Të gjithë bashkë për një vend parkimi

parkimi
Historia e dhënies me konçesion të parkimeve në Tiranë është shembulli më i mirë se çfarë mrekullish mund të bëjë autoriteti publik, kur forcat politike bien dakord. Kur forcat politike bien dakord për diçka, mrekullia e parë është heshtja e atyre mizave që gumëzhijnë në veshin tonë, të quajtura përfaqësues të shoqërisë civile. Këta trima me fletë që nuk pipëtinin as pas ngjarjeve të 21 Janarit, u prekën thellë nga rritja e çmimit të naftës, apo nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Faktet treguan që si njëra, si tjetra ishin kështjella të ngritura në rërën e mendjeve të tyre të lëvizshme. U bë një zhurmë e madhe sepse këta gumëzhitës zbuluan lirinë që e kishte izoluar Saliu në bedenat e tiranisë së tij. U bë një zhurmë e madhe se këta gumëzhitës rizbuluan të drejtën për të kritikuar qeverinë, duke nisur nga çështje që, në thelb, nuk prekin aspak interesin e përgjithshëm të popullit, por interesat e tyre të vogla: kështu, për shembull, rritja e energjisë elektrike nuk i bën shqiptarët të jetojnë më në mjerim se ç’kanë qenë. Për energjinë elektrike, trimoshat nuk e kuptojnë se është thjesht fakti i pagesës së energjisë elektrike ne vetvete, me ato pak fitime që mund të sigurojnë, që prek interesat e  shtresës më të varfër të popullit. Por deri dje, trimoshat e fjalës së lirë as që nuk u interesonte ky problem. Edhe sot nuk mund të thuash se i vret shumë dhe në fakt, debati mbi rritjen e çmimit të energjisë nuk kishte të bënte me xhepat e shqiptarëve, sesa me aftësinë e trimoshave të shoqërisë civile të kritikojnë kur dhe si t’ua dojë prapanica.

Forcat politike këto ditë mund të bien dakord të shpikin një burim fitimi të ri për veten e tyre dhe bizneset që u rrinë nga pas. Heshtja e shoqërisë civile është po aq zhurmuese sa ç’ishte zhurma e tyre boshe për dy problemet që përmendëm më sipër. Pikërisht sepse mund të ketë konsensus. Dhe kush është mrekullia e dytë e këtij konsensusi? Një goditje tjetër e pasurisë publike, një turp tjetër për autoritetin publik, një maskaradë e shëmtuar që do të rëndojë mbi depozituesit e autoritetit publik, të cilët me autoritetin që u ka dhënë ligji, po e shkatërrojnë çdo cep publik që ka mbetur në këtë det privatësie makute. Me anë të konsensusit, në Tiranë do të jepen vende parkingu me konçesion, për 35 vjet, një biznesi, i cili do të administrojë parkingjet në Tiranë, kundrejt pagesës. Thuhet se do të jenë 7,400 vende të tilla, gojët e liga e shtojnë deri në 24,000 vende. E vërteta është se për këtë administrim, ne do të paguajmë. Shtrohet pyetja? Për çfarë do të paguajmë? Çfarë do t’i bëjë ky biznes këtyre vendeve? Do u vendos lule, do rregullojë asfaltin poshtë, do mbaj makinat me muhabet? Apo do u dhurojë nga një kostum pune atyre që kërkojnë 100 lekë për parkim te Blloku? Sepse nëse me këtë konçesion synohet rritja e buxhetit të Bashkisë në të mirë të shpenzimeve të saj publike, kjo është po aq e vërtetë sa dhe perspektiva për të parë ndonjë zyrtar të lartë në Shqipëri të kalbet në burg për korrupsion apo për vrasjen e protestuesve para Kryeministrisë.

