Siriza të bëjë punë të majtësh

Untitled

Në letrën e datës 30 qershor 2015, dërguar Presidentit të Komisionit Europian, Kryeministri grek pranon se shteti grek do të marrë përsipër disa reforma “konkrete” si përgjigje për kërkesën për të zgjatur afatin e rimbursimit të huasë, në kuadër të Marrëveshjes së Huasë midia Greqisë dhe përfaqësuesve të kreditorëve.

Na tërhoqi vëmendjen linja e tretë e reformave të propozuara, reforma që lidhen me tregun. Dy nga tre propozimet janë simptomatike të llojit të ekonomisë që ka zotëruar në Greqi për vite me radhë. Nuk jemi ne, Shqipëria, që mund t’i bëjmë moral Greqisë, paçka se në lëmin e moralit, ia vlen që t’i bëjmë moral, për atë moral që na kanë shitur këto vite dhe tërë ato presione tërësisht antidemokratike që i kanë bërë Shqipërisë dhe për përpjekjet duhen thënë tinzare, për të bashkuar pas kauzës së tyre tërë të majtën botërore. Por kuptohet që situata nuk është aq e thjeshtë.

Është e qartë tashmë se shumë ekonomistë që janë kundër masave të austeritetit e shohin krizën greke si një mundësi për të filluar në praktikë, zbatimin e teorive të tyre. Mirëpo, ashtu siç ata mbështetin qeverinë greke, e kanë gjithashu mjaft të qartë se në rastin konkret, Greqia vetë nuk ka bërë asgjë që një shtet serioz, akoma më tepër i majtë, duhet të kishte bërë. Për këtë të fundit, mjafton të lexojmë kritikat e Thomas Piketty-së ndaj problemeve strukturore greke. Edhe ky është një ekonomist përkrahës i mundësisw që në dukje të ofron Siriza, por nuk fshihet pas gishtit dhe e pranon se Greqia ka probleme shumë serioze, që kanë lindur në të kaluarën e saj dhe që tashmë janë mbivendosur.

Dhe pikërisht janë këto probleme strukturore serioze të cilat Kryeministri grek merr angazhim që të reformojë, në mënyrë që të përfitojë nga zgjatja e afatit të rimbursimit të huasë. Nga leximi i tyre del që, në rastin më të mirë, qeveria greke aktuale heziton të jetë e majtë dhe në rastin më të keq, që në Greqi nuk ka patur kurrë shtet, ose më saktë nuk ka patur kurrë shtet mbrojtës tw interesave të shumicës, por ka patur një strukturë mbrojtëse ose “miqësore” me kapitalin.

Kështu, një nga reformat është “kryerja në mënyrë të menjëhershme të një vlerësimi të lexueshëm të konkurrencës në sektorë specifikë të karakterizuar nga praktika oligoplistike, si për shembull ndërtimi, tregtia me shumicë, prodhimet bujqësore dhe mediat.” Thënë kështu siç e thotë Qeveria greke, i bie që dhe shteti ynë me Autoritetin e tij të Konkurrencës, me ato pak mundësi që ka dhe ndoshta me atë pak vullnet që shfaq, është më përpara, parë në një këndvështrim krahasues mutatis mutandis, me një shtet që është pjesë e BE-së prej më shumë se tridhjetë vjetësh. Lufta kryesore që duhet të bëjë një qeveri e majtë është të zhdukë oligopolet, qoftë dhe duke i kthyer në një menaxhim shtetëror të përkohshëm, pasi ato janë burim i një varfërimi më të madh të klasave të mesme dhe të ulëta, duke patur parasysh se finaliteti i tyre është ruajta e tregut dhe kontrolli i çmimeve që sipas interesave të tyre. Kjo reformë nuk është ndonjë kërkesë gjakpirëse.

Një angazhim tjetër është “zbatimi i menjëhershëm i një strategjie të lexueshme kundër praktikave korruptive tregtare, për shembull në fushën e procedurave të prokurimeve publike.” Tashmë është më botërisht e ditur sesa beteja epike me Akilit dhe Hektorit se Greqia është vend tërësisht i gangrenizuar nga një korrupsion i tejskajshëm dhe askush dhe asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë për ta luftuar atë. Çka na bën të mendojmë se ndoshta lufta teorike kundër korrupsionit është arma politike e radhës për të bllokuar hyrjen e shteteve të tjera në BE, por ku është diskutim tjetër. Edhe në këtë pikë, të reformosh shtetin dhe të luftosh korrupsionin brenda strukturave shtetërore duhet të jetë dhe është kali i betejës i çdo qeverie të deklaruar të majtë. Një qeveri e majtë do të dilte më me nder sikur të drejtonte grushtin e pamëshirshëm të hakmarrjes popullore kundër hajdutëve të brendshëm, sesa të ushqente një popull me iluzione për rroga të larta kur e ka të pamundur të rindezë motorët e ekonomisë, pasi praktikisht nuk kontrollon dot as veten e vet. Por me sa duket, idealizmi sot ka vdekur dhe ata që janë të majtë, bëjnë llogari politike për të mbijetuar: është më bukur të premtosh dokrra se të luftosh me realitetin.

Së fundi, Qeveria greke në këtë listë premtimesh nuk thotë asgjë për çështjen e kadastrave. Le ta quajmë provokim apo ç’të duam, por në fushën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ne jemi më mirë se Greqia, megjithë problemet, vjedhjet, gjymtimet e hartave dhe sakatimit të pronës në Shqipëri. Si ka mundësi? Thjesht dhe vetëm sepse grekët nuk kanë sistem të regjistrit të pasurive të paluajtshme. Gjatë negociatave të qershorit, Greqisë ju kërkua të luftojë në këtë drejtim, por ende nuk është bërë gjë. Ka gjasa që të mos bëhet. Sepse, edhe njëherë, është më mirë të mbash një lugë plot me iluzione se të rendësh pas vuajtjesh, sado të domosdoshme dhe afatshkurtra që mund të jenë. Sistemi i kadastrave nuk bëhet për bukuri, por për shumë arsye, më e rëndësishmja është vjelja e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Duke mos e bërë këtë, duke u dhënë popullit lugën të mbushur me iluzione, eviton vuajtjet për klasat e pasura që kanë pasuri me bollëk, të cilat dukshëm nuk paguajnë asnjë taksë dhe ndërkohë përjetëson vuajtjet e atyre që nuk kanë ose kanë pak. Rezultati është se deri më tani, për Greqinë, por edhe për rajonin, gjërat duken shumë të koklavitura. Një zgjidhje mund të gjendet nëse shikojmë pak historinë dhe sakrificat që shumë qeveri të majta kanë bërë. Ndoshta kanë humbur në jetëgjatësi, por kanë fituar mundësinë historike të jenë ende fanarë ndriçues edhe sot e kësaj dite. Të shikojmë si do të reagojë qeveria e Sirizës. Por deri më tani, asgjë epike, gjithçka lirike.

Stavri

Siriza të bëjë punë të majtësh