ishte e armatosur. Krismat jashtë  dëgjoheshin në mënyrë të pandërprerë dhe oshëtinin nga dritarja, ndërsa krismat brenda, ato nga ekrani i TVSH-së shoqëroheshin me pamje dramatike njerëzish të armatosur deri në dhëmbë. Të vetmet pamje të ngjashme deri atëherë vinin nga Kongo e Laurent Kabilës. Ky i fundit madje, më kujtohet që në kulmin e revoltës popullore në vendin afrikan, pati deklaruar, ”Nuk do të lejoj që Kongoja të bëhet si Shqipëria”, aq e rëndë dhe e pashpresë ishte historia e atyre muajve në Shqipëri. Më kujtohet që në një moment TVSH-ja ndërpreu transmetimet e saj rutinë, që ishin kronika e zezë nga çdo qytet dhe reportazh nga Shqipëria në luftë, për të transmetuar mesazhin me video të një qytetari nga Vlora. Një mjek rreth të dyzetave, i cili bënte një lutje që njerëzit të ulnin armët, të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të mendonin për familjet e tyre, për fëmijët, për të ardhmen. Mesazhi i tij mesa duket pati efekt dhe bëri jehonë. Pas tij shumë qytetarë të tjerë u paraqitën pranë zyrave të Televizionit Shqiptar dhe lanë mesazhet e tyre LIVE, mesazhe për paqe dhe armëpushim. Aq të shumta ishin ato saqë TVSH bëri një rubrikë të veçantë, e cila ndërpriste herë pas here reportazhet e luftës, dhe transmetonte mesazhet e paqes. Rubrika u quajt Mesazhi nga Shoqëria Civile. Kjo ishte hera e parë që e dëgjoja togfjalëshin Shoqëri Civile. Duhet të pranoj që ishte përkufizim i goditur. Në një shoqëri tërësisht të armatosur siç Shqipëria në atë moment historik, ata të pakëtit që refuzonin logjikën e armëve nuk mund të ishin tjetër veçse Shoqëri Civile.

Kjo ndodhte në 1997-ën.

Sot termi Shoqëri Civile keqpërdoret nga mediat dhe abuzohet nga politikanët. Aktorët e shoqërisë shqiptare janë Politika, Ambasadorët e shteteve perëndimore dhe Shoqëria Civile. Por kjo e fundit në të vërtetë nuk ekziston, nuk ka kuptim. U mundova të gjej korrespondenten e Shoqërisë tonë Civile në shtete të tjera si Itali, Francë Greqi, SHBA. Asgjë, më kot u mundova të përshtas organizata apo organizime spontane shoqërore në Evropë me Shoqërinë Civile në Shqipëri.

Pas shumë kerkimesh do të gjeja; ambientalistë dhe të gjelbër që luftojnë për kauzat e tyre por e theksoj, vetëm për kauzat e tyre, do të gjeja sindikata që mbështesin çdo protestë punëtore por nuk do të merreshin kurrë psh. me skandalin e nje guvernatori banke, do të gjeja organizime studentore nga më të ndryshmet në mbeshtetje të kauzave studentore, qëndra sociale të majta dhe anarkiste, shoqata fetare, grupime ekstremiste, shoqata pacifiste. Çdo gjë mund të hasësh përveçse “Shoqëri Civile” në kuptimin absurd që mundohemi ti japim një entiteti inekzistent, ketu në Shqipëri. Edhe te Babagjyshi i Vitit të ri është më e lehtë të besosh. Unë, në të vërtetë, besoj më tepër në ekzistencën e një entiteti të çuditshëm aktivistësh gjithollogë; aktivistë histerikë lajmesh spam. Të tillë ka si në Shqipëri ashtu edhe në Europë apo në SHBA. Grupime individësh të manipulueshëm dhe të influencueshëm nga lajmet bombë të rrjeteve sociale. Në rastin tonë, qytetarë mjaft sensibël ndaj armëve kimike të Asadit psh, dhe totalisht indiferentë ndaj arsenalit kimik të Qafmollës mu në Dajt, sipër kokave tona. Kjo nuk shpjegohet ndryshe përveçse me ndjeshmërinë e tyre sociale… dmth nga mediat sociale. Kjo nuk është Shoqëri Civile, kjo është shoqëri me probleme, të cilën e gjen si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës, ku kanë depërtuar mediat sociale dhe nëpërmjet tyre edhe lajmet bombë.

E vërteta është se pas asaj që etiketohet si Shoqëria Civile fshihet frustrimi i një shoqërie apatike, inaktive, indiferente dhe të dorëzuar. Përveç keqpërdorimit të një termi, problem është edhe numri i vogël i aktivistëve të vërtetë. Të vetmit, janë një grusht të rinjsh që i gjen në çdo protestë. Vullneti dhe qëndrestaria e tyre janë për t’u admiruar, por duke marrë pjesë në çdo protestë të imagjinueshme, për kauza nga më të paimagjinueshmet, në vend që të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve indiferentë, rrezikojnë të zhvlerësojnë institucionin e protestës.

Fajin jo gjithmonë e ka politika. Të dorëzohesh te kjo parullë do të thotë të dorëzohesh te mendimi që njerëzimi është i pashpresë. Ndaj kemi nevojë për të rinj që veprojnë politikisht dhe nuk dëshpërohen nga  apatia e shoqërisë por këmbëngulin. Të mbledhësh bashkë, një ekologjist, një feministe, dy nga komuniteti LGBT, tre nga rruga, ti nxjerrësh në çdo protestë dhe ti etiketosh Shoqëri Civile është qesharake. Shqipëria sot, fatkeqësisht ka vetëm një grup të vogël aktivistësh politikë të majtë, që quhet Organizata Politike. Edhe kjo organizatë, nëse del në çdo protestë nga a-ja te zh-ja, rrezikon të kthehet në estradën me emrin “Shoqëri Civile”.

Onufri

Shoqëria Civile