WikiLeaks

Në rradhë të parë qëndron argumenti i probabilitetit, domethënë ai i pamundësisë që një superfuqi e cila komandon dhe telekomandon në arenën ndërkombëtare, të pësojë një rrjedhje kaq masive dhe të rëndësishme informacionesh, pikerisht në epokën e informacionit, në epokën kur një informacion vlen më shumë se një diamant. Argumenti i dytë është ai që shpjegon arsyet e një inskenimi me përmasa globale. Shpesh herë është tërheqja e vëmendjes nga çështje më të rëndësishme si lufta në Irak dhe Afganistan, kriza ekonomike, apo nevoja e krijimit të një armiku artificial për Administratën e Presidentit të radhës që ndodhet në vështirësi elektorale. Teori të tilla stimulojnë fantazinë e shumëkujt, apasionojnë mijëra njerëz por nuk gjejnë kurrë një zgjidhje finale.

Më konkretisht shpjegojmë se:
Nuk është e vërtetë që informacionet me të cilat na ka pasuruar Wikileaks janë kaq të rëndësishme, madje shpesh ato nuk përbejnë lajm. Që Berluskoni është ai që është nuk duhej të na e thoshte Julian Assange dhe nuk besoj që ndonjë italian, francez apo evropian në përgjithësi mbeti i shtangur nga rrëfimet e WikiLeaksit. Mbase ky “zbulim” ka habitur një qytetar të Singaporit, jo shumë të informuar mbi festat private të kryeministrit italian, por kjo lidhet vetëm me përhapjen e lajmit dhe interesat e ndryshme midis shteteve e kulturave të largëta. Opinioni i ulët i SHBA-së për presidentin e Pakistanit nuk është asgjë e re për ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare e aq më pak për qytetarët e Pakistanit, Indisë etj. Përbën sigurisht lajm për një evropian i cili nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë më parë emrin e presidentit të Pakistanit, Asif Ali Zardari. E kështu me radhë zbulimi i informacioneve “TOP SECRET”  mbi kryeministrin e Rusisë Putin, presidenten e Argjentinës Kirchner etj.

Nga sa u kuptua shteti i cili më shumë u gozit dhe u befasua nga rrjedhja e informacionit të Departamentit të Shtetit është Turqia, deri në atë pikë sa filluan të lëkunden mardhëniet e ngushta shekullore midish dy shteteve. Asgjë më pak e vërtetë se kjo. Që Erdogan ka ndryshuar politikën e jashtme të Turqisë qëkurse ka ardhur në pushtet ështe një fakt i njohur. Që de facto politikën ndërkombëtare të Turqisë nuk e përfaqëson Tayyip Erdogan, por Ahmet Davutoglu profesori i hekurt që drejton Ministrinë e Jashtme, edhe ky është një fakt i njohur.  Në artikullin tonë të para një viti (Turqia e Ataturkut apo Turqia osmane?), në rubrikën gjeopolitike, e kemi trajtuar më me hollësi këtë çështje dhe ato që kanë të bëjnë me politikat e reja të Turqisë me fqinjët e saj, Iranin dhe Sirinë, duke rënë ndesh me interesat e SHBA-së, aleatit të tyre kryesor.  Është  për t’u habitur që në media na u paraqit sikur Kryeministri i Turqisë nuk i priti mirë zbulimet e Wikileaks, kur në fakt ato çdo gjë mund të quhen përveçse zbulime dhe për Erdoganin çdo gjë mund të themi përveçse që u befasua.
Personalisht i vetmi lajm që më ka bërë përshtypje ka qënë ndërhyrja dhe lobimi i Vatikanit për të penguar futjen e Turqisë, një vend myslyman, në BE. Por edhe ketu nuk më bind mendimi që liderët e shteteve të interesuara nuk paskan qenë në dijeni të fakteve.

Për të përfunduar, u trumbetua që  Wikileaks do të bënte një revolucion në botën e informacionit, madje kishte nga ata që u shtynë deri atje sa hodhën hipoteza konfliktesh të armatosura si pasojë e informacioneve që do të zbuloheshin. Por nuk janë këto zbulime që shqetësojnë SHBA-në. Është  kriza ekonomike nga e cila nuk duket se do të mund të dalë paq dhe pasoja kryesore që sjell kjo krizë, humbja e kredibilitetit në arenën ndërkombëtare. Ndërsa deri më sot Wikileaks është një flluskë e madhe sapuni. Nuk është përkufizimi më i saktë por është i pari që më vjen në mendje. Në pritje të ndonjë të reje që të mos jetë edhe aq e vjetër, po apasionohemi me telenovelën Assange dhe problemet e tij me drejtësinë, që këtë herë sipas disa teorive të tjera konspiracioniste, të cilat bien ndesh me ato të parat të përmendura më lartë, është një inskenim i agjenturave perëndimore…
                                                                                                                                                            Onufri

WikiLeaks