Vendi që Nukbëhet

Nukbehet

Sipas një teorie, tashmë të ngurtësuar në imazhin popullor, ky vend nuk bëhet. Vendi ku shqiptarët kanë lindur, ku për një copë herë kanë jetuar e ku disa ndoshta ende jetojnë, është i destinuar të mbetet i pabërë, i pabegatë, i pafat, i mallkuar nga vetë bijtë e tij.

Kjo teori dëgjohet rëndom në kafene, në të vetmin institucion shpirtëror të gjithëpranuar nga shqiptarët. Por edukimi me teorinë “Nukbëhet” fillon më herët, qysh në vegjëli, në ambientet familjare ku; edhe kur prindërit bëjnë kujdes të mos e mbjellin farën e pesimizmit te fëmijët, janë të afërmit e familjes që nuk duan t’ia shohin më bojën Shqipërisë, dhe kështu, të shkujdesur me retorikën e brendamureve të shtëpisë,  zhvirgjërojnë veshët e të rinjve me mallkime nga më të larmishmet për vendin ku iu ka rënë fati i keq të lindin.

Në kohët moderne, me risinë dhe masivitetin që sjell bota virtuale e komunikimit nëpërmjet mediave sociale, teoria Nukbëhet rrezikon të kthehet në MUST, duke qenë se statusin TREND tashmë e ka konsoliduar.
Kulmi arrin deri aty ku një i vetëshpallur intelektual (në fakt profesionist), duke përdorur Fejsbukun, deklaron apostazinë e kombësisë, për arsye se nuk është lejuar, për shembull, të parkojë në institucionin ku punon. Akoma më keq kur, për shembull, këtë të pabërë e të padëgjuar e ka zbatuar roja i institucionit, “një morracak, pabuks, i paditur”. Në këtë moment i vetëshpalluri intelektual, nëpërmjet një komunikimi publik në Fejsbuk, i shpall luftë Shqipërisë, dhe i drejton një lutje birit të vet, edhe ai intelektual (profesionist) i të njëjtit profil, që të largohet nga ky vend sa-sytë-këmbët. Fatkeqësia e vërtetë në fakt, është se rrjetet sociale i bëjnë përdoruesit të mendojnë se janë profetë, kur në fakt janë dhe do të mbeten thjesht publik, i cili bie pre i profecive mediatike.

Teoria Nukbëhet, sidoqoftë, ka rrënjë të hershme, të paktën që në origjinën e shtypit të shkruar shqip. Si mund të mos kujtojmë aktivistin dhe intelektualin e shquar të periudhës së pavarësisë, Faik Konicën.
Emblematike është shprehja e tij: “Shqipëri të kam dhjerë s’të kuptova asnjë herë” dhe natyrshëm lind pyetja nëse të gjithë e dhjesim atdheun, duke filluar nga intelektualët, atëherë kush do ta bëjë këtë vend që Nukbëhet?!

Figurë tjetër publike me një farë peshe, promotor i teorisë cinike “Ky vend nuk bëhet”, është edhe Fatos Lubonja. Ky nuk ka lindur publik, ndryshe nga shumë përdorues të mediave sociale. Ky ka lindur profet dhe më pas është bërë cinik. Ka lindur romantik dhe më pas është zhgënjyer. Mllefi i tij derdhet kryesisht mbi shqiptarët, si popull me vese dhe mbi Shqipërinë, si vend i mallkuar. Mendimin e artikulon bukur dhe arsyen e ka të shëndoshë, por publiku që e ndjek dhe e admiron duhet të kuptojë që teoria “Nuk” s’mund të jetë teori, dhe intelektuali, atdhetari “Nukbëhet” s’mund të jetë as atdhetar, as intelektual.

Intelektualë, aktivistë, atdhetarë të vërtetë, pavarësisht vështirësive, Shqipëria ka pasur e do të vazhdojë të ketë.

Shkëputur nga testamenti i Mitrush Kutelit:
4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe.

Onufri

Vendi që Nukbëhet