Tirana në kërkim të historisë

Nëqoftëse do t’i referoheshim shkurtimisht një përmbledhjeje kronologjike, menjëherë pas sundimit osman u ndërtua sheshi Skënderbej, në periudhën fashiste u shtua bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas struktura në tërësi u kurorëzua me Sheshin Nënë Tereza.

Gjatë periudhës monarkiste, sheshi Skënderbej ishte një hapësirë eliptike e pozicionuar në drejtimin veri-jug të qytetit, rrethuar me ndërtesat e ministrive. Në 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe detyrimisht ashtu siç e kërkon zakoni, gjatë 1939-1942 bulevardi u zgjat në jug duke u kurorëzuar me një shesh (sot sheshi Nënë Tereza) i cili perfaqësonte denjësisht stilin e Italisë Fashiste (sic është treguar edhe në pikturën e G. de Chirico). Me një stil fashist (të rrethuara me portico, kollonata, shkallare dhe elemente të tjera si keto) u ndëruan objektet më të rëndësishme të partisë fashiste një ndër të cilat ishte edhe shtëpia Fashiste (Korpusi i UT).
Pas vitit 1945 me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, për të mohuar çdo lidhje të shqiptarëve me të shkuarën sidomos me monarkinë dhe fashizmin sipas vendimeve komuniste qendra e Tiranës do të riorganizohej. Sepse tashmë historia e Shqipërisë do të fillonte pas 1945-ës. Bashkë me ndryshimet e bëra, me qëllim që të zhduknin pronën private dhe sidomos zhdukjen e rrënjëve të qytetit, një pjesë e mirë e strukturës osmane u shkatërrua plotësisht. Tashmë sheshi Skënderbej për të qenë një pasqyrë e “Fuqisë dhe Rilindjes” së Shqipërisë do të perceptohej si një hapësirë monumentalisht gjigante. Një pjesë e mirë e ndërtesave osmane (pazari), katedrale ortodokse, hotele, dhe shtepitë tipike tiranase u quajtën “ndërtesa pa vlera” dhe u shkatërruan. Në vend të tyre u ndërtuan Hotel Tirana, muzeu kombëtar dhe pallati i operas. Ky operacion urban shkëputi plotësisht atë që bën të mundur vazhdimësinë e zhvillimit të një vendi: shkëputi plotësisht lidhjet historike dhe tradicionale midis të tashmes dhe të ardhmes.

Përgjatë gjithë bulevardit Dëshmorët e Kombit janë shpërndarë të gjitha ndërtesat e 100 vjeçarit të fundit të historisë shqiptare. Ndërtesat e fashizmit absolut dhe njëkohësisht në mënyrë të barabartë ndërtesat e komunizmit absolut duke ndjekur njëra tjetrën, tregojnë një vllazëri të çuditshme mes tyre. Të gjitha ndërtesat sikur vijnë nga vende të ndryshme dhe si një dekor teatral, ilustrojnë atë që Tirana donte të bëhej por që nuk u bë dot. Sheshi Skënderbej ka dalë jashtë çdo përmase humane. Në vend të një hapësire ku njerëzit mblidhen, si rezultat i përmasave dhe amorfitetit është kthyer në një hapësirë që shpërndan njerëzit. Duke ardhur nga periudha dhe stile të ndryshme, ndërtesat nuk janë në lidhje harmonike me njëra tjetrën, por secila prej tyre duket sikur mundohet të ekspozojë vehten. Sheshi për fat të keq nuk perceptohet asnjëherë si një i plotë dhe unik. Gjithashtu një nga veçoritë më madhore të një sheshi është lehtësia e aksesit, dhe aftësia për të ofruar një larmishmëri funksionesh për të tërhequr grupmosha dhe karaktere të ndryshme njerëzish. Në këtë këndvështrim, duke mos patur një përdorim dhe gjallëri të përhershme mbetet si një hapësirë boshe dhe e pa përdorshme urbane.

Foto: Barış Karamuço

Foto: Barış Karamuço

Jo shumë ndryshe nga paraardhësit tanë, po ndodh edhe sot në të ashtuquajturin “Shtet Demokratik” Shqiptar. “Të Plotfuqishmit” kanë tashmë të drejtën e plotë, të shtrembërojnë, të keqinterpretojnë, të dizinformojnë dhe të zhdukin pa asnjë lloj përgjegjësie cdo lidhje me atë pak histori që na ka mbetur. Është e pakuptushme dhe i pafalshëm vazhdimi i kësaj masakre historike. Piramida nuk tregon aspak një simbol diktatorial. Edhe sikur të ishte e tillë, me ndryshimin e funksionit, edhe një gërmadhë kthehet në një qendër arti dhe kulture. Ka me dhjetra shembuj se si në zona periferike, një fabrikë apo një gërmadhë e lënë pas dore kthehet në një kompleks kulturor, se si ndërtesat e vetë Hitlerit janë kthyer në muze apo në sheshe koncertesh… dhe jo me një ndërtesë me vlera arkitektonike si piramida, e ndodhur pikërisht në kryqëzimin e dy akseve që terheqin fluksin maksimal të njerëzve. Pikërisht në atë vend, ndërtimi i një godine parlamentare do ta bënte këtë aks të papërshkueshëm nga të gjithë. Në atë vend ku duhet të vlojë jeta kulturore dhe artistike e Tiranës, po kthehet në një vend të paarritshëm dhe të ftohtë, për vetë funksionin që mbart një godinë parlamentare.
                                                                                                                                                                 I.S.

Tirana në kërkim të historisë