“Të veprohet”

images1

Folja e përdorur në mënyrën urdhërore të kohës së tashme (për amatorët: diateza pësore-vetvetore, mënyra urdhërore, në kohën e tashme), është një nga abuzimet më të shpeshta me të folmen mes shqiptarëve. “Të bëhet”, “të çohet”, “të nënshkruhet”, i themi njëri-tjetrit kur na vret pesha e evidencës së veprimit që duhet të ishte kryer, por s’po kryhet, ndërkohë që nuk ka asnjë vështirësi në kryerjen e tij. Është një mënyrë që përdorim për të hequr përgjegjësinë nga vetja, për mos t’ia ngarkuar tjetrit dhe për ta lënë veprimin të kryhet vet, tashmë i pjekur dhe i përgatitur dhe i rrahur në vaj e në uthull, nga këto seri ping-pongjesh që i servirim njeri-tjetrit. Me pak fjalë, është një “zonjë” mënyrë për të shprehur vullnetin tonë të brendshëm “politik” se diçka është për t’u bërë, pa u lagur në lumenjtë e vështirë të përgjegjësisë, që nuk e dimë se ku na çojnë.

E ngritur në nivel administrimi publik, nuk mund ta imagjinojnë dot magjitë që bën folja  e përdorur në mënyrën urdhërore të kohës së tashme. Ajo na bën të dalim nga burgu pa asnjë lloj përgjegjësie dhe të lëmë vartësen në burg, pasi ajo duhet ta kuptonte se kur shefi thotë “të veprohet”, do të thotë se ti si vartëse duhet të kishte vepruar. Ajo na bën gjithashtu që të nesërmen e dhënies së këtij urdhri jetim, të ikim për pushime, edhe pse është e vështirë të mendohet sesi mund të veprohet kur jo vetëm është dhënë urdhri në mënyrën udhërore, por edhe ke ikur me pushime.

Kur shefi i Interpol Tiranës la shënimin “të veprohet” mbi shkresën dhe që ia “përcolli” vartësve, ai në fakt nuk ka bërë asgjë. Ai ka vepruar ashtu siç vepron çdo njeri që nuk do të marrë asnjë lloj përgjegjësie. Dhe, duke parë rëndësinë e shkresës së ardhur nga Interpol Brukseli në lidhje me dyshimet se një deputet i Kuvendit shqiptar është përfshirë në një aferë kryekëput kriminale, na duket se shefi i Interpol Tiranës ka “përcjellë” këtë dyshim në vorbullën e harresës. Nuk ka më rëndësi nëse e ka bërë nga papërgjegshmëria kronike që kap çdo individ të mbrujtur me rehatinë shqiptare, as nëse e ka bërë në mënyrë të qëllimshme: ai ka vepruar njësoj në mënyrë kriminale.

Ç’do të thotë “të veprohet”? Kjo mënyrë e përdorimit të kësaj foljeje përfshin shumë kuptime nga pikëpamja administrative. Nëse do të duam t’i japim një kuptim, besojmë se ai më i qarti dhe më i pritshmi është që vartësja “të  vepronte” duke përgatitur shkresën përcjellëse dhe më pas, kjo shkresë të nëshkruhej nga titullari, shefi i Interpol Tiranës. Dhe vetëm kështu mendojmë se merr kuptim folja në mënyrën urdhërore “të veprohet”, vetëm kështu ajo merr kuptim dhe vishet me përgjegjësitë e të gjithë atyre që duhet të veprojnë: vartësja dhe shefi.

Natyrisht, gjykata bëri interpretimin e saj. Rezultati është se vartësja mbeti në burg (njësoj si me Bankën e Shqipërisë…) dhe shefi, tashmë i lirë, flet për karrierë të thyer në mes (po njësoj si me Bankën e Shqipërisë…).

Nga ana tjetër, të thuash “të veprohet” sot duhet të përkojë më shumë me një thirrje. Arben Frroku, personi mbi të cilin rëndonin një tufë me dëshmi dhe fakte që ka ekzekutuar Dritan Lamajn (personin që duhet të ishte marrësi i shkresës me shënimin “të veprohet”) u shpall nga gjykata i pafajshëm. Nëse realisht i pafajshëm ne do të ishim më gjendje ta kuptonim vetëm nëse të gjithë organet e hetimit të kishin bërë një punë të paqme. Gjasat deri tani duken që jo. Në këto kushte, thirrja “të veprohet” drejtuar qeverisë duhet të kumbojë më fort se kurrë, për t’i dhënë një shkundje që sistemi që tmerron dëshmitarët, që ndrydh ata që duan të thonë të vërtetën, lë kriminelët të jetojnë mundin dhe djersën e tyre të qetë dhe shkatërron çdo themel demokratik në këtë vend. “Të veprohet”, para se të veprojmë. Edhe pse njerëzit kanë rënë në një apati të thellë, nëse nuk veprohet, ata do të veprojnë dhe do të jetë tepër vonë.

“Të veprohet”