Shoqëria e të shtypurit shkronja kot

images2Paskërkish një konflikt midis kryetarit të PD-së Shkodër dhe Kryetares së sapozgjedhur të Bashkisë Shkodër. Konflikti qenka seriozë. Me sa thonë. Nuk i flasin as njëri tjetrit. Dikush do të thoshte se s’qenka dhe aq serioz. Përgjithësisht nuk i flasim njëri-tjetrit për hiçgjë dhe ruajmë mëri shekullore për arsye që harrohen (nëse ka patur të tilla). Por ja që kësaj here qenka serioz me të vërtetë.
Dhe ku më mirë se në një artikull në faqen e katërt të një gazete prestigjioze tonën do të gjeja të shtjelluar, shpjeguar, analizuar, komentuar, dokumentuar këtë sherr veror. Midis lajmit se universi po vdes dalengadalë dhe sherrit në PD-në e Shkodrës, zgjodha të lexoj çarçafin e dytë, për të kuptuar se si ndodh një sherr ne PD.

Simptomat e sherrit në PD, më sa kuptova nga leximi, ishin po ato të një hatërmbetjeje klasike: edhe pse të ardhur që të dy nga Shkodra për në selinë e PD-së, ata nuk u panë t’i flisnin njëri-tjetrit, kur ngjiste njëri shkallët e selisë, tjetri zbriste, kur ulej njëri në kafe tjetri çohej dhe kur ulte sytë njëri i ngrinte tjetri. Në këtë aspekt, artikulli më kënaqi: nuk do të gjeja asnjë përçues thashethemi më të mirë se sa ky artikull.

Ç’bënin këta të dy në selinë e PD-së? Artikulli argumentonte se i kishte thirrur Kryetari i PD-së, me shpresën që të pajtoheshin, pas një sqarimi të thellë të problemeve që kanë me njëri-tjetrin. Dhe këtu mendova se artikulli, edhe pse po i afrohej çuditërisht fundit, do të vijonte me ndonjë thashethem tjetër, kësaj here pak më instruktiv, se çfarë u tha në takim apo nëse filtroi diçka prej këtij takimi, në rast se do të ishte mbajtur në kushte konfidencialiteti. Dhe ja ku po afron fundi i artikullit. Dhe gazetari vendos më në fund të japë të vetmin lajm që do të kishte mbyllur tërë atë çarçaf të panevojshëm që shtrihej në gjysmën e faqes 4: në fakt, Kryetari i PD-së nuk ishte në seli… Pra takimi nuk u bë dhe asgjë nuk është sqaruar mes tyre. Pra, sipas logjikës së artikullit, Kryetari i ka thirrur në seli, ata kanë vajtur dhe Kryetari ndërkohë nuk ishte më në seli dhe takimi nuk u bë. Më mirë do të ishte sikur lajmi të ish marrë nga ndonjë thashethem në Facebook. Me siguri do të ishte më i përpunuar.

Pra, i gjithë lajmi ishte ngritur mbi disa supozime, që mund të ishin dhe të vërteta, por që nuk bazoheshin në asnjë arsye konkrete dhe për të cilat nuk kishte asnjë zgjidhje konkrete. E gjitha kjo, mori një faqe gazete, kohën e lexuesit dhe e bëri lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit si disa parime në mbështetje të mediokritetit. Që është shtrirë këmbëkryq kudo, por ndihet më shumë në media, ato që janë të parat mbi lajmin, të fundit, mbi saktësinë dhe të kudondodhura në marramendjen që po i bëjnë njerëzve.

Sot kushdo mund të shkruajë, përfshi dhe vet autorin e këtyre rreshtave. Kushdo mund të shkruajë, të bëjë peticion, faqe interneti, gazetë apo të mbledhë fonde në mbështetje të shqetësimit të e vet. Kjo është gjë e mirë. Por tërë këto mundësi na lejojnë të kuptojmë shpalosjen e plotë dhe të padiskutueshme të mediokritetit. Disa shkencëtarë të NASA-s kanë bërë një studim para ca ditësh dhe kanë arritur në përfundimin se civilizimi ynë do të marrë fund brenda shumë pak vitesh. Fillimi i mbarimit është duke përfunduar. Nëse nuk mjaftojnë ngrohja globale dhe hendeku që ndan të varfrit nga shumë të pasurit, shembulli më sipër mund të shërbejë si një ilustrim i vogël por kuptimplotë. Përfshi këtu dhe studimin e NASA-s. nuk e dimë si do të jetë civilizimi i ardhshëm, por si ky i sotmi më mirë mos ta urojmë.

Stavri

Shoqëria e të shtypurit shkronja kot