Shteti që nuk kemi

Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk ishte i papritur. Analiza juridike e çështjes do kohë që të bëhet, reperkusionet e parimeve që shtjellon, do të kenë jehonë edhe jashtë Shqipërisë, të paktën në ato vende ku parimet e vendimeve gjyqësore analizohen, komentohen dhe zbatohen, në të kundërt me Shqipërinë.

Shqipëria është një vend me parime liberale të sanksionuara në Kushtetutë, për sa i përket marrëdhënies me pronën private. Prona nuk mund të konfiskohet, shpronësohet, pra të merret pa ligj dhe pa ndjekur procedurën e parashikuar në ligj. Kjo vlen si për ndërtime të ngritura mbi prona të ligjshme ashtu si dhe mbi prona inekzistente, të vjedhura ose të përvetësuara pa të drejtë, që nga momenti kur, fatkeqësisht, ato kanë një titull pronësie, pavarësisht mënyrës dhe formës sesi është përvetësuar: në këtë aspekt, Shqipëria është tejet ultraliberale.

Prona mbi të cilën u ndërtua pallati, që qendron në qendër të konfliktit, ngjalli diskutime dhe pikëpyetje të mëdha nëse realisht ka patur zot, apo jo. Fatkeqësisht, analiza që duhej bërë për të zbuluar të vërtetën e natyrës juridike të atij trualli nuk u bë kurrë, përveçse nga disa puritanë pa asnjë mundësi që fjala e tyre të dëgjohej dhe nga disa përkrahës të sinqertë të qeverisë së re, e cila më së fundi, po tregonte se dëshironte të udhëhiqte me dorë të fortë.

Mirëpo të udhëheqësh me dorë të fortë nuk është garanci se po udhëheq në mënyrë të drejtë. Ndoshta, nuk ka qenë asnjëherë dëshirë e qeverisë, për këtë rast, të udhëhiqte në mënyrë të drejtë: ajo donte rezultatin dhe rezultati ishte projekti i ri për Vlorën.

Përfundimi ishte që shkatërrimi i pallatit të ndërtuar krijoi iluzionin e vendosjes së drejtësisë në vend, të një fillimi të ri dhe të shpresës se mund të vendosej ligjshmëria sërish në Shqipëri. Fakti është se me vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, jepet një sinjal se ligjshmëria nuk është vendosur në Shqipëri.

Asnjë hetim nuk është bërë dhe asnjë vendim gjyqësor nuk është dhënë në lidhje me trajtimin e një pasurie publike si pronë private, mbi të cilën është dhënë dhe leja e ndërtimit të pallatit. Hetimi i plotë dhe i thelluar i kësaj çështjeje do të kishte hapur një përspektive krejt të re, do të kishte bërë të mundur të kuptonim se ndoshta ishim në prani të një përvetësimi të paligjshëm të pasurisë publike dhe ndoshta, si aksion zinxhir, të konsiderohej si një produkt i veprës penale… Por që të shkohej në këtë përfundim, duhej një rrugë e gjatë hetimi të hollësishëm, gjë që nuk u bë, edhe pse u fillua nga Prokuroria e Rrethit Vlorë… Prokurorë hesapi…

Procesi i shpronësimit të pronarëve të njësive të pallatit nuk është bërë sipas ligjit. Duam apo nuk duam, kjo është e vërteta. Vendimi i Gjykatës e analizon gjerë dhe gjatë situatën juridike të atij shpronësimi, si u bë dhe si duhej bërë. Natyrisht, nuk na ka ngrënë shumë meraku për ata të privilegjuar që arritën të gjejnë të drejtën e tyre në saj të privilegjeve: drejtësia është e njëjtë për të gjithë, por për më të privilegjuarit vjen më shpejt dhe merr nuancat e një padrejtësie, në raport me të tjerët. Por fakti mbetet që shteti nuk e trajtoi siç duhet këtë çështje: dhe me shtet nënkuptojmë si ekzekutivin ashtu dhe gjyqësorin. I pari u nxitua edhe për arsye politike edhe për arsye oportuniteti të qarta: duhej treguar shembulli se asgjë nuk i del dot përpara vullnetit për ta bërë Shqipërinë. Ndërsa i dyti, shkëlqeu si gjithnjë herë me mungesën e tij, herë me vonesën e tij dhe herë më shpejtësinë për t’u bërë nder të privilegjuarve të pallatit: dhe me këtë tregoi së gjyqësori është i aftë të prodhojë më të keqen, por edhe më të mirën, kur ndjek interesa që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë.

Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut tregoi se nuk jemi shteti që duam dhe nuk mund të pretendojmë se kemi shtetin që aspirojmë. Zbatimi i Reformës në Drejtësi nuk do e ndreqë menjëherë këtë situatë, por do e bëjë edhe më të dukshme.

Stavri

Shteti që nuk kemi