Stuhia në gotë me regjistrimet në Universitete

stuhia2

Gjatë muajit të fundit, regjistrimi i studentëve në universitete dhe kaosi që e ka shoqëruar këtë proces, kanë zënë vendin kryesor në opinionin publik. Nuk do të ndalem gjatë në analiza të lodhshme, të cilat i kanë bërë të tjerë para meje. Por do të sjell dy-tre vërejtje ndryshe, të bazuara në shifra lehtësisht të verifikueshme.

Më bëri përshtypje që këtë vit Fakulteti i Farmacisë, një nga më të kërkuarit nga studentët, nuk arriti të plotësonte kuotat e parashikuara, duke lënë 14 vende bosh, për herë të parë në historinë e tij. Arsyet sipas gjithollogëve, janë te sistemi i ri i regjistrimit, i cili ka krijuar panik te studentët. Këta të fundit të ndodhur nën presion kanë preferuar që pas raundit të dytë të regjistrohen në universitetet private, ku renditja në degët e dëshiruara është më e sigurt. Pra ky system favorizoka Universitetet Private në dëm të atyre Publike. Ndoshta gjithollogët kanë të drejtë…

Ndërsa unë, që sektorin farmaceutik e njoh mirë, mendova që ndoshta problemi i vërtetë qëndron diku tjetër. Sektori farmaceutik është në vështirësi dhe kjo po ndjehet tashmë prej disa vitesh. Për vështirësitë e sektorit, më shumë sesa Ministrja Nikolla, është përgjegjës Ministri Beqaj. Dhe ndoshta është kjo arsyeja që studentët nuk e kërkojnë më fakultetin e farmacisë, duke lënë edhe kuota bosh.
Universiteti tjetër që ofron të drejtë studimi për farmaci është Albanian University, por ky i fundit nuk jep statistika mbi numrin e të regjistruarve, ndaj dhe është e vështirë të kuptosh nëse ka pasur më shumë studentë të regjistruar në degën Farmaci.

Por mundësitë e internetit janë të pafundme.

Kështu me pak kërkim online duke krahasuar dy burime të ndryshme gjeta që:

Sipas Ministrisë së Arsimit  për vitin akademik 2016-2017
Studentë të regjistruar gjithsej  22.963 nga 27.600 aplikantë në total, ose 83 % e aplikantëve janë regjistruar.

Krahasuar me vitin e kaluar:

  • Në Universitete Publike janë regjistruar 1.014 studentë më shumë se një vit më parë, ose 5 % më shumë.
  • Në Universitete Private janë regjistruar 1.597  studentë më pak ose 27 % më pak.

Shifrat (për vitin 2015-2016) i konfirmon edhe një portal statistikor, që është kritik me Reformën në Arsimin e Lartë, arsimi.info. Shifrat për 2016-2017 portali nuk i ka publikuar ende, por këto janë lehtësisht të verifikueshme në faqen e AKU-së, apo të shpallura nga secili fakultet.

Pra nuk është e vërtetë që reforma i ka hedhur studentët në krahët e privatit, përkundrazi, privati ka pësuar një rënie të numrit të studentëve me 27%, ndërsa publiku një rritje me 5%.

(Edhe Inxhinieria e Ndërtimit këtë vit ka kuota bosh, dhe sërisht kush ka pak njohje me arkitektë dhe inxhinierë duhet të ketë informacion mbi pakënaqësitë e tyre, prej disa vitesh tashmë, ofertë e vogël pune, rroga të ulëta. Me hamendësim edhe kërkesa për këto fakultete mund të jetë më e ulët)

Konkluzion

Histeria dixhitale si pasojë e lajmeve, të rreme, të nxituara apo të paverifikuara, është një fenomen sa shqiptar aq edhe global. Nuk kemi pse ndjehemi as keq por as krenarë. Interneti të jep mundësinë e aksesit si tek lajmi i vërtetë ashtu edhe te lajmi i rremë. Por interneti të jep gjithashtu edhe mundësinë që ta verifikosh lajmin, përpara se të shpërthesh në indinjatën dixhitale, si stuhia në një gotë uji.

Tjetër punë pastaj nëse e ke me qejf që lajmin ta marrësh nga mediat shqiptare (mbi 90% jo të besueshme) pa e verifikuar, apo te Jeta Osh Qef; opinionet ti marrësh nga opinionistët gjithollogë alla Lubonja; dhe satirën të ta bëjë një faqe Fejsbuku si Lolita (e blerë së fundmi nga Klani). Atëhere, pak mund të bësh për të ndihmuar veten dhe aspak për të ndikuar në përmirësimin e shoqërisë.

Thënë këto, dua të shtoj që reforma në arsim ka shumë probleme dhe ndoshta nuk kishte si të ishte ndryshe. Ajo u kundërshtua qysh në fillim nga studentë të angazhuar dhe nga Lëvizja Për Universitetin, të cilët u shpërfillën nga Ministria dhe nga Qeveria, me një arrogancë të pashoqe. Sektori ku kërkohet më shumë kujdes, sepse prej tij varet e ardhmja që mund të përmirësojë të tashmen e zymtë, u reformua me arrogancë dhe mospërfilljeje të studentëve. Reformat mund të jenë të domosdoshme në Shqipëri, por suksesi dhe besueshmëria e tyre varet edhe nga mënyra sesi kryhen, dhe nga gjithëpërfshirja e grupeve të interest.

Tanks

Stuhia në gotë me regjistrimet në Universitete