Disa do të thonë, siç thoshin në kohën kur Saliu filloi valën e konçesioneve (përgjithësisht pa bereqet) se nëpërmjet tyre, buxheti i shtetit do të pasurohej sepse ato do të paguajnë tatimet dhe tarifat e konçesionit. Edhe sikur, të jetë kështu, pra sikur ky biznesi t’i paguajë një për një detyrimet që do të rrjedhin nga ky konçesion, duhet të lëmë marrinë mënjanë dhe të kuptojmë se me këtë barrë fiskale që ka Shqipëria (nuk po flasim për informalitetin), buxhetet publike nuk pasurohen, rrjedhimisht nuk do të ketë asnjë politikë të qenësishme për popullin që do të shikojë dritën e diellit. Dhënia me konçesion e parkingjeve në Tiranë është manovra e ndyrë e radhës që në fakt fsheh privatizimin e hapësirave publike në Tiranë, në favor të disave që të pasurohen edhe më tej.

Shpejtësia me të cilën duan ta votojnë këtë konçesion është treguesi më i mirë i qëllimit që kanë. Edhe të bekuar me “konsensusin”, ky konçesion jep pamjen e një reforme që i duhej kryeqytetit. Mjafton ta shqyrtojmë problemin siç duhet dhe duke rikujtuar historinë e problemeve të parkimit në Tiranë për të kuptuar se çfarë i duhet kryeqytetit. Në fillim u diskutua krijimi i parkingjeve të nëndheshëm për të çliruar Tiranën nga një trafik hera herës i krijuar artificialisht nga “dopjofilat”. Mënyra dhe kriteret e krijimit të tyre mund të ishin të diskutueshëm, por arsyeja ishte e kuptueshme. Së dyti, është ngritur domosdoshmëria e uljes së trafikut të automojeteve në Tiranë, duke dekurajuar përdorimin e tyre nga ata kryeqytetas që nuk e kanë të domosdoshme. Këto praktika njihen në metropole të mëdha të Europës, të jesh majmun dhe të imitosh këto praktika, është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet. Në këtë kuadër, mund të pranohet dhe tarifimi i parkimeve, mënyra dhe kriteret e të cilit do të përcaktohen në funksion të shumë elementeve, një nga të cilat është dhe investimi në punë publike që kanë lidhje me rrugët në Tiranë. Sepse mund të kërkosh pagesën e një tarife për parkimin, por është po ashtu e pritshme nga taksapaguesi që të shikojë rritjen e cilësisë së rrugëve ku ai ecën. Dhe kjo vjen vetëm nëse të gjitha përfitimet nga pagesa e tarifës së parkimit do të arkëtoheshin nga Bashkia. Kjo do të ishte mundësia më e mirë e mundshme, pra që këtë shërbim ta bënte një autoritet publik, në emër të tijin. Por e kuptojmë që sot, më e mira nuk është më optimalja dhe më optimalja është më e pranueshmja në një shoqëri kapitaliste. Dhe më e pranueshmja mund të jetë që autoriteti publik, pra Bashkia, të lidhë një kontratë partneriteti me një subjekt privat për furnizimin e teknologjisë së nevojshme dhe vetëm kaq. Me të gjitha ato para që do të mblidhen, një Bashki mizerabël si kjo e Tiranës do të bënte mrekullira. Gjithmonë nëse do të kishte vullnet.

Vullneti mungon. Bozdot, bozët e radhës, dalin e mbrojnë idenë se ky konçesion është i mirë, se nuk do të tarifohen banorët. Këta altoparlantë të mediokritetit duhen të na shpjegojnë se çfarë është një lagje në Tiranë, ku fillon dhe ku mbaron. T’i japësh një zgjidhje në problemi që nuk e shtron kush, ta bësh tjetrin të flasë për këtë problem dhe ta largosh nga objekti kryesor i debatit, që është natyra vetë e këtij konçesioni të babëzisë, është një berishizëm. Dhe berishizmi i toleruar nga konsensusi gjithëpartiak është fundi i demokracisë, fundi i pasurisë publike dhe konsolidimi i një republike që jeton nëpërmjet vjedhjes së përjetshme të vetvetes.

Të gjithë bashkë për një vend parkimi