Zgjedhjet në Francë me plot të panjohura

vote france

Franca ka hyrë në dy javëshin e fundit përpara zgjedhjeve. Nëse në shkrimin e fundit, situata parazgjedhore fliste për një përplasje në turin e dytë mes kandidatit europeist, liberal dhe perëndimor Emmanuel Macron, i ardhur nga qendra e majtë, dhe kandidates anti-europeiste, proteksioniste dhe rusofile Marine Le Pen, gjërat duken se kanë ndryshuar.

Së pari, afrimi i zgjedhjeve konfirmon se Partia Socialiste me kandidatin e saj do të pësojë një humbje historike. Sondazhet tregon se kandidati Benoit Hamon nuk merr më shumë se 8-9% të votave. Goditjen më të madhe ai e pësoi kur ish kryeministri Manuel Valls doli publikisht dhe deklaroi se do të mbështeste Emmanuel Macron. Qendrimi polemik i tij ka burimin te vizioni që ata kanë për zhvillimin ekonomik të Francës, por me siguri, edhe në ndonjë qejfmbetje personale, për shkak të një lufte politike qe Benoit Hamon bëri kundër Valsit, kur ky i fundit ishte kryeministër.

Së dyti, kandidati i të djathtës, François Fillon, vijon të tërheqë pas vetes skandalet e punësimit fiktiv të anëtarëve të familjes së tij si dhe të disa çështjeve të tjera, që nuk janë aspak të jashtëligjshme, por që hedhin hije mbi figurën që ai kishte tentuar të krijonte në publik për veten e tij, si njeri me integritet. Vendi i tretë në sondazhe tashmë rrezikohet nga një kandidat jo dhe aq surprizë, Jean-Luc Melenchon.

Disa sondazhe parashikojnë se kandidati i të majtës ndryshe, kundër masave shtrënguese dhe pro shpenzimeve buxhetore që do të përgatisin vendet e punës së të ardhmes, ka kaluar në vend të tretë, duke lënë pas kandidatin e djathtë. Dinamika e tij po lë një përshtypje shumë të madhe dhe, në këto dy javë të fundit, gara fillon e bëhet gjithmonë e më e pavendosur. Një nga problemet e këtij kandidati është në rrafshin ndërkombëtar: qendrimet e tij proruse janë tashmë publike. Duke patur parasysh se, edhe pse nuk e thotë, atij mund të mos i vijë fort keq se Evropa mund të dobësohet dhe më tej. Në ndryshim nga Marine Le Pen, ai nuk mbron idenë e largimit të Francës nga Evropa, por masat ekonomike që ai do të ndërmarrë, çojnë drejt asaj. Rritja në sondazhe e këtij kandidati tregon për një situatë tejet komplekse dhe shqetësuese: nga katër kandidatë, tre (me përjashim të Emmanuel Macron) kanë shprehur simpati për Putinin ose janë për një politikë ndryshe ndaj Rusisë.

A mund të parashikohet se cili nga këta të katër do të hyjë në finale? Deri tani sondazhet tregojnë se Le Peni dhe Macron janë në avantazh. Por avantazhi i tyre është i bazuar në sondazhe. Dhe sondazhet tregojnë shumë qartë se jo vetëm që një pjesë e votuesve (40%) nuk e dinë nëse do të votojnë, por edhe një pjesë e atyre që deklarojnë se do të votojnë, ende nuk e kanë vendosur përfundimisht se për kë. Nga ky qendrim rezultojnë dy përfundime: problemi i madh i sondazheve, të cilat nuk po arrijnë më të nxjerrin një pasqyrë sado të saktë të realitetit politik, si dhe fakti që politika po merr gjithmonë e më shumë trajtat e një kërkesë-oferte, larg qendrimeve ideologjike, ku secili do të presë deri në fund “për të blerë” ofertën e kandidatit që do t’i pëlqejë më shumë.

Nga ky fenomen i komercializimit të ofertës politike, dallim bën vetëm Jean-Luc Melenchon, i cili po mbledh rreth vetes shumë njerëz, kryesisht të rinj, të cilët e mbështesin për arsye ideologjike. Për këtë arsye, mitingjet e tij ngjallin një entuziazëm mjaft të madh, edhe pse ai vetë është një person karizmatik që di të mbajë gjallë një miting, ashtu si dhe François Fillon, kandidati i djathtë, rreth të cilit janë mbledhur pjesa më konservatore e të djathtës në Francë.

Pavarësisht kësaj, Melenchon nuk është larg së qeni pak populist. Idetë e tij ekonomike me shumë gjasa, nuk do t’i rezistojnë realitetit ekonomik francez dhe evropian. Qendrimi i tij prorus do të dëmtonte në terma afatgjatë Francën dhe rolin e saj në Evropë. Si ky, ashtu dhe Marine Le Pen, por edhe kandidati i së djathtës, luajnë me idenë e madhështisë së Francës në histori. Por a vlen kjo lojë e përsëritur me të kaluarën, sa herë kalohen kriza ekonomike? Në kushtet e reja globale, natyrisht që jo. Franca ka nevojë për Evropën dhe Evropa ka shumë nevojë për Francën. Ky mesazh që duhet të dëgjohet edhe në Shqipëri jepet vetëm nga një kandidat pretendent, Emmanuel Macron. Edhe nëse ai i fiton zgjedhjet, nuk ka ende asnjë siguri se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë një ndryshim të rrymave politike në Francë, që po ndjehen fort edhe në këto zgjedhje: gjithmonë e më populiste, gjithmonë e më anti-evropiane.

Zgjedhjet në Francë me plot të panjohura