Uzurpime të padukshme të pushtetit

Kjo vepër është një alegori e regjimit nazist të Hitlerit, ku flitet për trust-e lulelakre që kishin vështirësi në shitjen e produkteve për shkak të krizës (autori këtu i referohet krizës së rëndë financiare të viteve 1929-1932, që preku në mënyrë mbresëlënëse vendet perëndimore). Përballë këtyre vështirësive, trust-et (që simbolizojnë borgjezinë e lartë) duhet patjetër të gjenin mbështetje financiare dhe mbrojtje kundër pasigurive dhe sytë i kthejnë nga një grupim i vogël horrash të përfaqësuar nga Arturo Ui (Hitleri). Dhe këtu fillon ngjitja e tij në pushtet.
Vepra përshkruan mjaft mirë idenë se ngjitja e tij ishte tërësisht e evitueshme: trust-et përpara frikës se do të humbisnin fitimet, shteti përballë mefshtësisë dhe mosveprimit të tij, i hapën rrugë në mënyrë krejt të pashpjegueshme një tirani që e çoi njerëzimin buzë greminës…
Më shumë se kurrë, kjo vepër duhet lexuar, propaganduar dhe shfaqur sa më shumë këto ditë të farsës demokratike që po luhet në Shqipëri. Sa më shumë të lexohet ajo vepër, aq më shumë do të kuptojmë sesi funksionon një regjim fashist në formim e sipër sesi të qan ditën për të të vrarë natën dhe për të fshirë faktet të nesërmen me prova të rreme, me presione ose me manipulime groteske me qëllim frikësimin e njerëzve dhe konsolidimin e njëshit, si alternativë e vetme për qeverisje.

Aty shpjegohet më së miri sesi u bëhet presion bizneseve me anë të shantazheve dhe grupeve të organizuara që në njërën anë dëmtonin mallrat e tyre dhe në anën tjetër ofronin ndihmën e tyre për t’u mbrojtur kundër një armiku imagjinar. Aty shpjegohet mjaft qartë sesi, për pushtet, grupimi i Arturo Ui ishte gati të vriste brenda llojit për të asgjësuar çdo grupim kundërshtar, aty shpjegohet mjaft qartë sesi me dëshmi të rreme dhe me drogimin e të të pandehurit dhe frikësimin e dëshmitarëve, u shpall i akuzuar për djegien e një magazine lulelakre (që në fakt është një paralelizëm me djegien e Reichstagut gjerman) një student që po kalonte krejt rastësisht në momentin kur ndodhi incidenti…

Ngjashmëria me farsën demokratike shqiptare është i plotë dhe nuk vuan asnjë kundërshtim, përveç atij që do e thonë shumë syresh që brenda nuancave dallojnë dhe ndryshimet thelbësore midis një regjimi hibrid si i yni dhe një regjimi nazist si ai i Gjermanisë së viteve ’30. Pikërisht, këtu gabojnë, sepse para se të bëhej një regjim nazist, Gjermania ishte një regjim hibrid që i hapi rrugë në mënyrë të evitueshme nazizmit.
Meszhi i Bertolt Brehtit ishte i qartë: pas kësaj eksperience të hidhur, individi duhet të luajë rolin e tij të qytetarit, të rezistojë me çdo formë, përfshi dhe votën, për të qëndruar ndaj uzurpimeve të fshehta dhe të padukshme të pushtetit, pasi, siç e thotë dhe vet autori në mbyllje të veprës: “barku nga i cili ata kanë lindur, nuk është shterpëzuar ende…”
                                                                                                                                          Stavri

Uzurpime të padukshme të pushtetit